MENU
klinika

GJYKIMI UNIVERSAL

Surealizmi: Bosch, mjeshtër “monstruoz”

16.03.2022 - 18:43

         Paraqitjet e pabesueshme të Hieronymus Bosch (1453-1516) gjithmonë e kanë magjepsur vëzhguesin, kurse historianët e artit i kanë shtyrë drejt interpretimeve gjithnjë e më të thella, madje në disa raste të çuditshme. Në ditët e sotme, tablo të ndryshme të piktorit flamand kuptohen sipas gjuhës së fshehtë, madje kombinohen me veprat surealiste të shekullit XX nga Salvador Dali. Nga ana tjetër, duke u larguar nga paraqitjet e botëve të errëta dhe të mbinatyrshme, është evidente se Bosch ishte një piktor epokës së vet i zhytur në kulturën popullore, nga e cila ka nxjerrë skenat që morën formë në kryeveprat e tij. Në disa imazhe, ai ka vënë përballë përulësinë fetare me humorin e mprehtë, që do të përfaqësojë fjalë të urta dhe idioma të kohës. Duke analizuar veprat e ndryshme të Hieronymus Bosch, shohim sesi ai arriti të pajtojë si skenat bukolike, ashtu edhe imazhet e pasura me detaje të lemerishme dhe groteske.

Ndër veprat më të rëndësishme të krijimtarisë së Bosch është “Gjykimin universal” (1504), aktualisht në koleksionin e “Akademie der bildenden Kunste” në Vjenë. Triptiku është nga të paktat vepra të krijuara në kohën e artistit, që arrin të ngjallë me kaq saktësi frikën që ndjejnë mesjetarët për fundin e botës. Vepra është e ndarë në tre panele, ku janë portretizuar skenat apikale të krishterimit. Ajo që artisti përshkruan është akti i parë dhe i fundit i historisë së madhe të njerëzimit, përmes një pasazhi që fillon me krijimin e qenieve të para njerëzore, Evës dhe Adamit dhe përfundon, sipas shkrimeve të shenjta, me “Gjykimin universal”, ku shpirtrat e njerëzve përçahen mes parajsës dhe ferrit.

Në panelin e parë, një peizazh i harlisur natyror është sfondi i krijimit të Evës nga brinja e Adamit , i ndjekur në sfond nga mëkati fillestar dhe, më pas, nga dëbimi i tyre nga parajsa tokësore. Zoti Atë mbretëron mbi gjithçka. Paralelisht me dëbimin e paraardhësve nga Edeni, në parajsë engjëjt mëkatarë, të udhëhequr nga Luciferi, bien nga parajsa, duke u shndërruar në demonë të tmerrshëm me trupa të zinj. Prandaj, fleta e parë e triptikut është përfaqësimi i asaj që ishte në fillim. Për të kuptuar saktësisht se çfarë këqyrim në dy panelet e tjera, është mirë t’i kushtoni kohë çdo detaji të paraqitur. Pika qendrore e “Gjykimit universal” nga Bosch është paraqitja e dhimbjeve të ferrit, të cilat mbulojnë një pjesë të madhe të panelit në mes dhe në të gjithë anësoret. Në pjesën e sipërme të panelit, e vendosur në qendër, një pamje e vogël e qiellit blu është selia e oborrit hyjnor. Mund të dallojmë: Jezu Krishtin gjykatës, Virgjëreshën Mari, Shën Gjon Ungjillorin dhe anash apostujt. Në raport me hapësirën e madhe kushtuar dhimbjeve të tmerrshme, ajo e të bekuarve është shumë më e përmbajtur. Motivimi për këtë zgjedhje kompozicionale qëndron në faktin se numri i shpirtrave të prekur nga hiri hyjnor është më i ulët se i mëkatarëve./Konica.al

Pjesa e poshtme i dedikohet tërësisht dhimbjeve të llahtarshme. Sfondi është i zymtë, me pak vezullime zjarri, që vijnë nga toka e thatë, ku gëlojnë personazhe fantastikë. Për të ndërtuar imazhin e botës së ndëshkimeve, Hieronymus Bosch ndjek fjalët e himnit të shenjtë të shek. XII (Isaia 43:10-21): “ai do të kulmonte ditën e zemërimit, ditën kur bota do të fundosej në hirin e nxehtë”. Skenat zhvillohen si jashtë, ashtu edhe brenda ndërtesave të gdhendura në shkëmb ose në tenda me ngjyra të ndezura. Mendohet se frymëzimi i piktorit flamand rrjedh nga “Apokalipsi i Shën Xhovanit”, shumë i studiuar në mesjetë. Ndoshta sfondi është lugina e Josafatit, në lindje të Jerusalemit, nisur nga disa indikacione të pranishme në Dhiatën e Vjetër (Joeli 4, 2 dhe 12), sepse besohej se gjykimi universal duhej të ndodhte në këtë vend. Nga bashkëkohësit e Boschit, këto shkrime të shenjta u lexuan me njëfarë shqetësimi. Ndryshe janë paraqitjet e tjera të atij momenti biblik, të tilla si gravurat në dru të Durerit.

Po ashtu, në panelin e djathtë të “Gjykimit universal”, ca të mallkuar të zhveshur nga të gjitha zotërimet, të cilët dallohen nga sfondi i zymtë dhe falë lëkurës së tyre të zbehtë dhe të ndritshme. Mëkatarët vuajnë nga dhimbje të tmerrshme të shkaktuara nga djajtë humanoidë të aftë të gëlltisin, mbysin, shpojnë dhe poshtërojnë të dënuarit, duke ndjekur ligjin dantesk të hakmarrjes. Disa nga këto ndëshkime mund të gjurmohen edhe në burimet letrare të përhapura gjerësisht në Mesjetë, përfshi “Komedinë Hyjnore” të Dante Aligerit, por, deri më sot, nuk e dimë me siguri se sa Bosch kishte rënë në kontakt të drejtpërdrejtë me veprën e shekullit XIV. Krijesat zoomorfe dhe antropomorfe rrjedhin nga një traditë ikonografike dhe letrare e populluar prej kohësh nga amfibë, humanoidë dhe dragonj që ushqehen me rropullitë e viktimave të tyre. Me këto figura, të cilat janë transformuar para syve tanë, Bosch ishte në gjendje të portretizonte në mënyrë efektive imazhet mesjetare të ferrit.

Hieronymus Bosch jetoi në gjysmën e dytë të shekullit XV dhe në fillim të shekullit XVI. Krijimtaria e tij artistike renditet në kontekstin e pikturës flamande. Pas lëvizjes së kryeqytetit të Dukatit të Burgundisë në Bruges, Flanders u bë një qendër kulturore shumë e rëndësishme për kohën dhe ndikoi në artin evropian, veçanërisht atë të gadishullit italian. Bosch ishte ndër piktorët më të njohur të periudhës, i cili u dallua falë kompozimeve mizëruar me personazhe karikaturë dhe fantastikë. Për më tepër, ai nuk iu referua temave të antikitetit klasik, ndryshe nga piktorët e tjerë të kohës së tij. Arti i Hieronymus Bosch është konsideruar nga shumë kritikë dhe historianë si burim frymëzimi për disa rryma artistike, që nga simbolizmi deri tek ekspresionizmi i mëvonshëm gjerman dhe më vonë, në lëvizjen surealiste./Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen