“Shanset janë që ajo të shfaqet ku dhe kur nuk e prisni. Gjithashtu, rrjedha e ngjarjeve komike në këtë superkomedi britanike, mund të marrë ritëm marramendës dhe argëtimi i audiencës të dalë jashtë kontrollit. I vetmi parashikim, do të jenë të qeshurat breshëri, ndërsa shpalosen ngjarjet e komedisë marramendëse”
Premiera mblodhi plot artdashës. Komedia “Kur ikën macja” erdhi në Teatrin Shëtitës “Çajupi” në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, me regjinë nga Kiço Londo.
Shumë e suksesshme, “Kur ikën macja” është komedia e autorëve britanikë Johnnie Mortimer dhe Brian Cooke. Komploti i komedisë thuhet në material rreth veprës është i thjeshtë, por i rrezikshëm dhe rrjedh si breshëri e pandërprerë automatiku.
Dy motra vendosin të shkojnë me pushime në Paris, ndërkohë që dy baxhanakët ftojnë në shtëpi dy kotele simpatike seksi. Pikërisht atëherë gjërat fillojnë të ndërlikohen. Për komedinë brilante të seksit “Kur ikën macja”, regjisori Londo, ka zgjedhur një kast fantastik dhe që i përmbush kërkesat e tij.
Në role, vijnë: Vin Bejleri, Andia Xhunga, Romir Zalla, Albana Koçaj, Ina Kollçaku dhe Rexhina Ibro. Ndërsa, vepra është përkthyer nga Artur Lena, skenografia Klea Mani, kostrumaografe Ersa Kana, as.regjisor Kristi Serani.
“Kur ikën macja”është premiera e parë e Teatrit Shëtitës, për vitin 2022.
Aktorët në role:
Vin Bejleri do të interpretojë Xhorxhin nursëz, një bashkëshort nën diktatin e gruas. Krejt padashje, ai përzihet në një situatë, me dy kotele seksi, nga e cila nuk shqitet dot. Kjo sjell ilaritet. Një mbyllje befasuese vjen pas spërdredhjeve e kthesave të shumta të kësaj shfaqje të shfrenuar, komike, energjike, që pritet të krijojë mbrëmje zbavitëse.
“Kur ikin macet” do të jetë një “shfaqje-rrëmujë” e gëzueshme. Mes këtij ritmi jo të zakonshëm, do të shihni Andia Xhungën, në rolin e gruas që ka vuajtur një kohë të gjatë dhe përgjërohet për pak ëmbëlsi nga i shoqi. Ajo dominon skenën dhe për ta mbajtur të shoqin në tutelë, ka një poçe, ku ai është i detyruar të hedhë para, për dënim sa herë flet në mënyrë të pahijshme.
Në rolin e burrit të varur nga seksi, shohim aktorin elegant Romir Zalla, personazhit të të cilit, i duhet të kalojë një sfidë duke rënë në kurthin e gjallë të provokimit me motrën e gruas, por duke mos harruar as sekretaren superseksi.
Albana Koçaj, ka marrë përsipër gruan pasanike të burrit të varur nga seksi. Do të shohim këtu, një aktore të mrekullueshme dhe mahnitëse në rol.
Në rolin e sekretares kotele, superseksi, të pirë dhe histerike, është zgjedhur aktorja Rexhina Ibro, të cilën, Londo e ka fort për zemër dhe pret që ajo të jetë mbresëlënëse.
Në rol, Ina Kollçaku – kotelja që do të luajë, por dhe të vrasë veten. Ina Kollçaku që është përfshirë në këtë grup me mirësjellje, optimizëm dhe një dozë pozitiviteti të habitshëm, ka marrë përsipër me guxim një nga kotelet e lojës së maçokut, kur ikën macja.
“Kur ikën macja” pati premierën në vitin 1977, në “The Pier Theatre” në Bournemouth, Angli dhe me një sukses të jashtëzakonshëm, në gjithë botën.