MENU
klinika

Champions League

Benzema sërish hero, kualifikon Real Madrid

12.04.2022 - 23:33

Real Madrid nuk “vdes” kurrë. Edhe pse me humbje 2-3 dhe me vuajtje ndaj Chelsea, Los Blancos kalojnë në gjysmëfinale dhe do të ndeshen me fituesin e ciftit Manchester City-Atletico Madrid. Madrilenët e bënë dramatike, pasi ndeshja shkoi në shtesë.

Zhbllokimi i takimit erdhi që në minutën e 15-të me Mason Mount. Lojtari ishte mjaft i saktë, duke çuar topin pas shpinës së Courtouis. 5 minuta më pas, Carvajal ka mundësi të vendosë ekuilibrat, por nuk shfrytëzon siç duhet një top të ardhur për të brenda zonës.

Në të 35-tën, Rudiger tenton të dyfishojë shifrat, por goditja e tij tregon se nuk është një sulmues. Rudiger realizon sapo fillon e dyta. Blutë e Londrës marrin zemër dhe gjejnë edhe golin e 3-të me Werner në 75′.

Por kur u duk se Chelsea siguroi kualifikimin, Los Blancos zgjohen me Rodrigon në të 80-n, duke ngushtuar në 1-3. Nuk ka më gola dhe për pasojë ndeshja shkon në shtesë, pasi edhe ndeshja e parë në Londër kishte përfunduar më këtë rezultat.

Në kohën shtesë, gjashtë minuta pasi kishte nisur e para, madrilenët gjejnë golin me të përhershmin Benzema, duke i çuar shifrat në 2-3. Mjaft efikas sulmuesi i Realit, që kthehet në vendimtar. Kësaj here ai shënoi me kokë.