MENU
klinika

Një keqkuptim i madh...

Shkrimtar pa dashje, madje si Kafka

13.02.2022 - 22:31

         Vepra e tij, dallohet për një etikë të thellë kristiane.

Shkrimtari që ”udhëtimin e fundit” e kishte quajtur në njëmijë mënyra, u nda nga jeta 50 vjet më parë (28 janar 1972).

Dino Buxati është një nga shkrimtarët italianë më produktivë dhe më të rëndësishëm të shekullit XX./Konica.al

Kronist dhe korrespondent special i “Corriere della Sera”, që nga vitet e universitetit, ai ishte gjithashtu piktor, dramaturg, skenograf, kostumograf dhe poet. Me shkrime të mprehta, të pasurua me alegori e metafora dhe falë komploteve surealiste, Buxati u cilësua si Kafkës italian, madje qe ndër kritikët më kaustikë të moralit dhe etiketimeve borgjeze. Romani “Shkretëtira e Tartarëve” konsiderohet shembulli më i lartë i rrëfimit ekzistencialist italian.

Me gjithë lehtësinë e tij në të shkruar dhe fantazinë e jashtëzakonshme të trillimit, Buxati thoshte vazhdimisht se ishte viktimë e një keqkuptimi të madh:

“Unë jam një piktor që si hobi, gjatë një periudhe fatkeqësisht të tejzgjatur, u bëra edhe shkrimtar, edhe gazetar. Bota, nga ana tjetër, beson se është e kundërta dhe pikturat e mia nuk mund t’i marrë seriozisht”. Gjithsesi, për të nuk kishte dallim mes pikturës dhe shkrimit, sepse të dyja aktivitetet kishin të njëjtin qëllim për të: të tregonte histori.

Si sot 50-vjet, Buxati po largohej vërtet në atë “udhëtimin e fundit” që e kishte imagjinuar përgjatë gjithë jetës, e kishte pritur, e kishte frikësuar dhe për të cilin kishte shpikur një mijë metafora, si në faqet e shkruara, ashtu edhe në piktura (pikturat, apo tregimet ishin për të momente të këmbyeshme të të njëjtit frymëzim): “nisja e madhe”, “kartolina e drejtimit”, “rendi më i lartë”, “Ajo”.

Mbi të gjitha, në imagjinatën kolektive Buxati mbetet autori i “Shkretëtira e Tartarëve” (1940), romani magjepsës i pritjes, komploti i të cilit, në dukje i palëvizshëm, na mban pezull deri në faqen e fundit pranë ushtarëve që plaken në Kalanë e Bastianit, në pritje të tartarëve, armikun që së fundmi do të sjellë ngjarjen e dëshiruar, lavdinë, shëlbimin e një ekzistence ndryshe të padobishme.

Mirëpo, në realitet gjithçka ishte një mashtrim: në finale tartarët vijnë vërtet, ushtria e pritur që nga kohëra të lashta shfaqet në horizontin e shkretëtirës, ​​pikërisht kur majori Giovanni Drogo, tashmë i sëmurë dhe i padobishëm, dërgohet përsëri në qytet. E tija duket si një disfatë, por faktikisht nuk është: në vetminë e një hani, ai zbulon se “mundësia e madhe”, “betejën vendimtare që mund t’i kishte paguar gjithë jetën” ai po e zhvillonte jo kundër armiqve mediokër prej mishi e gjaku, por përballë vdekjes. Megjithëse, të njëjtat tema të dashura për autorin gjenden në të gjithë krijimtarinë e tij, nga veprat e para të hershme deri në faqet e fundit të shkruara me dorë në dy ditarë gjatë shtrimit në spital, midis dhjetorit 1971 dhe janarit 1972: besnik si një ushtar i bindur pas dorëzimit, për dekada Buxati rikrijon të njëjtën magji që na godet edhe neve. Qoftë nëpërmjet tregimeve, pikturave apo artikujve të lajmeve, ai e tërheq lexuesin në vorbullën e mistereve, të pasazheve drejt një “gjetiu” të pacaktuar, të “mundësive” të humbura ose të kapura rrallë para se të jetë “shumë vonë” (stil ky thuajse i lodhshëm). Sikur gjatë gjithë jetës, ai nuk reshtte së rishkruari “Shkretëtirën e Tartarëve” në forma të ndryshme (nga ana tjetër, në vitin 1966, ai pranon se është “libri i jetës sime, sepse kur e shkruaja, kuptova që duhet të vazhdoj të shkruaj për të në gjithë ekzistencën time dhe ta përfundoj vetëm në prag të vdekjes”. Buxati ose i do të gjithë ose i urren të gjithë, nuk është autor gjysmash dhe në ditët e sotme po apasionon gjithnjë e më shumë lexues të të gjitha moshave, sidomos brezat e rinj që gjejnë veten tek autori. […]

