MENU
klinika

Vodhën 173 milionë lekë në market

Zbardhet dosja e grabitjes në Sarandë

29.04.2022 - 12:30

Gjykata e Sarandës nuk ka pranuar kërkesën e një prej autorëve të vjedhjes së një shume të madhe parash në një supermarket.

Gjyqtari Fatmir Ndreu refuzoi kërkesën e 38-vjecarit Bekdash Cukalla, i njohur si “Bushi” për të lënë qelitë e paraburgimit ku ndodhet prej 29 dhjetorit të vitit të shkuar. Ai akuzohet së bashku me shtetasin Edmond Duzha si autorë të vjedhjes së një shume të madhe parash në një supermarket në Sarandë natën e 11 dhjetorit 2021. Me të njëjtën kërkesë i është drejtuar Gjykatës edhe autori tjetër i akuzuar, 41-vjeçari Duzha nga Laçi, i dënuar më herët në Itali për vjedhje dhe dhunë ndaj oficerëve të policisë. Shqyrtimi i kërkesës për zëvendësim të masës së sigurisë do të zhvillohet në ditët në vijim, ndërsa shorti është hedhur dy ditë më parë (27 prill).

DOSJA

Sipas dosjes së Prokurorisë hetimet e së cilës po kryhen nga prokurori Ilir Hoxha, ne vjedhje morën pjesë 3 persona, të cilët vodhën rreth 173 milionë lekë brenda një supermarketi të njohur në qytet. Gjatë grabitjes, ata morën edhe dy pajisje të regjistrimit të pamjeve filmike të kamerave. Megjithatë, natën e 11 dhjetorit rreth orës 01:30, ata janë filmuar nga kamera të tjera të ambientit të katit të dytë të subjektit teksa hynin nga një dritare. Më pas një tjetër filmim me rendësi është ai në orën 02:52, ku shfaqen po këta shtetas dhe në duar mbajnë dy aparatura të llojit “DVR” si dhe dy çanta me rripa. Pikërisht në çanta mendohet se ndodhet shuma prej 155 milion lekë të vjetra, 14 mijë euro dhe 1 mijë dollarë amerikanë.

FUTJA NË GARAZH TRADHTOI AUTORËT

Policia ndoqi kamerat e vendosura nga Bashkia Sarandë në pika të ndryshme të qytetit dhe arriti të sigurojë pamjet filmike të kamerave të cilat ndodhen në kryqëzimin e rrugës “Adem Sheme” me rrugën “Gjergj Araniti”, ku dallohet se në orën 01:11, pra 19 minuta para vjedhjes, nga garazhi i pallatit të shtetasit M. Gjiçali, dalin tre shtetas me karakteristikat si ata të fiksuar nga kamerat e supermarketit dhe marrin rrugën “Adem Sheme”, në drejtim të rrugës “Musa Demi”. Më pas, po këta shtetas në orën 03:11, shfaqen duke ardhur nga poshtë rrugës “Adem Sheme” dhe futen përsëri në garazhin e këtij pallati. Dallohet qartazi se ata janë me të njëjtat veshje si dhe me dy çanta në krah. Në vazhdim të këqyrjes të kësaj kamere, në orën 05:58 minuta, nga garazhi i këtij pallati del një automjet me portobagazh me ngjyrë të errët. Një ditë më herët, pasditen e 10 dhjetorit, një kamera që lexon targa e automjeteve ka fokusuar targën e makinës në fjalë.

Automjeti është i markës “Citroen C5”, me targë “AA 465 VZ” në pronësi të Edmond Duzhës. Nga këqyrja në vijimësi të këtyre pamjeve rezulton se në orën 19:18, të datës 10.12.2021, shfaqet një automjet i markës “Audi A4”, me pronar shtetasin Bekdash Cukla dhe pasi parkon disa metra më lart hyrjes së garazhit, zbret nga makina dhe shkon në drejtim të hyrjes së garazhit dhe qëndron në këmbë aty. Rreth 20 sekonda më vonë shfaqet automjeti i markës “Citroen C5”, i cili afrohet në hyrje të garazhit. Nga pamjet duket që shtetasi Bekdash Cukalla komunikon me personat në mjetin “Citroen”, duke i orientuar se ku duhet të hynin dhe në të njëjtin moment hyjnë së bashku në garazhin e pallatit.

“BUSHI” FSHIU KAMERAT E GARAZHIT

Në kuadër të hetimeve, ekspertët kanë këqyrur edhe kamerat e bagazhit të pallatit, i cili mbante edhe një numër telefoni. Pasi është komunikuar me këtë numër, në garazh është paraqitur Bekdash Cukalla, i cili merret me biznesin e montimit të kamerave të sigurisë dhe ka vënë në dijeni se kamerat ishin të vendosura nga motra e tij, shtetasja F. B., e cila ka një apartament në katin e dytë dhe pikërisht sipër garazhit. Pas marrjes së aparaturës, ka rezultuar se pamjet ishin fshirë për dy ditë, ndërsa filmimet nisnin nga 12 dhjetori.

ÇFARË THOTË AVOKATI

Mes argumenteve të tjera, avokati mbrojtësi tha se “aksesi i kamerave të sigurisë së supermarketit nga Bekdash Cukalla nuk është vërtetuar, madje ka prova që ka pasur dhe ndërhyrje në monitorim nga të tjerët”. Avokati thotë gjithashtu se nuk ka komunikime të vërtetuara dhe se pamjet e kamerave të sigurisë në rrugë nuk tregojnë që ai të ketë shkuar te supermarketi.

Revista amerikane rendit Rivierën Shqiptare si një nga destinacionet më të mira

“Mos shkoni në Santorini, por në Ksmail”

“Mos parkoni automjetet në zonat me risk të lartë”

Bashkia Vlorë paralajmëron qytetarët për përkeqësim të motit

“Thika luftarake, dokumente të falsifikuara dhe kanabis”

Detajet/ Goditet grupi kriminal që shpërndante dr*gë