Kjo foto ishte përzgjedhur nga Liga Profesioniste e Serie A në Itali. Në fakt, fqinjët tanë nuk e lidhin me kombësinë e dy futbollistëve në foto, mbrojtësit shqiptar Elseid Hysaj të Napolit dhe mesfushorit-sulmues serb të Lazios, Sergej Milinkovic-Savic.
Mediet italiane shkruajnë se si mbrojtësi shqiptar Hysaj arriti të ndalte yllin e kampionatit italian, që sot ka arritur vlerën e 120 milionëve eurove. Igli Tare e ka zbuluar serbin Milinkovi-Savic dhe nuk bëhet fjalë për urrejtje etnike, por kur diferencat financiare zerohen në fushën e lojës.
Mbrëmjen e djeshme Napoli ka fituar përballë Lazios në shtëpinë e kësaj të fundit. Në fillim shënuan kryeqytetasit me Immobile, por miqtë përmbysën gjithçka me Milik dhe Insigne.
E megjithëse këta futbollistë ishin protagonistë, faqja zyrtare e ligës italiane ka preferuar që rezultatin ta pasqyrojë me një foto te Hysajt dhe Milinkovic-Savic. Në këtë ndeshje për 90 minuta, përveç Hysajt, luajti edhe portieri shqiptar Thomas Strakosha, i pafajshëm në dy golat e pësuar.