MENU
klinika

''Paudhësitë kundër shqiptarëve''

Letra e Luigj Gurakuqit para Konferencës së Paqes

20.02.2022 - 13:03

        Veprimtar i çështjes kombëtare, radhitës dhe nënshkrues i dokumentit të shpalljes së pavarësisë, njeri i letrave, arsimtar dhe personazh i politikës shqiptare çerekshekullim e 20-të.

Luigj Gurakuqi është një nga personalitetet më të shquara të levizjes sonë kombëtare, arsimore dhe kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të fillimeve të Pavarësisë, duke përjetuar ngjarjet më kulmore të jetës së vendit në mos organizator, di pjesëmarrës i drejtpërdrejtë

Atdhetari lindi më 19 shkurt 1879 dhe u vra më 2 mars 1925 në Bari të Italisë.

Kjo letër e tij, më poshtë, tregon qartë pikëpamjet patriotike, kur i kërkon Kryeministrit të Italisë, Z. Giolitti, korrigjimin e kufijve të Konferencës së Londrës, duke kërkuar që Nënës Shqipëri, t’i bashkangjiten “Shqiptarët e Ulqinit e të Krajës, të Hotit e të Grudës, të Triepshit, të Plavës e të Gusinjës, të Gjakovës e të Pejës.”

Kopja e letrës origjinale:

PAVARËSIA E SHQIPËRISË

Kur në muaj të qershorit që shkoi Kryeministri i Italisë, Z.Giolitti, bëri dëftimet e tija mbi çështjen shqiptare, tha ndër të tjerat, se ndonse Qeverria Italiane ishte anëtare e nxehtë e pavarësisë së Shqipërisë e se për këtë shkak po hiqte dorë nga ç’do farë protektorati e mandati mbi të, prap nuk munt të jipte aty për aty vendim për lëshimin e plotë të Vlorës duke qenë se sqela e kësaj do të bëhej një rrezik i math për Italinë po të binte në dorë të ndonjë armiku të Shqipërisë e t’Italisë. E këtë arsye për të mos lëshua Vlorën Z. Giolitti e mbështeste mbi një arsye tjetër pas të cilës Shqipërija, e cila dobtë dhe e paorganizuar, nuk do t’ishte e zonja të mproje Vlorën as nga ana e tokës as nga ana e detit.

Dy muaj më pastaj ministri i punëve të jashtme Z. Sforza, duke dhënë shpjegime në Parlament mbi traktatin e lidhun në mest t’Italisë e të Shqipërisë, dëftoi se një nga shkaqet më të para që i mbushën mendjen Qeverrise italiane për të zbrasur Vlorën, qenë edhe provat e shkëlqyera që po ipte kombi shqipëtar se ishte i zoti për të themeluar një shtet të fortë, për të formuar një qeveri të rregullshme për të mbrojtur kufinjt e pavarësinë e vet.

Këto dy dëftime mbi pavarsin’ e Shqipërisë e mbi aftësin’ e kombit shqipëtar për t’u qeverrisun mbë vete, të bëra në keto kohët e fundit nga dy përfaqesonjësit e përmendur të Qeverrise italiane, duhet të mbushin me gaz zemrat e Shqipetërevet, t’u shtojnë shpresën e t’u apin guxim edhe më të madh për të vazhduar veprën e lartë të lirimit e të shpëtimit t’atdheut.

Është e vërtetë se fqinjt e Shqipërisë. Grekët e Sllavërit, duke mohuar premtinet e përparëshme, nuk po duan të hekin dorë nga kërkesate e tyre: po, në tjetrën anë, edhe Shqiptarët po japin gjithnjë prova të shqëlqyeshme se din t’i mbrojnë kufinjt me vellëndet të patundur me theorin e jetës së vet. Qëndrimi kreshnik me të cilin burrat e Korçës u bënë ballë kërcnimevet të Greqisë, e sulmi patriotik që ngriti në këmbë Shqipërin’ e tërë kundër të mësymëvet të Jugosllavisë kanë arritur të tundin pakëz apathin e Fuqive të Mëdha e t’u apin të kuptojnë armiqvet t’anë se gjaku i Skënderbeut ka nisur të vlojë me rrëmbim në dejt e Shqiptarëvet e se tokët e tyre nuk munt të pushtohen vetëm me një shetitje ushtarake.

