Më 2 maj të 502 vjetëve më parë, bota humbi një ndër personalitetet më të shquara perëndimore dhe botërore – Leonardo Da Vinçin. Gjeniu lindi në kohën e duhur, në vendin e duhur – Anchiano/Fiorentinë – asokohe qyteti simbol i kulturës.
Leonardo da Vinçi lindi më 15 prill 1452, në Toskana, fëmijë jashtë martese e një noteri dhe një vajzë fshatare, të cilën ai nuk e njohu, pasi u rrit nga familja e të atit dhe njerka. I talentuar për vizatim, në moshën 17-vjeçare hyri në studion e piktorit të famshëm Verrocchio në Firence, ku përsosi aftësitë artistike, vizatimin, pikturën, gdhendjen dhe skulpturën. Qëndroi atje deri sa mbushi 26-vjeç, më pas u transferua në Milano dhe më pas në Venecia, ku punoi si inxhinier dhe planifikues urban. Mirëpo piktura ishte pjesë e pandarë e qenies së tij, kështu që në vitin 1495, ai pikturoi një nga kryeveprat e tij “Darkën e Fundit”, ndërsa në 1503 filloi “Portretin e Mona Lizës”.
Konstruktor armësh luftarake
Si inxhinier dhe shpikës, Leonardo da Vinçi, interesohej së pari për sferën ushtarake. Ai ishte një gjeni universal në çështjet e armëve e shpikjeve ushtarake. Ndërsa trupat e Papës në vitin 1470 rrethuan Firencen, ai zhvilloi plane për projektimin e armëve e makinave luftarake. Kështu, ai konstruktoi një top shumë-funksional pa kundër-reagim, i cili i parapriu principit të tipave modernë të artilerisë malore. Arma në fjalë mbante 10 gjyle, të cilat bënin të mundur shkatërrimin e linjave armike.
Ai projektoi edhe një bosht apo bazament cilindrik me prerje trekëndëshe në fund, mbi të cilin në tri radhë vendoseshin gjithsej 33 gryka topash. 11 nga këto gryka mund të lëshonin zjarr në të njëjtën kohë, 11 të tjerë mbusheshin e bëheshin gati, kurse ata 11 që mbeteshin si përfundim, ftoheshin e prisnin të rinisnin ciklin. Kështu zjarri në një farë mënyrë, mbeste gjatë gjithë kohës i pandërprerë. Para se shpikjet e tij të gjenin zbatim praktik në front, në vend ra sërish paqja, e nuk qe nevoja që ato të provoheshin konkretisht së bashku me pasojat që do linin. Shumë projekte vijuan më pas në letër për Leonardon, e që patën një fat të ngjashëm me ato që theksuam më lart, duke mos e marrë kurrë “patentën” si shpikje të mirëfillta në histori. Ato nuk arritën kurrë të kapnin një stad të atillë saqë t‘i përgjigjeshin merakut e kujdesit, me të cilat vetë.
Da Vinçi ishte marrë…
Në moshën 30-vjeçare, ai i ofroi Ludovico Sforza-s, zotit të Milanos, shërbimet e tij si një ekspert i çështjeve të armatimit e taktikave ushtarake. Ai i dërgoi princit një memorandum të detajuar me skica të panumërta, në të cilat ai pretendonte se mund të ndërtonte të gjitha llojet e armëve e makinave luftarake, si dhe të vinte në jetë struktura arkitektonike, të cilat Ludovico Sforza, mund t‘i përdorte me përparësi në rast të ndonjë konflikti të armatosur.
Në një dokument që vjen nga ajo kohë, e ku jepet në mënyrë të detajuar edhe korrespondenca me kryezotin e Milanos, bëhet fjalë ndër të tjera, edhe për ura të çmontueshme, që mund të transportoheshin e zhvendoseshin me lehtësi, duke përbërë kësisoj edhe paraardhëset e mirëfillta të të ashtuquajturave “Urat Bailey”, që u përdorën në mënyrë masive gjatë luftës së Dytë Botërore.
