Vetëm gjysmë shekulli më parë, ishte thjesht një fshat peshkatarësh. Sot, Dubai, kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, rrethuar nga uji dhe rëra, është një nga qendrat më të rëndësishme financiare të botës.
Megjithatë, ata përballen me një problem serioz: shkretëtira po përpin ato pak toka pjellore që kanë mbetur në qytetin më të populluar të Emirateve.
Rreth 80 për qind e sipërfaqes së Emirateve të Bashkuara Arabe është ranishte dhe autoritetet po punojnë për të gjetur një zgjidhje që lejon kthimin e pjellorisë në zonat e tokës që nuk janë më produktive. Megjithatë, financat e tyre u lejojnë që të nisin projekte të reja, në përpjekje për t’i dhënë fund problemit, ndryshe nga vendet e tjera që nuk kanë të njëjtën pasuri.
Çdo vit, thatësira përpin rreth 12 milionë hektarë tokë në të gjithë botë.
Për shembull, në Emirate, më shumë se 56 për qind e tokës së punueshme, ka humbur gjatë viteve 2002-2018, tokë që korrespondon vetëm me 5,38 për qind të totalit, sikur raporton Banka Botërore.
Por, ky nuk është problemi i vetëm në Dubai, qyteti që njohu hovin e zhvillimit ekonomik në vitet ’70-të, me shfrytëzimin e naftës. E me gjithë këtë përparim, Emiratet e Bashkuara Arabe shqetësohen sesi do ta ruajnë këtë pasuri, kur ky burim të mbarojë ose të humbasë vlerën.
Tanimë, në pikën kulminante të zhvillimit dhe kërcënimit nga thatësira, autoritetet po e kthejnë vëmendjen drejt tërheqjes së kompanive të reja të teknologjisë, duke parapëlqyer të investojnë në energjinë e rinovueshme dhe teknologjinë e pastër.