Ndonse Qeverrija frënge nuk ka dashur akoma t’a tregoje zyrtarisht mendimin e saj mbi çeshtjen shqipëtare, me gjthë këtë kemi arsye të besojmë se do të shtërngohet të hekë dorë nga mbështetja e kërkesavet greko-jugosllave e nuk do t’u kundërshtohet më me ashprimin e përparshëm tërësis’ e pavarsisë së Shqipërisë. Në tjetrën anë Ingliterra, e cila për sa e sa herë kishte mohuar me gojën e Ministravet të vet të drejtën që i vijnë kombit shqipëtar nga vendimet e Konferencës së Londrës, ka nisur tash në funt t’a kethejë pakëz fletën e në dëftimet që bëri në këto ditë nënministri i punëve të jashtme në Dhomën e Komunevet tha se Fuqit’ e Mëdha kishin qëllim t’i njohin Shqipërisë të drejtën qe ta trajtojë një Shtet të paanshëm.

Sa për Italinë shpresojmë se kjo, që në këto kohët e sprasme nisi t’i kuptojë mirë interesat e saja, të cilat kërkojnë një Shqipëri të fortë e të lire, nuk do të kufisohet vetëm të njohë ajo vetë pavarsin’ e Shqipërisë, po do të përpiqet që tërësija e pamvarsia e Shqipërisë të njihen edhe nga tjerat Fuqi të Mëdha e, sidomos të nderohen nga fqinjtë e Shqipërisë, Grekër e Sllavër.

Po nga Italija, Shqiptarët presin një ndihm’ edhe më të madhe, domethanë, qortimin e kufijve nga ana e veriut. Edhe rusa nuk i mungon.

Në bisedimet që do të nisen tani në mest të delegatvet italjanë e jugosllavë pë të zgjedhur çeshtjen e Adriatikut, thohet se Italia do të kërkojë për popullin e Malit-të-zi të drejtën e vetvendimit. Po këtë të drejtë nuk duhut t’a kërkojë vetëm për pjesën sllave të këtij populli, por edhe për pjesën shqipëtare për të cilën si Jugosllavija si Mali-i-zi janë të huaj. Duke u mbështetur mbi atë parim të kombësivet pas të cilit kërkojnë Dalmatinë e Istrinë, Itaija duhej të kërkonte të drejtën vetëvendimit edhe për Shqiptarët e Ulqinit e të Krajës, të Hotit e të Grudës, të Triepshit, të Plavës e të Gusinjës, të Gjakovës e të Pejës.

Për ndryshe, kërkesa e vetvendimit për Mal-te-zi nuk do të ishte tjetër veç një shkelje të drejtës e një shugurim i paudhësivet të tmershme që Mali-i -zi e Serbia kanë bërë e po bëjnë gjithë kundër popullit shqipëtar të visevet te përmendura.

***

Luigj Gurakuqi kreu Kolegjin e Shën Adrianit në fshatin arbëresh të Shën Mitrit në Itali dhe studioi për mjekësi e biologji në Universitetin e Napolit. Ai ka një veprimtari të pasur letrare, publicistike, kombëtare dhe politike. Veprimtaria e tij filloi me poezi lirike dhe përkthime në gjuhën shqipe. Vijoi me botimin e teksteve të abetares në dy dialektet e shqipes. Shkroi artikuj në organet e shtypit shqiptar.

Në vitin 1908 mori pjesë si nënkryetar i komisionit për njësimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit. Gurakuqi është hartuesi i parë i veprës “Metrika Shqip”.

Më 1911 ishte një prej hartuesve të Memorandumit të Greçës gjatë kryengritjes së malësorëve të Mbishkodrës të vitit 1911. Në vitin 1912 mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit. Ishte në Kuvendin e Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë dhe u caktua Ministër i Arsimit nga Ismail Qemali.

Në vitin 1918 mori pjesë në Kongresin e Durrësit dhe u zgjodh ministër i Arsimit dhe anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në vitet 1921-1924 ishte deputet në Këshillin Kombëtar.

Luigj Gurakuqi u përfshi në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924 dhe u zgjodh Ministër i Financave në qeverinë e Fan Nolit.