Foreign Policy
16 shkurti kaloi, dhe Rusia nuk e pushtoi Ukrainën, pavarësisht paralajmërimeve nga burime të inteligjencës amerikane dhe zyrtarë se një aksion ushtarak rus mund të zhvillohej në atë datë.
Rusia gjithashtu ka raportuar se ka filluar të tërheqë disa nga trupat e saj nga kufijtë e Ukrainës pas stërvitjeve ushtarake megjithëse inteligjenca perëndimore ka ngritur dyshime rreth pretendimeve ruse për tërheqjen e trupave duke thënë se ekzsiton mundësia e një sulmi.
E megjithatë edhe në mungesë të një sulmi, diskutimet e Moskës me Perëndimin mbi Ukrainën kanë mbetur pezull. Rruga diplomatike ndërmjet zyrtarëve perëndimorë, rusë dhe ukrainas ka dështuar në arritjen e marrëveshjeje.
Presidenti rus Vladimir Putin tha gjatë bisedimeve me kancelarin gjerman Olaf Scholz në të njëjtën ditë se Moska ishte gati të diskutonte “masat për ndërtimin e besimit”, por ai gjithashtu paralajmëroi se Perëndimi dhe Ukraina do të përballen me pasoja të mëdha nëse nuk gjejnë një zgjedhje diplomatike, raporton abcnews.al
Më 17 shkurt, ministria e jashtme e Rusisë përsëriti paralajmërimin se Moska “do të detyrohet të kundëtpërgjigjet, duke përfshirë edhe masat ushtarako-teknike”, nëse garancitë e saj të sigurisë nuk përmbushen nga Shtetet e Bashkuara. Derisa të arrihet një marrëveshje, mundësia e një pushtimi nuk mund të përjashtohet plotësisht, megjithëse se si do të ndodhte një sulm është ndoshta ndryshe nga ajo që presin shumica në Perëndim.
Më 15 shkurt, Duma ruse votoi për t’i kërkuar zyrtarisht Putinit që të njohë pavarsinë e Republikave të Donetskut dhe të Luhanskut, dy shtetet separatiste të mbështetura nga Moska në Ukrainën lindore. Vyacheslav Volodin e arsyetoi këtë votim duke thënë se “Kiev nuk po respekton marrëveshjet e Minskut. Qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Donbass kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë.”
Marrëveshjet e Minskut të cilave u është referuar Volodin kanë shkaktuar mosmarrëveshje midis Moskës dhe Kievit që 2014 dhe 2015, kryesisht mbi renditjen e komponentëve politikë dhe të sigurisë të marrëveshjes dhe se cila palë ofron koncesionet e para.
Votimi nga Duma nuk është një detyrim, që do të thotë se Putin nuk është në asnjë mënyrë i detyruar ta nënshkruajë atë në ligj. E megjithatë edhe nëse Putin refuzon ligjin, masa vepron si një goditje paralajmëruese për veprimet e Moskës nëse diplomacia dështon.
Nëse Putin do të vendoste të njihte Republikën e Donetskut dhe Republikën e Luhanskut si shtete të pavarura, kjo nga njëra anë do të kishte shumë pak ndikim, pasi do të ishte një njohje de jure (të paktën nga ligji rus) i një realiteti de facto që ka ekzistuar gjatë 8 viteve të fundit.
Megjithatë, nga ana tjetër, kjo do të përbënte në thelb përfundimin e marrëveshjeve të Minskut, i cili është një format ndërmjetësimi ndërkombëtar i krijuar për të kuptuar statusin e këtyre territoreve brenda sistemit politik të Ukrainës dhe formatin parësor për negocimin e konfliktit ukrainas që kur filloi në 2014.
Deri më tani, Rusia i ka trajtuar Donetsk dhe Luhansk sikur të jenë ende pjesë e sistemit politik ukrainas, edhe pse Moska i ka mbështetur fshehurazi këto territore. Kjo është arsyeja pse Rusia ka zhvilluar aktivitetet e saj ushtarake në këto territore të kufizuara.
