Nga Sven Aurén/ Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.
Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.
GJARPËRUSHJA DREDHON DREJT VERIUT
Gratë mbajnë në kokë një kapuç të zi të vogël, me rrudha, gjoksi është mbuluar me vargje sermi, medaljone dhe kopsa. Të gjithë burrat kanë breza mbështjellë rreth belit, me bojëra të kuqe të forta. Disa nga ta edhe kanë lidhur copa stofi, rreth qeleshes dhe duken si arabë. Gratë me rrobat e tyre të ngrira, të shëmtuara dhe qymyr të zeza, balluke të drejtat, që të shkon mendja tek eskimezët e Groenlandës. Ata pak etnografë, të cilët kanë marrë mundimin të studiojnë, këtë paradën e ngjyrave të veshjeve, duhet të kenë pasur ndjenjën sikur të ndodheshin në parajsë.
Vështroi ata dy burrat atje matanë, të cilët blejnë pak ujë freskues, prej shitësit të ujit, me enën e tunxhit shkëlqyes! Kjo s´është rastësi, që pantallonat e njërit nga burrat, qëndisjet e zeza, ndjekin dredhje ndryshe nga të atij tjetrit. Çdo bajrak, çdo katund, ka dispozita të detajuara se si duhet të jenë rrobat e burrave dhe të grave. Kjo është një shkencë e tërë, të dallosh dhe klasifikosh variantet e pasosura të veshjeve shqiptare, një shkencë, e cila do të ishte e mjaftueshme, për t’i siguruar famën një hulumtuesi të zellshëm.
Por neve, që nuk jemi etnografë, por veç disa suedez te thjeshtë, që kemi fatin të udhëtojmë, në një vend të harruar, s´brengosemi për finesat e variacioneve. Neve kënaqemi nga madhështia e ngjyrave argëtuese, të rrugës së pazarit dhe mendojmë mbi të çuditshmen, se këtu në një qytet të vogël, në afërsinë e detit Adriatik, kemi rastin të përjetojmë një treg të lindjes, me famë dhe atmosferë, si një përrallë e vjetër persiane. Pasi hyri kapela sportive në Kostandinopojë dhe e ktheu pazarin e qytetit të Bosforit, në një kopje turke të pazarit të vjetërsirave të Parisit, pazari i Shkodrës, është bërë i fundit i Europës.
Sa vjet do t´i duhen para sa t’i zhduken ngjyrat, mallrat të industrializohen, para se njeriu të kënaqet me imagjinimin e ish-shkëlqimin, për ndonjë “Skansen” në Tiranë? Dhe sa gjatë turistët ende do të blejnë objekte arti shqiptare, më çmime të larta, në dyqanet e bukur të Raguzës, në vend që vetë të kërkojnë atë orient, që asnjë nuk flet për të? Në pazarin e Shkodrës, të huajt kalojnë në ekstazë nga pelerinat e qëndisura, mrekulli përpunimi armësh, filigrame të hijshme. Por të huajt përbëhen në rastet e shumta, prej blerës jugosllav, të cilët janë të sigurt se turistët e rivierës dalmate, më qejf paguajnë blerjen e tyre, me çmime shumëfishe, blejë dhe blejë kështu, që pazari së shpejti do të boshatiset.
Në mbrëmje na ftoi Koliqi në një darkë të vogël. Për të na bërë një respekt të veçantë, darka nuk do të hahet në mensën e zakonshme të këtij restoranti, por në sallën e festës, ku i zoti i saj, mjaft i kujdesshëm, kishte vu një tavolinë shkatarraqe, në mes të një dhome, sa një det. Aty nuk ka asnjë mobilie tjetër, përveç kësaj tavoline dhe tri karrigeve. Grupi ynë i vogël, është një oazë i këndshëm në një shkretinë, pa mbarim. Kamerieri paraqitet si një vegim larg në horizont, kur ai nis hapin me ato pjatancat e përmbushura.
Por nëse salla e madhe është bosh, tavani është më solemn. Gjatë një spangoje të tendosur, janë dredhur shirita të kuq, të verdhë dhe të gjelbër në një masë të përzier. Kur unë, siç e kërkon etiketa, propozova një dolli për Mbretin Zog të Shqipërisë dhe Koliqi xhentil e kthen, duke propozuar një tjetër për Mbretin trim, Kristian, të Suedisë, më pas pyes për dekorimin e tavanit.
-Ato janë akoma varur që kur këtu, patëm një ballo maskash para katërmbëdhjetë ditësh, na sqaroi zoti i darkës.