Pikërisht objektet më banale ngarkohen me një domethënie “tjetër”, qoftë zhurma e një rrëshqitjeje natën në mal, apo një zile që bie me këmbëngulje (“kjo është ndoshta arsyeja pse disa zile dyersh, saktësisht identike me të tjerat, na bëjnë të na kërcej zemra përpjetë”), apo një pikim, diçka krejt normale nëse nuk do të ishte për faktin se vijon në shkallët e një pallati (“është thjesht një pikë, vetëm se na përndjek nëpër shkallë. Tik, tik, në mënyrë misterioze, nga hapi në hap. Dhe prandaj kemi frikë”). Vetëm të përulurit lejohen t’i deshifrojnë këto mesazhe: ata janë shërbëtorë, fshatarë, lypës, prostituta, sakatë, fëmijë, të cilët e kuptojnë misterin, ndërsa të fuqishmit dhe të pasurit mbeten të verbër dhe të shurdhër.

Ka një etikë të thellë kristiane në faqet e ateistit Dino Buxati, i cili, gjatë gjithë jetës qe në kërkim të Zotit (“Lindi një zbrazëti e frikshme, që është tragjedia e botës moderne”, – thotë ai për mungesën e dëshirës për Zotin në 1965)./Konica.al

“Përballë frikës së vdekjes, – shkruan korrespondenti i luftës për “Corriere della Sera” në 1941, i vetmi organizëm që duket se më dha besim ishte Zoti. Atëherë do të bëhesha i fortë, jo vetëm përballë vdekjes, por edhe përballë dhimbjeve të çdo lloji, mjerimit, zhgënjimeve, trishtimit që shkakton koha”.

Mund të thuhet me siguri, se poetika e tij është poetika e njerëzve modestë, mes të cilëve, ai vetë e vuri veten sipas prirjes së natyrshme të mendjes, edhe kur tani ishte i famshëm dhe i përkëdhelur nga sallonet e Milanos.

“Para së gjithash, vjen mirësia. Edhe para artit”, – shprehet në vitin 1971, për intervistën nga Yves Panafieu, kurse atyre që e pyesnin se cila ishte vlera e tij më e madhe, ai nuk hezitonte t’u përgjigjej “si burrë, ndershmëria. Duke folur me modesti”. Të bësh salto me mendjen është një ushtrim që kërkon shkathtësi dhe përbuzje ndaj rrezikut, aq më e vështirë pasi është thelbësore të mbijetosh në kohë të trazuara. Një shembull sesi fjalët mund të ndriçojnë ditët e errëta është vepra e Dino Buxatit. Të rizbulosh punën e tij sot, do të thotë të gjesh konfirmimin e idesë, se, nuk ka realitet më të vërtetë se imagjinata./Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dino Buxati - Kafka italian

Frika shoqëron ekzistencën

Ambasador i paqes në ShBA: Kodra

“Shqipëria nji vend i bukur sa s’ka ma”