MENU
klinika

Nga Deutsche Welle/ Kriza në Ukrainë

Gjermania ndalon miratimin e Nord Stream 2

22.02.2022 - 16:46

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të martën se Gjermania ka ndërmarrë hapa për të ndalur procesin e certifikimit të gazsjellësit Nord Stream 2 nga Rusia.

Ai u tha gazetarëve në Berlin se qeveria e tij po merrte masën në përgjigje të veprimeve të Rusisë në Ukrainë.

“Kjo tingëllon teknike, por është hapi i nevojshëm administrativ, kështu që nuk mund të ketë certifikim të gazsjellësit dhe pa këtë certifikim, Nord Stream 2 nuk mund të fillojë të funksionojë,” tha Scholz.

Shtëpia e Bardhë e ka mirëpritur njoftimin e Scholz dhe ka thënë se do të vazhdojë me masat e veta.

Scholz i quan veprimet e Putinit ‘të pajustifikuara dhe të pakuptueshme’
Kancelari gjerman e cilësoi njohjen e territoreve separatiste në Ukrainën lindore nga presidenti rus Vladimir Putin si “të pajustifikuar dhe të pakuptueshme”.

Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin irlandez Micheal Martin, Scholz tha se Moska duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e saj.

“Tani i takon komunitetit ndërkombëtar t’i përgjigjet këtij veprimi të njëanshëm, të pajustifikuar dhe të pakuptueshëm të ndërmarrë nga presidenti rus. Ne duhet të koordinojmë qasjen tonë … në mënyrë që t’i dërgojmë një sinjal të qartë Moskës se aktivitetet e këtij lloji nuk mund të mbeten pa pasoja.”

Scholz tha se nevojat e Gjermanisë për energji do të duhet të rivlerësohen nga autoriteti përkatës qeveritar.

“Departamenti i ministrisë gjermane të ekonomisë do të rivlerësojë sigurinë e nevojave tona për furnizim në dritën e asaj që ka ndodhur.”

Kancelari gjerman vazhdoi të nxiste diplomacinë si një mënyrë për të shmangur atë që ai e quajti një “katastrofë”.

“Në këtë fazë është e rëndësishme, përveç sanksioneve fillestare, të parandalohet një përshkallëzim i mëtejshëm dhe bashkë me të një fatkeqësi. Të gjitha përpjekjet tona diplomatike do të synojnë ta arrijmë këtë.”

Pse është i diskutueshëm gazsjellësi Nord Stream 2?
Ndërtimi i projektit të tubacionit ka përfunduar, por projekti kishte ende nevojë për certifikim rregullator nga autoritetet gjermane përpara se gazi të mund të shpërndahej.

Gazsjellësi ka qenë një burim grindjesh me SHBA-në, të cilat kanë shprehur shqetësimin se rrit varësinë evropiane nga Rusia për nevojat e saj energjetike.

Në fillim të këtij muaji, presidenti amerikan Joe Biden tha se nuk do të kishte asnjë shans që projekti të realizohej nëse tanket dhe trupat ruse kalonin kufirin me Ukrainën.

Në përgjigje të zhvillimit të fundit, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se SHBA kishte qenë në konsultim të ngushtë me Gjermaninë dhe e mirëpriti masën.

“POTUS e bëri të qartë se nëse Rusia pushton Ukrainën, ne do të vepronim me Gjermaninë për të siguruar që Nord Stream 2 të mos ecë përpara. Ne kemi qenë në konsultime të ngushta me Gjermaninë gjatë natës dhe mirëpresim njoftimin e tyre. Ne do të ndjekim masat tona sot.” – ka postuar Psaki në Twitter.

Nord Stream 2 do të dyfishonte sasinë e gazit që rrjedh nga Rusia në Gjermani dhe do të anashkalonte Ukrainën, për shkak të rrjedhës së saj përgjatë shtratit të Detit Baltik.

/Përkthyer dhe përshtatur për Konica.al nga Deutsche Welle

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


The Economist/ Epo...më mirë se sa mendohet!

Si do ta përballojë Evropa nëse Rusia ndërpret gazin e saj?

Çfarë opsionesh të tjera ka blloku europian?

A mundet gazi norvegjez të zgjidhë krizën energjetike?