Në fakt unë di se Shkodra muhamedane, gjithsesi është një shoqëri mjaft e avancuar, se marrëdhëniet midis gjinive, lejojnë organizim festash, ku dama dhe zotërinjtë, vijnë së bashku si mysafirë, por sqarimi m´u duk i çuditshëm. Kur një zonjë perëndimore, do shkojë në ballo maskash, atëherë ajo merr një karakter të thjeshtë muhamedan, duke mbuluar tiparet e fytyrës. Po çfarë bën një grua muhamedane, e cila është gjithnjë e maskuar? Pash zotin, po si bëhet në një ballo maskash muhamedane?
Por Koliqi, ngrenë gotën, ngrenë një shëndet për të ardhshmen e Shqipërisë dhe s´duket i gatshëm, të diskutojë problemin e ballos së maskave shqiptare. Neve ndërrojmë temë dhe argumentojmë për Shqipërinë e sotme dhe Shqipërinë e djeshme, e mbi të ardhshmen e shteteve të vegjël, në një Evropë të tensionuar dhe intrigante.
***
Një mëngjes me diell, shkojmë me veturë në aeroportin e madh, i cili shtrihet ndonjë kilometër jashtë qytetit. Aerodromin i’a ka falur natyra Shkodrës: një djerrinë e gjerë, ngjyrë të gjelbër e çelët, në njërën anë kufizohet nga pasqyra e ujit blu të Liqeni të Shkodrës, nga tjetra, masivin e fuqishëm të alpeve me ngjyra të ndryshme fashinacionesh. Gjatë përpjetësirës së pare, ngjyra e malit, shkon si një përzierje prej grije dhe tjegulle, më lart absorbohet ajo lloj boje e çuditshme, prej hijeve madhështore blu në të errët dhe sipër fare, ku qielli është i qartë dhe shndritës, hijet shndërrohen në dëborë të bardhë verbuese.
Poshtë malit, në qoshin e skajshëm të aerodromit, rrjedh Drini i varfër në ujë dhe i ngadalshëm në shtratin e tij të thellë. Një urë e vjetër veneciane, ndihmon rrugën kombëtare përmbi në anën tjetër të lumit, një urë kaq e bukur dhe harmonike me ndarje të mrekullueshme, të qemerëve dhe harqeve, duhet të theksohet si një nga vlerat më të mëdha për të parë, Shkodrën. Unë kam pa shumë ura të bukura në këtë vend, që është veçantia e urave romantike, por asnjë kaq e shkëlqyer si kjo.
Veç se në çfarë mënyre është vendosur dhe futja brenda në peizazhin e egër, duket më tepër përrall, se sa realitet. Ah, sikur të mund të ulesha këtu një mbrëmje në muzg dhe të shoh katundarët piktoresk, të kthehen në shtëpi në malet e tyre, në një rresht mbi kurrizin e saj të ngushtë! Duhet të jetë një siluetë fantastike. Përveç kësaj nuk jam i vetmi, që admiroj urat e Shqipërisë. Shqiptarët vetë i duan po aq shumë dhe kanë zgjedhur një nga to, për motiv në kartëmonedhat e tyre.
Po, lamtumirë urë e bukur e Drinit! Në mesin e djerrit të gjelbër, ngrihet godina e thjeshtë e zyrave të firmës së fluturimeve dhe në shtyllën e saj, me treguesen valëvitëse tradicionale, të drejtimit të fryrjes së erës, si një ballonë festive japoneze. Pranë qëndron tashmë gati për nisje, aeroplani me krah të bardhë argjendi dhe me ushtimën e propileve. Kjo është një makinë, shumë e mirë me pajisje elegante dhe vend për gjashtë pasagjerë. Ata zotërinj, që neve i kemi besuar jetën tonë, janë dy pilotë Italian, me mustaqe të holla elegante dhe duart me mjaft kurim.
Aeroplani dhe firma fluturuese janë gjithashtu italiane. Çmimi i biletave është i ulët. Rruga Shkodër – Tiranë, kushton vetëm 15 franga flori. Tani jemi ulur në kolltukët tonë të rehatshëm dhe qeshim me Koliqin, i cili qëndron jashtë dritares së kabinës dhe na uron udhë të mbarë, si me shami dhe me kapele. Zhurma e motorit bëhet ca më e fortë. Fusha e gjelbër me zyrat e firmës së aeroplanëve dhe miku ynë, duke gjestikuluar ulen papritmas poshtë nesh dhe me shpejtësi të furishme, vërsulemi brenda drejt në rrugën e alpeve të larta.
