Si një kundërshtari i vjetër politik i Sali Berishës, ish-deputeti socialist dhe ish-Kryetar i Komisionit te Sigurisë Kombëtare në Parlamentin Shqiptar, Spartak Braho, ka paralajmëruar nëpërmjet një shënimi të gjatë fatin e ish-kryeministrit nën dritën e marrëdhënieve të tij me SHBA.
Si pasojë e zhvillimeve të fundit dhe shpërthimit të një vale të re anti-amerikanizmi (sipas Brahos), së shpejti mund të kemi edhe një ekstradim të Berishës drejt SHBA, njësoj siç ndodhi pak ditë më parë me ish-presidentin e Hndurasit , Juan Orlando Hernández. Braho tregon edhe rrugën që do të ndjekin amerikanët, për ta realizuar këtë finale të hidhur për Sali Berishën.
Sipas tij, “Rruga e llogaridhënies penale është e njëjtë si precedentë, me ish- presidentin e Hondurasit Juan Hernandes, i cili ditët e fundit u ekstradua në SHBA, ku do të përballet me akuzat federale, për trafik droge, armësh, korrupsion sipas kërkesës së Departamentit Amerikan të Drejtësisë”.
Shkrimi i plotë: Kujtesë për datën 19.05.2021, datë ogurzezë për Berishën
Pas disa ditësh, mbushet një vit nga data 19.05.2021, kur administrata qendrore amerikane, nominalisht përfaqësuar nga presidenti Biden dhe Sekretari i shtetit Blinken bëri përcaktimin publik ndaj Sali Berishës për shkak të përfshirjes së tij “në korrupsion domethënës”.
Le ta lexojmë me kujdes se çfarë thotë fjalë për fjalë ky përcaktim i Departamentit Amerikan:
“Në cilësinë e tij zyrtare, veçanërisht si Kryeministër i Shqipërisë, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë. Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies. Me këtë përcaktim, rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë. Ky përcaktim bëhet në bazë të Nenit 7031(c) të Aktit të Departamentit të Shtetit për Buxhetin për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse, 2021. Përveç Berishës, unë përcaktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij, Shkëlzen Berisha dhe vajzën e tij, Argita Berisha Malltezi. Këta individë janë të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Ky përcaktim riafirmon angazhimin e SHBA-ve për mbështetjen e reformave politike që janë kyçe për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë krah popullit shqiptar. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete të tilla për të nxitur përgjegjësinë për personat e korruptuar në këtë rajon dhe globalisht”.
Pak histori nga “dokumentari horror“ me regjisor Sali Berishën
Çfarë ka ndodhur pas datës 19.05.2021 me Sali Berishën? Nga kjo kohë, gjatë 1 viti, shumë ujë ka rrjedhur në moçalin politik që ka përmbytur politikën shqiptare në përgjithësi dhe në atë të partive opozitare e kryesisht të PD-së në veçanti.
I zënë gafil nga ky përcaktim “non grata”, Berisha fillimisht heshti i trullosur dhe më pas i hasdisur dhe i trembur për vdekje mori turravrapin e zakonshëm kundërshtues me kleçka ligjore justifikuese, gjoja për fyerjen e shpifjet që i ishin bërë ndaj tij, kryesisht nga Sekretari i Shtetit Z.Blinken dhe nënsekretari Eskobar, me një paraqitje si triumfator, citoi se këtë vendim të tyre e kishte goditur në Gjykatë Franceze. Por, siç tregoi koha deri tani kjo rezultoi një fiasko dhe hiç juridik.
Po ashtu, ai kundërshtoi dhe akuzoi të sipërpërmendurit se nuk kishin asnjë fakt për këto akuza. Kemi ndjekur se Kryeministri Edi Rama gjatë këtij deklamimi akuzues të ndërsjelltë midis Berishës dhe autoriteteve të administratës dhe ambasadës amerikane qëndroi indiferent dhe i baraslarguar. Debati Basha- Berisha, i filluar në Shtator të vitit të kaluar, e konsideroi, të parin Bashën “një të ikur” dhe Berishën “një të vdekur”.
Pak a shumë, jo shumë bindëse këto qëndrime. E tëre kjo periudhë e zhvillimeve politike e përplasjeve midis krerëve të opozitës së dy krahëve të PD, duket qartë se po shkojnë drejt copëtimit të saj të fragmentuar. Ishte programi vrastar i 8 Janarit të këtij viti i organizuar dhunshëm personalisht nga Sali Berisha për të rrëmbyer në rrugë jo legale, por në formën e nje puçi institucional, me anë të një “colpoje fizike” të mbështetësve te tij ndaj ndërtesës dhe funksioneve të Partisë Demokratike.
Në këtë lloj “puçi” u pa qartë, se për një qime e punë minutash, Berisha nuk arriti ta pushtojë dhe realizojë objektivin e tij falë edhe ndërhyrjeve të forta të përfaqësuesve të ambasadës amerikane. Plani i këtij programi, me sa u pa dhe paralajmërua siç pohuan edhe një varg deputetësh në zyrat e SHQUP-it si Basha, Alibeaj, Gjekmarkaj, etj., ishte planifikuar gjakderdhja nëpërmjet përdorimit të mjeteve të rënda të dhunës, zjarrit, qysqive, varreve të përdorura nga forcat kriminale që tentuan me porosi të hynin brenda dhe të linçonin përkrahësit e kryetarit të asaj kohe Lulzim Bashës.
