MENU
klinika

Analiza

Pse Gjermania e ka kaq të vështirë të shkëputet nga Rusia?

19.04.2022 - 13:00

Lufta në Ukrainë javët e fundit është transformuar. Për shkak të një sërë faktorësh (mes të cilëve edhe pak mbështetja fortë e Perëndimit), Kievi ka arritur ta frenojë ofensivën e Moskës, duke e detyruar ushtrinë ruse që të riorganizohet.

Por me afrimin e fazës së dytë të konfliktit, e cila do të prekë kryesisht zonat në juglindje të vendit, Evropa po diskuton se si do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën, duke vlerësuar sanksionet shtesë, dërgimin e armëve, si dhe strategjitë për reduktimin e varësisë energjitike nga Moska.

Gjermania është ende në qendër të vëmendjes, ashtu si në ditët e para të pushtimit. Kjo pasi  Berlini ka një marrëdhënie ekonomike historike me Moskën, nga e cila është shumë e varur për sa i përket furnizimit me energji.

Kjo tendencë u zgjerua gjatë qeverisjes së Angela Merkel, që i ka rrënjët tek Ostpolitik-a gjermane, një strategji e politikës së jashtme që bazohet në supozimin se marrëdhëniet gjithnjë e më të ngushta ekonomike midis Evropës dhe Rusisë, do ta bënin të pamundur rritjen e tensioneve gjeopolitike dhe ushtarake.

Por me pushtimin e Ukrainës, ky skenar rezultoi të ishte iluzion. Qeveria e udhëhequr nga Olaf Scholz, e përbërë nga socialdemokratët, të gjelbrit dhe liberalët, ka nisur atë që është komentuar nga shumë analistë si një kthesë e madhe e politikës së jashtme gjermane, dhe të cilën vetë kancelari e ka quajtur një pikë kthese epokale.

FILE PHOTO: Russia’s President Vladimir Putin talks to German Chancellor Angela Merkel during the G20 leaders summit in Hamburg, Germany July 7, 2017. REUTERS/Philippe Wojazer/File Photo

Berlini ka bllokuar licencimin e gazsjellësit të diskutueshëm “Nord Stream 2”, pasi e prezantoi për vite më radhë si një projekt thjesht ekonomik, pa asnjë lidhje me planet gjeopolitike. Më pas, u thyen edhe dy tabu të mëdha gjermane: rritja e shpenzimeve ushtarake, me sigurimin e një fondi të posaçëm prej 100 miliardë dollarësh, si dhe rritja e shpenzimeve të mbrojtjes në nivelin 2 për qind të PBB-së, si dhe dërgimi i armëve në zonat e konfliktit, nëpërmjet dërgesa të armëve në Ukrainë.

Megjithatë, me nisjen e fazës së dytë të luftës, Gjermania po përballet me disa zgjedhje të vështira, gjë që ka nxitur konfliktet e brendshme si dhe fërkime me partnerët evropianë. Çështja e varësisë energjetike nga Moska mbetet e hapur, sidomos sa i përket gazit natyror, një burim thelbësor për Berlinin nëse dëshiron që të arrijë objektivat e tij energjetike dhe klimatike deri në vitin 2040.

Në Evropë, presioni për të pezulluar importin e gazit rus po rritet nga qarqe të ndryshme.

Por Gjermania po heziton. Scholz është shprehur në Këshillin Evropian kundër ndalimit të importit të gazit, duke e kushtëzuar BE-në në tërësi.

Ky veprim po shihet me dyshim nga vendet e ndryshme të Evropës Lindore, të cilat po lobojnë për të ndalur importet, dhe që për më tepër është në kontrast të hapur me Parlamentin Evropian, i cili në seancën e fundit plenare miratoi një rezolutë në të cilën kërkon heqjen dorë nga energjia ruse.

Është e qartë se ndalimi i gazit rus, do të kishte pasoja të mëdha për ekonominë gjermane, dhe qeveria është e shqetësuar për skenarin e një recesioni. Dy ditë më parë, ambasadorja gjermane në Uashington, Emily Haber, u shpreh në një postim në Twitter se ndalimi total i gazit rus “do të kishte pasoja të rënda, që do të shtriheshin përtej Gjermanisë”, ndërsa “nuk është e qartë se çfarë efekti do të kishte mbi Rusinë për shkak se Putini nuk duket se mendon sipas një analize të kostove dhe përfitimeve”.