Kur unë hap sytë përsëri, jemi shumë lart në kozmos, lart mbi liqenin blu të Shkodrës dhe qytetin e bardhë. Rrugë, shtëpi dhe kopshte tkurren fare dhe zhduken. Rozofati reduktohet në një bregore kaba, në shpatin e zhveshur të Taraboshit, rrugët ushtarake formojnë një model varrash të holla. Nga perëndimi, shoh detin e gjerë Adriatik dhe barka të vogla peshkimi, me vela të kuqe në të errët.
Brenda mbi vendin e Shqipërisë, shushurit zogu ynë.
Atje poshtë zvarriten vargmalet gjigante si, gjarpërinj të trashë, të muzgëta, të zhveshura, jo mikpritëse, pa ndërtime. Në ato luginat e ngjeshura, ndriçon gjelbërimi dhe atje unë shoh edhe nga një arë fshatare, me magazinën e misrit, stivuar në kasolle prej kashte, të cilat duken si koshere bletësh, prej këtu nga pik-vërejtja ime në ajër. Mbi ato malet gri të zeza, zgjatet një gjarpërushe e gjatë, sikur të jetë hedhur një lëmsh peri kuturu. Ka një pamje serioze ky peizazh, një fytyrë mbushur me rrudha. Nuk është ai lloj peizazhi, që tërheq buzëqeshje miqësore, në buzët e spektatorit ose e ve atë në atmosferën e një romantizmi idilik.
Kjo është një tablo, që atij do t’i dukej pa mbarim e kotë dhe pambarim impresionuese. Por ka magjepsjen e vet, këto alpet e ashpra, me ravinat e tyre vertikale dhe hijet lëvizëse të errëta në blu. Ato kanë magjepsjen e rrezikut të pa përballueshëm. Anglezët e ngopur nga shëtitjet e botës, zakonisht herë pas here, vijnë këtu për të kërkuar romantikën e izolimit. Unë i kuptoj ata shumë mirë, po ashtu sikurse kuptoj edhe Mrs. Haslock prej Elbasani, kur ajo përkundet rrugës në gomar, përgjatë shtigjeve krejt të fshehura të shkëmbinjve. Kjo është aventura, që ma bën me dorë këtu thellë nën mu.
Njeriu ka zakon të thotë, se koha rri në vend. Ndoshta shprehja është bërë pak e konsumuar nëpër qoshet, por në këtë terrenin malor, koha ka mbetur në vend, deri në atë gradë, sa ajo e ka humbur kuptimin e saj. Shtëpitë e vogla, duken njësoj sikurse dukeshin para njëqind ose dyqind vjet përpara. Banorët e saj vishen dhe jetojnë, sipas të njëjtave kushte, tani sikur atëherë, sipas të njëjtave ligje të pa shkruara, por të gjalla. Mali u ka dhuruar atyre vështrimin për jetën, ka krijuar këto koncepte të rrepta, të pa komprometueshme, mbi nderin dhe dinjitetin, kanë çimentuar forcë në krahët e tyre dhe çelik në gjykimin e tyre. Tradita, varfëria, natyra i ka kthyer bijtë e maleve, në personalitete.
Thash unë bijtë e maleve?
Kjo është gabim. Shqiptarët s´janë bijtë e maleve, por të shqiponjave, ato shqiponjat krenare shqiptare, të cilat qëndrojnë si të derdhura, në hekur në thepat e gurëve ose fushkullojnë përposht, në gryka për gjueti. Në gjuhën shqipe, nuk ka asgjë që quhet Albania. Shqipëri, quhet vendi dhe shqiptar, quhet albani. Shqipe, do të thotë ‘ërn’ dhe shqiptar, është “prejardhje shqiponje”. Një emër krenar, i një populli krenar. Albaner, është një emërtim krejtësisht evropian për popullin shqiptar. Turqit i quani arnaut. Veten ata e quajnë siç thamë, shqiptarë, megjithëqë ky emër përdoret vetëm brenda vendit. Në sy të botës, shqiptarët janë albanes dhe e përdorin këtë fjalë, kur ata flasin me të huaj.