Ndërhyrjet në kohë edhe të Policisë se Shtetit e faktorëve të tjerë, parandaluan synimin për viktima të planifikuara. Ishte ky skenar ogurzi i ngjashëm me atë të 14 Shtator 1998 që nuk arriti të kryhej edhe sepse i menjëhershëm ishte reagimi i përfaqësuesve diplomatikë të ambasadës amerikane dhe vendeve të tjera të BE-se, të cilët dënuan rëndë aktin e dhunës dhe organizatorët e saj Sali Berishën, Ndokën, Palokën etj. Zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 Marsi të këtij viti në 6 Bashki i dhanë përsëri shkas Berishës që ndonëse grupimi i tij i Rithemelimit fitoi vetëm në Shkodër, të sugjestiononte një pjesë të elektoratit të djathtë se ai ishte dhe është më i fuqishëm e dominant karshi krahut legal të PD-së me në krye Bashën.
Kjo ofensive e “justifikuar” edhe nga një vendim gjyqësor fiasko e hodhi Sali Berishën në “betejë“ zgjedhjesh politike, që për të rivendosur grupimin e tij dhe vet atë një fushate zgjedhore kryesisht të strukturave e mbështetësve të tij. Krahas kësaj ofensive, Rithemeluesit filluan anatemimin dhe sulmet e pandërprera kundër “Guvernatores” Yuri Kim, sjelljeve “jo diplomatike” “ndërhyrjeve të paprecedenta dhe brutale të saj”, të shoqëruara me trysni dhe “ndërhyrje në organet gjyqësore shqiptare” etj. Fyerjet dhe shpifjet ndaj autoriteteve amerikane tashmë jane kthyer në moto të denigrimit që po u bëhet qëndrimeve edhe reagimeve të institucioneve amerikane nga Berisha, të cilin shqiptaro- amerikani Geri Kokalari i quajti ditët e fundit “kancer malinje” i demokracisë në Shqipëri.
Qartazi kërkohet në të, nga autoritet më të larta amerikane dënimi dhe largimi i përfaqësueses diplomatike personale të presidentit Biden, znj. Yuri Kim. Edhe këtë “furtunë me një gote me ujë” të krahut agresiv të Sali Berishës e denoncoi dhe dënoi përsëri me rreptësi Departamenti Amerikan i Shtetit, duke e paralajmëruar Sali Berishën për pasojat e rënda që do të ketë si person i klasifikuar dhe i padëshirueshëm se synimi anti-amerikan te tij, po monitorohet në çdo rrugëtim propagandistik, për të ringjallur “motin e shkuar” të këtij personazhi të dalë boje të futur tashmë në arkivat e historisë që s’duhet lejuar të përsërisë karrierën e tij politike.
Por, ajo që të bën përshtypje në këtë aksion anti-amerikan aq të shpifur e pa tru ndaj ambasadores Kim është fakti se kjo arradhe apo tufë me të cilën rrethohet Berisha, e cilëson me shpoti se ambasadorja Kim është thjesht një mysafire në Shqipëri, “se ajo paska ardhur” si e tillë për pushime ca dite dhe se ajo nuk përfaqëson shtetin amerikan. Kur dëgjon këto “cilësime”, të vjen të plasësh nga inati dhe thua se nuk ka mbetur vallë ndonjë burrë serioz e me mend në PD, që ata t’i thonë Saliut se ambasadorja nuk është mysafire, por përfaqësuese direkte e presidentit Biden? Ja që s’paska mbetur njeri në PD me tru në kokë.
-Enigma, ç’do bëhet me Sali Berishën nga organet e drejtësisë shqiptare?
Duket qartë se Sali Berisha tashmë ka hipur e po qëndron në “Gryken e Topit”. Kam bindjen jo vetëm unë, se ka shumë fakte në historinë familjare e politikë për penalizmin e tij gjatë viteve që nuk ja vlen të zgjatesh. Së pari “Topi i SPAK-ut” ndonëse në dukje me droje, por edhe me kujdes po përgatitet të “qëllojë”. Mendoj se nuk ka rrugë tjetër këtë radhë, ndonëse Kryeministri Rama “jep porosi” që SPAK-u ta burgosë, kur atij nuk i takon të futet në punët e organeve të drejtësisë, e aq me tepër që ai ka qenë kontraktdiktor me këto qëndrime.
Enigma e dytë, ç’do të bëhet me Sali Berishën nga Departamenti i Drejtësisë Amerikane.
Duket se Berisha me qëndrimet e tij fyese, shpifëse e denigruese ndaj personaliteteve amerikane po qëndron në “Gryken e një topi” tjetër dhe ka vetëm një rrugë ligjore në këtë suaze. Lipset që Departamenti Amerikane i Drejtësisë “të shfryjë” sa më parë, tullumbacen e karshillëkut të Sali Berishës e ta verë atë para përgjegjësisë ligjore, e për rrjedhojë para organeve te drejtësisë amerikane.
Natyrisht në këtë përfundim unë nuk marrë përsipër ashtu siç bën avokatin e djallit ish-diplomati me rrënjë socialiste Agim Gaqo Nesho, të bëj leksione drejtësie për përfaqësuesit e institucioneve amerikane, por me bindje të thellë ligjore, bazuar edhe në precedentët e tjerë dhe të mbështetur në fakte reale, të cilat tashmë janë me shumicë dhe me të plota për Departamentin Amerikan, që është plotësisht e justifikuar goditja dhe mbyllja përfundimisht e karrierës politike kriminale, duke ekstraduar sa më parë atë.
Sali Berisha duhet të përgjigjet përveç praktikave kriminale të konsumuara në Shqipëri edhe me casuset kriminale që ka kryer e po kryen në mënyrë konsistente edhe ndaj shtetit amerikan dhe përfaqësuesve të rëndësishëm diplomatik të tij.
Zonja Kryediplomate mos ndoshta edhe ju e përdorni një fjale të urte të popullit shqiptar që: “Qeveria e kap lepurin me qerre”?