MENU
klinika

Nga Frrok Çupi

1 Metë + 1 mm më shumë

06.04.2022 - 11:03

Nga Frrok Çupi

Është hapur lajmi se njerëzit përgjegjës po mblidhen për të caktuar një njeri që do të jetë presidenti i ri i Republikës, pas Metës. Fillimisht kanë lëshuar një vizatim në ajër dhe që e quajnë ‘arketip i presidentit të ri’. Fjala ‘arketip’ zakonisht përdoret për kriminelët; vizatimi ndihmon njerëzit që ta dallojnë të kërkuarin në ndonjë metro apo në ndonjë manifestim. Por edhe në këtë rastin e presidnetit, fjala ‘arketip’ mund të përdoret njësoj.

Kur thuhet zyrtarisht se ‘arketipi i presidentit të ri duhet të sigurojë që të mos jetë si Meta, por më i mirë’, atëherë këtu duket se po thurim, jo një arketip politik, por një përrallë. Përralla mund të vlente për të vënë në gjumë fëmijët, me siguri.

1.Pjesa e përrallës

Ishte një president që tani e tutje as ka për të qenë e as mos qoftë më. Ai ishte rritur nëpër male, ku kishte parë desh e cjep me brirë të mëdhenj…; kishte luajtur edhe me sfurqe dhe me kosore. Kur kishte ardhur në qytet, kishte bërë si kishte bërë dhe ishte futur në një studio televizive për të transmetuar ndeshje sportive. Ca djem aty në studio i kishin ofruar një mikrofon të fikur, sa për provë. ‘Jo- kishte thënë ai- nuk më duhet, unë transmetoj edhe me bishtin e fshesës’. Dhe kështu bëri duke lëvizur nëpër studio.

Pastaj u bë president. (Fëmijën sapo e kishte zënë gjumi, deri në këtë moment)… U bë president dhe shpalli luftën e Ukrainës; luftë ukrainase por pa Ukrainë. Në vend të Ukrainës mori Kushtetutën. Doli rrugë më rrugë, nga një kazan rakie te tjetri, nga një vilë te tjetra, nga një mace te një qen…, dhe deklaroi se ‘do të mbronte Kushtetutën’. Kushtetuta iu bë si një lëmë me fasule në fshat dhe ky natë për natë ndizte zjarre rreth lëmit që të mos i vinte njeri. Po kush, vallë, po ia sulmonte Kushtetutën? Askush nuk e kishte mendjen, askush nuk shihej rreth lëmit.

Megjithatë, presidenti mblodhi sfurqe, sëpata, kosore dhe bisturi, si dikur në fshat. Fillimisht bërtiti me zë të lartë, teksa bënte roje natën, bërtiti e tha se do ‘t’i priste duart’ atij që do të zgjatej për nga fasulet… Më vonë u bë më i egër dhe u bëri thirrje njerëzve të popullit: ‘Rrëmbeni kosore, sfurqe e kmesa…, se po na prekin lëmin e kushtetutës’.

… Ja, kjo ishte përralla e gjumit.

Po pyetja me sy hapur: Vallë cila do të jetë njësia matëse për të gjetur një president pak më shumë se Meta?! Për shembull sa milimetra?, 1 mm? Apo më shumë?. E çë pastaj, pse do ta ketë kosoren 1mm më të gjatë? Prapë një Metë tjetër do të jetë!

Definicioni se ‘na duhet një tjetër jo si një Metë’, është definicioni më i humbur, më i djallosur, më i pashpresë dhe më i ulët në këtë botë. Po si mund ta thonë, vallë? Ja e thanë, po vallë si mund ta masin 1 mm më i gjatë se Meta?

2. Pjesa e pamatshme

Presidenti i Republikës ka përpara hapësira të pamatshme. Nëse do të kufizoheshin vetëm me hapësirat rreth Metës, atëherë do të na mjaftonte një insekt si president, sado i shkathët, por një krijesë e vogël. Presidenti Meta nuk arriti kurrë ta duronte dritën që vjen nga horizonti i kombit dhe i vendit të vet. Gjithë moto e tij ishte përgjysmimi, pjesëtimi, thërrmimi i tërësisë së hapësirave kombëtare. Kjo qe arsyeja që zhvilloi teorinë e ‘popullit të 2 marsit’. Sapo kishte bërë thirrje kosoresh, menjëherë disa njerëz të çuditshëm i erdhën para zyrave në Tiranë, ky doli e bëri veprime sportive si me bishtin e fshesës…, dhe u kënaq me popull të pjesëtuar… Nuk mund të duronte më shumë se kaq.

Tani, vallë, presidenti i ri do të jetë ‘1 mm’ më i gjatë se ky në hapësirë? E çë pastaj, ça u bë më mirë se ishte?

Presidenti Meta, bashkë me ish- presidentin Berisha, fshehurazi prenë një kostum të ri për kombin dhe popullin tonë. Për herë të parë që nga Bibla, një pilar politik shqiptar u shfaq si kallauz kundër Perëndimit, dhe ky u spekulua si ‘kostum kombëtar’. As në kohët më të këqija, populli shqiptar nuk kishte përfytyruar ndonjë ‘president’ që të ngrinte flamurin anti- Perëndimor. Por ja që këta të dy e bënë.

Këta ndërtuan paradigmën: Gjysma e popullit me Amerikën dhe gjysma kundër!.

Nëpër mbetjet e LSI dhe nëpër llafollogjitë e Foltores po lëvrin fjalori më i ashpër dhe më i ndotur kundër qeverisë amerikane, kundër shtetit amerikan, pro- rebelëve të Bashkimit Evropianë, pro zërave në favor të Putin dhe kundër Zelenskyt… Vallë si mund të vizatohet një arketip i presidentit pas këtij, që gjasme mjafton të jetë pak më ndryshe se Meta? Kjo do të ishte asfiksuese. Por edhe ide idiote.

Nuk e shikojnë këta se dhjetëra fëmijë po japin jetën në Ukrainë nën armët mizore të Putin? Mijëra të tjerë janë burra e gra, por prapë jetë njerëzish. E për çfarë? Në  fund të fundit: Për të mos lejuar që vija botërore ‘kundër Perëndimit’ të kalojë këndej Ukrainës…, ndoshta edhe drejt Shqipërisë…

Po vallë ‘içikë më shumë se Meta’ na u dashka Presidenti i ri?… Apo içikë ‘Putin’ këtu me fytyrën e presidentit të ri?

Na duhet rrënjësisht tjetër; ndoshta edhe racërisht tjetër në kuptimin e ‘racës politike’.

Atje po ndërtohet një rend i ri botëror, mundësisht pa hajdutë e kosore në krye të shtetit… Këtu kërkojmë ‘1mm më shumë se Metë’. Po ç’është kjo?…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Nuk i ka sjellë asnjë të mirë vendit dhe është rrezik për paqen“

Frrok Çupi: Berisha ‘tirani’ i fundit në Ballkan pas Millosheviçit

“Kur të hapet pakoja, do shohim monstruozitete”

Frrok Çupi: Berisha ka zgjidhur qeset e parave! Meta po na fyen