Ne e kemi kaluar Krujën, por vendi i aventurave, ende është po njëlloj. Pa ndaluar, shpate malesh të reja, ngrihen lart në horizont, është vetëm forma e siluetave që ndryshon. Si një mace e zemëruar, shtrembërohet një urë origjinale shqiptare, mbi një hendek të errët dhe në kurrizin e ngushtë të asaj ure, duken tre burra mbi kuaj. Janë tre malësor, në rrugë për Tiranë. Të tjerë njerëz nuk po shoh.
Por unë e di, se njerëz ka dhe unë i njoh aftësitë e tyre, ndjenjat e tyre fisnore dhe solidaritetin e klanit. Ndoshta bile janë byrazer gjaku, ata kalorësit atje poshtë. Byrazerllëku, është një realitet i gjallë, njësoj si gjakmarrja, në vendin e shqiptarëve. Veçanërisht, këtu në veri të Shqipërisë, dëshirojnë të lidhin miqësinë më të fortë, që njeh tradita ballkanike. Unë kam dëgjuar për këtë vëllazëri gjaku, të flitet në shumë raste, dhe në Shkodër, arrita të informohem përsa i përket ceremonisë së këtij akti.
Por nuk qe Koliqi, që më dha mua ato informata. Koliqi e konfirmoi krejt shkurt, ekzistencën e byrazerllëkut, por s´donte me hy në detaje të temës. Si gjithë shqiptarët e arsimuar, mendonte ai se byrazerllëku i takonte atij zakonit shqiptarë, me të cilin një i huaj, nëse është e mundshme s´duhet të konfrontohet. Qe një tregtar i thjeshtë, por që dinte gjuhë, i cili më tregoi mua për ato forma, që duhet të ndiqen, që dy burra të bëhen vëllezër gjaku.
Mënyra është kjo: çdo njëri nga palët, lidhin një rrip lecke rreth gishtit të vogël të dorës djathtë. Pastaj pritet pjesa e pambrojtur e mollëzës së gishtit, me një thikë, kështu që shkaktohen dy plagë të mira. Gjaku pikon në një gotë të madhe me raki, e cila pastaj pihet nga të dy së bashku. Me këtë është vendosur vëllazëria e gjakut dhe fisi zakonisht, organizon një gosti për të festuar bashkimin dhe obligimet e marrura. Obligimet janë shumë të rëndësishme: jeta e byrazerit, është më e vlefshme se e vetes, gruaja e byrazerit, është akoma më e pa cënueshme, se e vëllait të një barku, byrazerllëku, ka përjashtuar mundësinë e gjakmarrjes, midis njëri tjetrit.
Por, më sqaron ky burri i informuar, byrazerllëku si i tillë, nuk është ndonjë veti tipike shqiptare. Kjo ri gjendet në shumë shtete të tjerë të Ballkanit dhe njihen me emrin sllav, probatini. Nga ana tjetër, thjesht shqip, është tradita e kumbarëllëkut, e cila themelon një nga efektet, po aq të forta bile edhe më të forta bashkimi, por e cila lidhen ndryshe. Kumbarë bëhesh, paraqitet dëshira dhe nderimi, që në fillim të marrish flokët e fëmijës më të vogël, të mikut.
Ceremonia zakonisht festohet kur fëmija mbush moshën një vjeç, maksimal dy vjeç. Nëna dhe baba i fëmijës së bashku me fëmijën, shkojnë në shtëpinë e mikut dhe pasi kanë marrë dhurata të ndryshme, zakonisht një mantel të bukur dhe një bukë shumë të nxehtë, i pret flokët miku fëmijës, të cilat pastaj i djeg. Ai është tani kumbarë i babës së fëmijës, e cila do të thotë, ai i qëndron më afër se vëllazëria dhe ai në cilësinë e anëtarit të nderit të familjes, lejohet të hyj në harem, diçka që me përjashtim të të zotit të shtëpisë, është e ndaluar për cilindo burrë qoftë.
Shumë herë lidhen këto vëllazëri ndërmjet burrash, me religjione përkatësisht të ndryshme. Tradita e kumbarës, është ngritur mbi çdo lloj ndasie fetare. Natyrisht që nuk ka munguar kundërshtimi kundrejt këtij zakoni. Veçanërisht kisha katolike, ka bërë përpjekje të mëdha, për ta nxjerr traditën e kumbarllëkut, jashtë përdorimit, por të paktën deri tani, pa sukses. Një burrë shqiptar duhet të ketë një kumbarë. Këtë e kërkon prestigji./ Memorie.al
****
Letra:
Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.
Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.
Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumanshme.
Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.
Me shumë respekt
Adil Biçaku