Lazio ka pësuar dy gola mbrëmë në “Olimpico”, duke u mundur 2-1 nga Napoli, por portieri shqiptar i bardhekaltërve, Thomas Strakosha, nuk mund të fajësohet për pësimin e tyre, duke mos pasur çfarë të bënte.
Duke folur për portalin “Lazio Style Radio”, Strakosha u shpreh: “Në 30 minutat e para dominuam, por më pas u ndje lodhja. Napoli u rrit falë cilësisë që ka në ekip dhe arriti të barazonte.
Në pjesën e dytë shënuan shumë shpejt dhe goli i tyre na preu këmbët, edhe pse mbetëm në lojë deri në fund, duke kërkuar golin që nuk erdhi. Nuk duhet të kërkojmë justifikime, por nga ana tjetër, nuk është tragjedi, sepse jemi në javën e parë dhe duhet të vazhdojmë të jemi të vetëdijshëm për forcën tonë.
Të shtunën na pret një tjetër skuadër e madhe si Juventus-i, do të duhet të japim maksimumin, sepse cilësitë i kemi. Edhe Juve, si gjithë ekipet e tjera, nuk do të jetë në formën e vet më të mirë. Tani duhet ta lëmë pas humbjen ndaj Napolit dhe të rinisemi, edhe vjet e gabuam ndeshjen e parë të sezonit, kundër Spal.”