Ndërkohë Scholz dhe Habeck (Ministri i Ekonomisë), e kanë bërë të qartë për publikun se sanksionet tashmë të vendosura do të kenë pasoja në ekonominë e vendit: “Ne do të bëhemi më të varfër, dhe shoqëria jonë do të duhet të përballet me këtë fakt”- tha Habeck në një intervistë për televizionin ZDF.

Është e qartë se bllokimi i importeve nga Rusia do të ndodhte në një kontekst kompleks dhe do të kishte ndikim në opinionin publik. Por nuk është e sigurt nëse gjermanët janë kundër masave më drastike ndaj Rusisë. Në një sondazh të kryer për WDR, 50 për qind u shprehën në favor të bllokimit të importeve të naftës dhe gazit rus, dhe vetëm 42 për qind ishin kundër (në rënie nga sondazhi i mëparshëm).

Prandaj opinioni publik gjerman është shumë i ndarë mbi këtë çështje. Sipas të njëjtit sondazh, 45 për qind e gjermanëve mendojnë se përgjigja e Gjermanisë ndaj Rusisë nuk ishte e mjaftueshme, 11 për qind e cilësojnë atë të tepruar, dhe 37 për qind të përshtatshme.

Prandaj, çdo zgjedhje e bërë lidhur me çështjet energjetike, mund të rëndojë mbi qeverinë aktuale në aspektin e konsensusit. Për më tepër, brenda shumicës qeverisëse ekzistojnë dallime në lidhje me dërgimin e armëve. Ministrja e Jashtme nga të gjelbrit, Annalena Baerbock, autorizoi furnizimin e Ukrainës me rreth 100 tanke, akt që më vonë u anulua nga Scholz.

Për më tepër, kancelari heziton t’i dërgojë armatime të reja Kievit, dhe pikërisht në këtë pikë po rriten tensionet me të Gjelbrit. Por mbi këtë çështje ka qëndrime të ndryshme edhe brenda vetë të Gjelbërve. Zhvillimet aktuale në Berlin, tregojnë se “Zeitenwende” (kthesa) e shpallur nga Scholz është më problematike dhe komplekse sesa mendohej.

Lidhjet me Moskën, të forcuara nga politika e jashtme e Merkelit, janë të vështira për t’u shkëputur brenda një kohe të shkurtër pa pasoja ekonomike, dhe pa një rritje të tensioneve gjeopolitike. Pas thyerjes së tabusë mbi shpenzimet ushtarake, Gjermania duhet të ndryshojë qasje në të gjitha nivelet.

Në këtë këndvështrim, shpjegohen jo vetëm sjelljet e paqarta të kancelarit, por edhe pse fërkimet e mëdha me të Gjelbrit, të cilët tradicionalisht kanë qenë kritikë ndaj politikës së jashtme të Merkelit dhe peshës ekonomike të lidhjeve me Rusinë dhe Kinën.

Habeck ka nisur tashmë kontaktet me vende të tjera për të zëvendësuar Moskën. Por kritikat vijnë edhe nga aleatët e tjerë të qeverisë, si liberalët e FDP-së. Marie-Agnes Strack-Zimmermann, drejtuese e komisionit të mbrojtjes në Bundestag, akuzoi kohët e fundit Scholz për mungesë qartësie në drejtimin që duhet ndjekur pas Zeitenwende.

Në javët në vijim do të mësojmë nëse do të kapërcehen pasiguritë e gjermanëve, siç bënë në ditët e para të luftës në Ukrainë, apo nëse ato rezultojnë të pakapërcyeshme. Në bazë të zhvillimeve do të kuptohet edhe më qartë se sa do të jetë e ndryshme Gjermania e Scholz nga ajo e Angela Merkelit, dhe si do të formohen marrëdhëniet e brendshme të mazhorancës aktuale.

Burimi: Linkiesta