Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,
ku kam dashur mëm’e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qënë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpres,
ku kam dëshirë të vdes.
Poet i shquar, dramaturg, veprimtar patriot dhe demokrat shqiptar, Çajupi klasifikohet nga përfaqësuesit më të mëdhenj të letërsisë shqipe përparimtare. Vepra e iu kushtua patriotizmit luftarak, frymës demokratike, karakterit popullor, spontanitetit dhe realizmit në pasqyrimin e jetës, me një ndihmesë të çmuar në përparimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë sonë kombëtare.
Andon Zako Çajupi ka lindur në Sheper të Zagorisë (Gjirokastër). Në Nivan kreu mësimet gjysmë të mesme, të cilat i plotësoi në një lice francez në Egjipt, ku jetonte i ati. Më 1887, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi shkoi në Zvicër, atje kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit të drejtësisë. Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit në të cilin doli kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe. Më 1909 botoi shkrimin e njohur Klubi i Selanikut, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare.
Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj, e vunë Çajupin në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes, më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, që në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë, nga Ahmet Zogu.
Veprimtaria letrare
Pothuajse në të njëjtën kohë me veprimtarinë atdhetare, Çajupi e nisi krijimtarinë letrare. Më 1902 botoi librin “Baba Tomori”, një nga veprat më të shquara të letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Me këtë përmbledhje që dallohet nga fryma luftarake patriotike, demokratizmi i hapur dhe fryma popullore në brendi dhe në formë – Çajupi solli një ndihmesë të çmuar në pasurimin e letërsisë kombëtare. Në pjesën e parë dhe të dytë të librit, janë vendosur me radhë vjershat patriotike dhe ato me temë dashurie; vjershat me karakter shoqëror dhe fabulat e shqipëruara, janë përfshirë në pjesën e tretë të librit, që përmbyllet me komedinë e njohur “Përrallë nga e kaluara”.
“Baba Tomori”, që çel përmbledhjen, është një grishje e zjarrtë drejtuar bashkatdhetarëve që të zgjohen dhe të përpiqen për atdheun e robëruar. Patriotizmi i flaktë shquan edhe një varg krijimesh të tjera poetike, si “Mëmëdheu”, “Ç’jemi?”, “Ku kemi lerë?”, “Vaj”, etj, në të cilat duket brenga e poetit tek shihte që lëvizja nuk kishte marrë ende vrullin që ai dëshironte. Në një varg poezish kumboi me forcë thirrja për të rrëmbyer armët kundër robërisë shekullore të huaj (“Besa-besën”, “Shqiptar”, “Atdheu dhe dashuria” etj.). Dashuria e flaktë për atdheun është shkrirë në poezitë e Çajupi me urrejtjen e papërmbajtur ndaj armiqve të Shqipërisë, të cilët fshikullohen me forcë të veçantë satirike, si në vjershat “Sulltani”, “Punërat e Perëndisë”, “Greku dhe Shqiptari”. Në një sërë vjershash poeti foli për plagët shoqërore të fshatit shqiptar (“Fshati im”, “Kurbeti”, “Fyelli i bariut” etj.). i këndoi dashurisë si ndjenjë njerëzore e natyrshme. Pikëpamjet demokratike, te Çajupi gjetën shprehje në një varg vjershash ku goditet shtypja dhe pabarazia shoqërore, ngrihet lart e me dinjitet jeta e lirë (“Misiri”, “Varfëria dhe liria”). Rreth viteve 1903-1905, Çajupi përfundoi poemën “Baba Musa lakuriq”, që mbeti dorëshkrim. Në këtë vepër që zë një vend të rëndësishëm jo vetëm në krijimtarinë e poetit, por edhe në gjithë letërsinë demokratike, poeti parodizoi Biblën dhe në të njëjtën kohë, nëpërmjet legjendave biblike, trajtoi një varg problemesh të mprehta politike të kohës, goditi moralin hipokrit dhe një varg shfaqjesh negative të shoqërisë me klasa.
Në historinë e letrave shqipe, Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij: “Përralle nga e kaluara” dhe “Pas vdekjes” (shkruar më 1910, botuar më 1937), me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij lloji në letërsinë tonë. Në komedinë e parë, autori vuri në lojë me një humor të lehtë mentalitetin dhe zakonet prapanike të fshatit shqiptar, tablo që e solli me ngjyra të gjalla dhe plot detaje të goditura jetësore dhe etnografike. “Pas vdekjes” është një komedi politike, ku përmes situatave komike të gjetura mjeshtërisht, përshkroi me sarkazëm dërrmuese portretin e politikanit që bënte lojën e xhonturqve në gjirin e lëvizjes patriotike shqiptare. Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia “Burri i dheut” (botuar më 1937).
Çajupi u mor edhe me përkthime. Përveç një varg vjershash dhe fabulash, që botoi në “Baba Tomori”, më 1921 sheh dritën e botimit “Përralla të zgjedhura”: të vjershëtarit të madh La Fontenit, ku, nisur nga kërkesat ideore të shoqërisë shqiptare, rrahu me mjeshtëri çështjet politike, ato shoqërore dhe morale të kohës, satirizoi veset njerëzore dhe shfaqjet negative të shoqërisë me klasa, si grabitjen, mashtrimin, dhunën etj.
Ka botuar:
Më 1922: “Lulet e Hindit”, përmbledhje me vjersha të poetëve indianë.
“Baba Tomori” që ndahet në tri pjesë: “Dashuria”, “Atdheu” dhe “Përralla të vërteta dhe të rreme” (Kajro, 1902)
“Dhjata e vjetër e shfaqur” – satirë ose “Baba Musa lakuriq”
“Burri i dheut” – tragjedi (1908) “Pas vdekjes” – komedi, “14 vjeç dhëndër”
Rlindja Kombëtare Shqiptare pati frymën, mendjen e penën e hollë, dashurinë e pamatë për atdheun të të tilla personaliteteve, falë të cilëve, ne jemi Komb dhe flasim Shqip…
*Fotografia kryesore: Çajupi me të birin, Stefanin