I parapriu shpikjeve të mëdha
Më vonë, Leonardo projektoi edhe një urë me bazament të rrotullueshëm, realizimi i konstruksionit të së cilës u bë realitet vetëm në shekullin e 20-të. Për të pushtuar kështjellat, ai propozoi të hapnin tunele në disa pika të rëndësishme strategjike dhe të minonin sipërfaqen e nëndheshme. Ai përmend në projekt, edhe faktin se duheshin hapur kanale ku do kalonte uji, në mënyrë që të shkatërroheshin ngadalë themelet e një kështjelle që nuk ishin prej shkëmbi natyral, e ku gërryerja do bënte punën e saj. Leonardo, gjithashtu ndërmori edhe një projekt tjetër, duke konstruktuar një rruzull, apo gjyle të madhe, që rrotullohej duke lëshuar flakë të stërmëdha në një bazament të caktuar me konstruksion hekuri.
Biografët e studiuesit e veprës së Leonardos, sot thonë se ai me këtë hap, i parapriu le të themi, konceptit të motorëve të raketave.
Një shpikje tjetër ishte dhe një lloj bombe gazi, e cila ishte e mbushur me pluhur baruti, squfur e copa gjylesh. Ajo duhej të shpërthente në një hark kohor, që nuk ishte më i gjatë se sa një lutje “Ave Maria” – theksojnë studiuesit në një nga pasazhet kushtuar shpikjeve të gjeniut të madh. Për t‘u shënuar janë sidomos disa plane, që ai kishte për ndërtimin e një paraardhësi të tankut, të cilin Da Vinci e kishte ndërmend me kohë. Këtu, në fakt bëhet fjalë për një kështjellë lëvizëse në formë konike. Në bazamentin e saj ishin projektuar porta ku do të dilnin grykat e zjarrit, të cilat në shumë aspekte të kujtojnë tanket e sotëm. Ky lloj masivi luftarak, do të vihej në lëvizje pra me anë të një sistemi manivelash, llozesh e vinçash të dëshmuara qartë për mënyrën se si duhet të funksiononin, në skicat e dorëshkrimet e Da Vinçit.
Këto shpikje, sikurse edhe shumë të tjera të bëra prej tij, ishin të destinuara të mbeteshin vetëm në letër, derisa erdhi koha e shpikjes së motorit me djegie të brendshme, shekuj më vonë. Da Vinçi zhvilloi edhe një armë, e cila u projektua dhe u zhvillua në ofiçinën, ku ai kryente eksperimentet e që ia vlen vërtetë t‘u kushtohet vëmendje. Kështu ai projektoi një lloj topi me avull, ku uji i nxehtë futej në një gyp të gjerë. Me fuqinë që çlironte avulli, mund të shtynte më pas gjylen nga presioni deri në një distancë të konsiderueshme. Është për t‘u vënë re sidomos forma elegante e topit në fjalë, që për kohën ishte një risi shumë e madhe dhe inovatore. Përveç kësaj, Leonardo ndërmori hapa të tillë që synonin të çonin përpara artin luftarak, duke parë përparësitë e një arme të vjetër si katapulta, të cilën e studioi dhe ia përmirësoi rendimentin.
I mahnitur nga fluturimi
E dimë të gjithë se Leonardo ishte shumë i pasionuar edhe pas fluturimeve. Leonardo ishte një vëzhgues shumë i mprehtë në radhë të parë i fenomeneve natyrore, mekanike, fizike e kimike. Për sa i përket fluturimit, dëshmohet se ai u mor me këtë fushë studimi për 25 vjet me radhë, duke mos lënë pas dore siç theksuam më parë, edhe fusha të tjera. Këto studime ishin ndër të tjera, edhe arsyeja se pse ai nuk provoi ndonjë teknikë më të thjeshtë fluturimi. Ai duket se ka dashur vërtetë të imitojë zogjtë e insektet, e iu kushtua studimit të lëvizjeve të krahëve të tyre deri në detaj. Deri sa vdiq, ai mbeti i mahnitur nga aftësitë e këtyre gjallesave për të fluturuar, apo dhe nga “koncepti i Ornithopterit”, megjithëse ai kishte bërë gati me kohë shumë skica, që sot të ngjajnë se i kanë paraprirë projektimit të një helikopteri.
Leonardo la pas një seri skicash, ku në fokus kishin fluturimin e që janë përmbledhur në “Codex Atlanticus”. Sipas mendimit të shumë ekspertëve e studiuesve të tij, e të fushave që ai studioi, këto paraqesin në një farë mënyre edhe projektet e para evropiane për fluturimin.