Nëse Kremlini do të njihte Donetsk dhe Luhansk si shtete të pavarura, kjo teorikisht mund të krijonte mundësinë për vendosjen e një pranie më të madhe ushtarake në këto territore.
Gjithçka që do të duhej është një kërkesë zyrtare nga Republika e Donetskut dhe e Luhanskut që Rusia të ndërhyjë për të mbrojtur qytetarët ruse, shumë banorë të këtyre territoreve tashmë kanë pasaporta ruse.
Moska kërkon të gjejë një pretekst por duke pasur parasysh se shkeljet e armëpushimit janë konstatuar rregullisht përgjatë vijës së kontaktit midis forcave të sigurisë ukrainase dhe separatiste, duke përfshirë akuzat për bombardime nga të dyja palët më 17 shkurt nuk do të ishte vështirë për Kremlinin të gjente shkas.
Në rast të një ndërhyrjeje të tillë ushtarake ruse, ajo ndoshta do të sulmonte vetëm territoret ekzistuese të rajoneve të kontrolluara nga separatistët dhe ndoshta nuk do të përfshinte inkursione të mëtejshme tokësore ose pushtim të territorit të kontrolluar nga ukrainasit.
Kjo do t’i krijonte Rusisë mundësinë për të thënë se nuk po pushton teknikisht Ukrainën, por po ndërhyn në shtetet e pavarura të saponjohura me kërkesë të popullit dhe qeverisë së saj.
Ndërhyrja e Rusisë në territoret separatiste gjithashtu do të ishte brenda kornizës të veprimeve të saj, pasi kostot ushtarake dhe ekonomike do të ishin shumë më të pakta se një pushtim i mëtejshëm i territorit ukrainas.
Është perspektiva e fundit që ka rritur sigurinë e NATO-s dhe mbështetjen e armëve për Ukrainën, dhe kjo ka bërë që forcat ukrainase të jenë në gatishmëri. Ky rezultat nuk është i pashmangshëm. Faza diplomatike e krizës ukrainase është ende në vazhdim për të zgjidhur çështjet brenda formatit të Minskut, dhe zyrtarët rusë dhe europianë kanë lënë të kuptohet se mund të arrihet një zgjidhje për të ulur tensionet dhe për të shmangur luftën.
Për më tepër, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë paralajmëruar se Rusia do të përballet me sanksione nëse pushton Ukrainën. Ajo që është e qartë, megjithatë, është se Putin nuk ka gjasa të largohet duarbosh.
Ndërsa shumë e kanë interpretuar vendosjen e trupave ushtarake ruse dhe stërvitjet në shkallë të gjerë si një shenjë se Putin po planifikon të pushtojë Ukrainën, një hipotezë është se lëvizje të tilla janë pjesë e procesit më të gjerë të negociatave që Moska po përpiqet të negociojë me Perëndimin.
Në mënyrë të ngjashme, votimi i Dumës për të njohur Donetsk dhe Luhansk si shtete të pavarura nuk mund ta detyrojë Putin ta bëjë diçka të tillë. Ajo që Putin mund të tregojë duke njohur pavarsinë e këtyre republikave separatiste, është fakti se ai nuk është i kënaqur me Marrëveshjen e Minskut nga ana e Ukrainës, dhe kështu ai dëshiron që ky proces të mbështetet nga Perëndimi. Për më tepër, dhe më e rëndësishmja, Putin dëshiron të negociojë një kornizë të re dhe më gjithëpërfshirëse të sigurisë për Ukrainën dhe Europën.
Pyetja përfundimtare është: Çfarë veprimi do të ndërmarrë Putin nëse nuk merr asnjë përgjigje pozitive nga Perëndimi pas gjithë këtyre bisedimeve?
Njohja e Donetskut dhe Luhanskut si të pavarura është një alternativë ndaj një pushtimi më të gjerë ushtarak të Ukrainës, ndonëse shihet si një opsion që ende përfshin potencialin për veprim ushtarak dhe mund të ndryshojë paradigmën në bisedimet midis Moskës dhe Perëndimit.
Ndërsa ende po zhvillohet një proces diplomatik për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm, situata mund të ndryshojë së shpejti.