Rilindas i paepur i ideve të patriotizmit, njohjes së Shqipërisë brenda dhe jashtë vendit, njohjes së luftëtarëve të lirisë së asaj kohe dhe veprave të tyre në dobi të kombit.
Mihal Grameno lindi në Korçë me 13 janar 1871 dhe vdiq më 5 shkurt 1931. Vepra e tij e shkruar me penë dhe me pushkë do të mbetet e pavdekshme sepse i tillë ka qenë dhe mbetet ky rilindas i shquar dhe i vendosur për lirinë e vendit dhe të popullit të tij. Pjesëmarrja e Mihal Gramenos në çetën e heroit Çerciz Topulli i dha emër kësaj çete në shkrimet e tij të asaj kohe, madje kjo çetë e vogël, që nuk i kaloi të 30 vetët u bë po kaq e njohur sa ushtria e Ded Gjo Lulit, i cili mblodhi në atë kohë, deri në 2,000 luftëtarë në luftë kundër perandorisë turke, për liri e pavarësi.
Në librin e kujtimeve, Mihal Grameno thotë për luftën e Mashkullorës, që u shndërrua në legjendë:
“Plumbat na vinin me breshëri po ne qëndronim si ca statute në vendet tona dhe u përgjigjeshim me plumba, po duke qëlluar edhe me këngë kombëtare”, – shkruan Gramenoja, për historinë e kësaj beteje.
Pasi u vra Hajredin Tremishti, çeta mbeti me 5 vetë kundrejt një ushtrie me 150 ushtarë.
“Duhej që të mos ndodhesha unë që të merrja anë në Luftën e Mashkullorës se fuqia ime është e dobët për ta përshkruar e zografisur ashtu sikundër ngjajti. Duhej pendë historiografi të sosur, duhej penda e një mjeshtri të vërtetë, duhej të ndodhej një shkenctar ushtarak dhe duhej që të ndodhej një këqyrës i luftës se vetëm atëherë do të përshkruanin të vërtetën.Vetëm e vetëm këta do të mundnin që të përshkuanin dhe zografisnin hollësisht këtë luftë, e cila meriton një histori të tërë, se vetëm atëherë do të mësonte dhe kuptonte pritmja e kombit tënë, që qysh të dinin të mbushnin detyrën e tyre për atdhenë, duke luftuar, si qëmoti për tu lënë bijve të tyre lirinë dhe flamurin e shenjtë që të valonjë përmbi Shqipërinë”.
Topulli, Grameno dhe të tjerët e vazhduan jetën e kaçakut ndër male, deri në shpalljen e Kushtetutës së 1908-ës, pak kohë pas Luftës së Mashkullorës. Atëherë secili shkoi në punë të vet.
“Në Selanik – i mbyll kujtimet e tij Gramenoja – ndejtëm 10 ditë, pastaj duhej të shpërndaheshim. Bajo me Çerçizin e shokët e tjerë shkuan me vapor për në Gjirokastër, ndërsa unë i mbetur si i shkretë, mora udhën për në Korçë. Lotët na derdheshin çurkë si lumë, kur u puthmë dhe u ndamë e së bashku kishim shkuar si vëllezër, afër dy vjet, nëpër malet e bukura të së dashurës Shqipëri”.
Lufta e Mashkullorës do të ishte ndër ngjarjet më të spikatuar të rezistencës patriotike shqiptare të viteve 1908-1910, si pararendëse e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Patrioti Mihal Grameno ishte një njeri poliedrik: Luftëtar-Patriot-Rilindas- Shkrimtar-Publicist, nga më të mirët. Po ta nisim nga veprimtaria e tij letrare mbeten të njohura dhe të gdhendura në letërsinë shqipe të para çlirimit shohim se: Krijimet e para letrare e publicistike të Mihal Gramenos panë dritën e botimit në fillim të shek.XX. Hartoi këngë patriotike, disa prej të cilave, si “Për mëmëdhenë”, “Lamtumirë”, “Uratë për liri” u përhapën gjerësisht në popull. Është ndër nismëtarët e dramaturgjisë e të prozës (sidomos novelës) së gjatë shqipe. Shkroi novelat ”Oxhaku” (1904-1905), ”Varri i pagëzimit” (1909) dhe ”E puthura” (1909), në të cilat gjeti pasqyrim me nota sentimentaliste jeta e përfaqësuesve të vegjëlisë, me brengat e saj të përditshme.
Fusha ku spikati talenti i Mihal Gramenos është publicistika.
Bashkëpunoi me disa organe, por shumicën e shkrimeve e botoi në gazetat Lidhja ortodokse (1909-1910) dhe “Koha” (1911-1926), të cilat i drejtoi vetë. Shkrimet e tij publicistike shquhen për idetë demokratike dhe frymën luftarake. Mihal Grameno luftoi me këmbëngulje kundër shovinizmit fqinj dhe politikës osmanizuese të xhonturqve. Në përgjithësi novelat e tij kanë natyrë sentimentale. Tek ato gjejmë përpjekje për të krijuar mjedise të besueshme shqiptare dhe personazhe nga klasat e shtresat e ndryshme të shoqërisë sonë të asaj kohe. Ka botuar dy vepra dramatike: Komedinë “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe dramën “Vdekja e Pirros” (1906), të dyja të shkruara në vargje. Së bashku me veprat dramatike të Çajupit e të Fan Nolit, ato i çelën rrugën dramaturgjisë shqipe. Grameno shkroi edhe vjersha që i botoi më 1912, të përmbledhura në librin me titull “Këngëtore shqipe – Plagët”.
Është nga publicistët në zë të Rilindjes e të periudhës që pasoi, i cilësuar si një nga pamfletistët më të njohur të së kaluarës. Shkrimet e tij publicistike u vunë drejtpërdrejtë në shërbim të çështjes kombëtare.
Drejtoi gazetat “Lidhja orthodhokse” (1909-1910) botoheshin në Shqipëri dhe diasporë, si “Lidhja ortodokse” në Korçë, “Përlindja e Shqipërisë” në Vlorë dhe “Koha” në SHBA (1911-1926), me disa ndërprerje, “Drita” në Sofje, në të cilat botoi artikuj, prozë, poezi dhe drama. Shkrimet publicistike të Mihal Gramenos shquhen për frymën popullore, për patosin luftarak, ironinë dhe sarkazmën therëse.
Grameno mbetet në letërsinë shqipte, së pari, si publicist.
Shkrimet e tij dhanë ndihmesë në krijimin e novelës e dramës. Poezia atdhetare e Gramenos u bëri jehonë të drejtpërdrejtë ngjarjeve të vrullshme që do të sillnin Pavarësinë e Shqipërisë. Vjersha “Për Mëmëdhenë” u bë një këngë e famshme atdhetare.