Shpikësi e novatori i talentuar, megjithatë nuk ka lënë të shkruar kurrkund, nëse ai ia arriti të testonte ndonjëherë ndonjë pajisje fluturimi. Këto i dhanë udhë më pas edhe spekulimeve. Por një rindërtim i ideve të tij sot mbi fluturimin human në kohët e Da Vinçit, të bën të vihesh vërtetë në mendime për gjeninë e tij. Po kështu, shpirti i tij gjenial arriti të jepte një version të parashutës në formë piramidale. Edhe këto shpikje, të rindërtuara sot në praktikë, pa dyshim se funksionojnë. Historia e teknikës, sigurisht se do kishte vijuar ndryshe, nëse Da Vinçi do të kishte mundur t‘i vinte në jetë, që në kohën e tij shumë nga projektet që skicoi.
Po ashtu, të njohura janë edhe këto fakte:
Fëmijë i paligjshëm!
Ai lindi si biri jashtë martese i Piero Fruosino di Antonio Vinçit (babait) dhe Caterina (nëna). Prindërit e tij kurrë nuk u martuan dhe ai ishte i vetmi fëmijë i tyre. Megjithatë, ai kishte 17 gjysmë-vëllezër e motra me partnerë të tjerë të prindërve të tij.
Emri i një qyteti!
Ai lindi në Anchiano, Toscana (tani në Itali), që është afër qytetit të Vinçit, me të cilin ne e asociojmë mbiemrin e tij sot.
Pak, arsimim formal!
Përtej leximit dhe shkrimit bazë, ai nuk mori asnjë arsimim formal në ndonjë shkollë.
Personi që qëndron pas aftësive të tij!
Talenti i tij artistik u vlerësua së pari nga babai i tij dhe kur Leonardo ishte 15 vjeç, babai e dërgoi të mësojë pranë piktorit dhe skulptorit Andrea del Verrocchio, në Firence. Ai përpunoi teknikat e skulpturës dhe pikturës së Leonardos, për më shumë se një dekadë dhe e trajnoi atë në artet mekanike.
Piktura e tij më e hershme!
Megjithëse puna e tij e parë mendohet të jetë ajo e një vizatimi në stilolaps dhe bojë, e luginës së Arnos (siç raportohet nga burime të ndryshme) më 5 gusht 1473, “Shpallja” (diku rreth 1472-1475) mendohet të jetë vepra e tij më e hershme . Ajo paraqet engjëllin Gabriel, të cilit Perëndia i dërgoi fjalë, për të njoftuar virgjëreshën, Marinë, që ajo të krijonte dhe të lindte një djalë të quajtur Jezus, i cili do të quhej “Biri i Perëndisë”.
Kur mësuesi u impresionua me punën e tij!
Ai ndihmoi mentorin e tij Andrea del Verrocchio në pikturën e famshme “Pagëzimi i Krishtit”. Piktura përshkruan pagëzimin e Jezusit nga Gjon Pagëzori. Është thënë se engjëlli në të majtë u pikturua nga Leonardo i ri dhe kjo ishte një gjë, e cila i bëri shumë përshtypje mësuesit të tij.
Shkrimi, nga e djathta në të majtë!
Leonardo da Vinçi ishte majtosh dhe ishte mësuar që të shkruante nga e djathta në të majtë, gjë që rezultonte në një shkrim pasqyrë dhe i cili, ishte e vështirë për t’u lexuar nga të tjerët.
Adhurues i kafshëve!
Ai ishte shumë i mëshirshëm ndaj kafshëve dhe ishte kundër mbylljes në kafaz. Leonardo blinte shpesh herë kafshë në kafaze dhe më pas i lironte.
Një vegjetarian i rreptë!
Gjatë gjithë jetës së tij, Leonardo da Vinçi kishte qenë një vegjetarian i rreptë, gjë që supozohet të jetë pasojë e dashurisë së tij për kafshët.
Incidentet e fëmijërisë!
Leonardo mbante shenja vetëm dy nga incidente të fëmijërisë: njëri ishte kur një balonë ra nga qielli dhe bishti i saj i lëndoi fytyrën. I dyti kur zbuloi një shpellë ndërsa po eksploronte në male dhe u ndje i tmerruar nga që mendonte se aty mund të ndodheshin disa përbindësha.
Shtëpia e fëmijërisë!
Kush nuk dëshiron të eksplorojë shtëpinë e këtij artisti të madh të Rilindjes! Shtëpia e fëmijërisë e Leonardos ndodhet në një fshat të quajtur Anchiano brenda qytetit të Vinçit në Firence. Shtëpia është konvertuar në një lloj muzeu të veprave të famshme të Leonardos. Shtëpia u rihap për publikun në qershor të vitit 2012.