Artikull i botuar në revistën amerikane “The Hill”, gazetë dhe kompani e medieve digjitale me bazë në Uashington DC, themeluar në 1994.
Në vitin 2020 “The Hill” ishte faqja më e madhe e pavarur e lajmeve politike në Shtetet e Bashkuara.
Nga opinionisti Leon Aron – 28 janar 2022
Përshtati në shqip Kolonel Flamur Hadushi – Dekan i Fakultetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë
Pavarësisht lëvizjeve të përditshme kërcënuese dhe retorikës luftarake, Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka ndërmend të sulmojë dhe pushtojë Ukrahinën.
Rusëve u pëlqen kur Putini fiton shpejt dhe me pak viktima ose “fitore në territorin e armikut dhe me pak gjak” – siç thoshte Josif Stalin, i cili nderohet sot në Rusi, si kurrë më parë në Bashkimin Sovjetik, pas vdekjes së tij. Putini është i vetmi mes liderëve sovjetikë dhe rusë pas Stalinit, që i atribuon vetes gradën e “komandantit suprem” (bерховный главнокомандующий) të mbajtur nga Stalini.
Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, 1 në 3 ukrahinas është gati të marrë armët për të luftuar kundër pushtuesve, çfarë mund të bëjë që pas sukseseve fillestare të fushatës, ushtria e Putinit të përsërisë rënien në “moçal”, si gjatë luftës në Afganistanin Sovjetik. Por, ky do të ishte një ndërlikim që Putini i druhet, ndërkohë që ai përgatitet për zgjedhjet e vitit 2024, që nëse i fiton, mund ta bëjnë atë faktikisht “president të përjetshëm” në Rusi.
Atëherë, pse i duhet Putinit drama që po luan në kufirin me Ukrahinën? Si një xhudist, apo entuziast i xhudos – dikur kampion i Leningradit, ai me siguri kujton nga eksperienca, se ndeshjet e xhudos rrallëherë fitohen me një kapje vendimtare ose një “ippon” (100 pikë). Shumë më të zakonshme janë fitoret me grumbullimin pikësh, përmes kapjeve “waza-ari” (10 pikë) dhe kapjeve “yuko” (1) pikë.
Sipas opinionistit Leon Aron, në këtë ndeshje virtuale xhudoje me Perëndimin, Putini është përpara me pikë – dhe ka të ngjarë të vazhdojë të shënojë pikë të tjera.
Numri më i madh i pikëve të deritanishme është grumbulluar nga dy lëvizjet që kënaqin audiencën e tij dhe që kanë më shumë rëndësi për të: popullin rus. Ata janë bindur nga propaganda e pandërprerë televizive ruse se Ukrahina, e armatosur dhe e nxitur nga Amerika, do të planifikonte të sulmonte ose Rusinë ose Krimenë, ose protektoratet “de facto” me popullsi ruse në Luhansk dhe Donetsk. Në këtë përrallë të besuar prej tyre, Putini u vuri përballë fuqinë ushtarake të Rusisë, duke i bërë ukrahinasit të kthehen mbrapsh. Me popullaritetin dhe me pretendimin kryesor të regjimit të tij për legjitimitet – bazuar kryesisht në rolin e tij si mbrojtës i Atdheut, kjo lëvizje pëlqehet dhe përkrahet në publikun rus.
Lëvizja tjetër e pëlqyeshme për turmën vendase, ishte pamja e Presidentit të SHBA-së – në fund të fundit, personi i vetëm në botë, përveç Putinit që ka rëndësi për rusët – duke “dëgjuar” Moskën dhe duke “dëgjuar atë” – Putinin.
Pastaj, janë disa lëvizje të tjera, me më pak pikë! Sipas vlerësimit të Leon Aron, Presidenti Biden, gjatë 12 muajve të tij të parë në detyrë ka mbajtur – personalisht ose virtualisht – të paktën, 8 (tetë) samite me Putinin. Kjo është një frekuencë rekord në historinë e marrëdhënieve SHBA – BS ose SHBA – Rusi. Dhe siç ka ndodhur gjithmonë, në çdo rast, kur lideri rus është trajtuar si i barabartë nga udhëheqësi i Perëndimit, ai ka rezultuar me rritje popullariteti dhe pëlqimi në opinionin e brendshëm rus.
Putini, pritet të grumbullojë pikë të tjera, sapo të fillojë të negociojë me perëndimin çmimin e tërheqjes së trupave ruse. Ai ka të ngjarë të marrë një marrëveshje mbi kufizimet e ndërsjella të raketave me rreze të mesme veprimi në Evropë, ndoshta duke përfshirë sistemet e mbrojtjes raketore në Rumani dhe Poloni, të cilat, Rusia këmbëngul se mund të riprogramohen pothuajse menjëherë, për të synuar Rusinë. Një marrëveshje tjetër e mundshme, mund të adresojë shqetësimin e Rusisë, për shkallën dhe shpeshtësinë e stërvitjeve të NATOS në vendet e Evropës Lindore.
Një lëshim më pak i pritshëm, por jo i pamundur ndaj Moskës, mund të jetë një shtytje nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, për të detyruar Ukrahinën të zbatojë Marrëveshjen e Minsk-2 për të legjitimuar enklavat proruse të Donetskut dhe Luhanskut, që kufizojnë efektivisht sovranitetin e Ukrahinës, duke i bërë këto zona konflikti dhe gjakderdhje të përhershme, që mund ta bëjnë Ukrahinën, ndoshtah një shtet vërtet të dështuar.
Së fundi, ndër rezultatet më të dëshiruara të shantazhit të Putinit ndaj Perëndimith është një test real ndaj NATOS: i kohezionit të saj, i aftësisë së saj për t’iu përgjigjur në kohë dhe me efektivitet, si dhe një prove e solidaritetit të saj, me demokracitë që duan të dalin nga hija e rëndë dhe e gjatë e Rusisë.
Deri në vitin 2024 është pothuajse e sigurt, se Putini do të shkojë më tej; ai me siguri, do të projektojë të luajë një tjetër skenar që t’i mundësojë atij, të përsërisë një tjetër shfaqje “tubimi rreth flamurit”, për t’i siguruar atij fitoren e zgjedhjeve dhe “presidencën e përjetshme”.
Leon Aron – ekspert për Rusinë dhe Vladimir Putin është anëtar i lartë i American Enterprise Institute. Ka lindur në Moskë dhe ka vajtur në Shtetet e Bashkuara si refugjat në vitin 1978.