MENU
klinika

Historia e Karim Benzema

Nga getot e Lyon, te më i miri aktual në botë

03.05.2022 - 17:17

Karim Benzema la rrugët problematike të Bron-Terrajos 26 vite më parë. Por ai ende e kujton kaosin e bukur të shtëpisë së tij në këtë periferi të madhe të Lyon.

“SunSport” udhëtoi në shtëpinë e sulmuesit të Realit, në klubin ku bëri hapat e parë. Ylli francez ishte një djalë i ndrojtur dhe i dobët fizikisht, i cili mbytej nga zhurma e motorëve dhe sirenave në rrugët e lagjes së tij.

Benzema jetonte 50 metra larg klubit të tij të parë, SC Bron-Terrajo, me 4 motrat e tij, 3 vëllezërit dhe prindërit në një bllok banesash sociale. Si shumë prej “banlieues” (periferive) të Francës, ndërtuar në vitet 1960 kryesisht për emigrantët afrikano-veriorë, ajo njihet si një bastion i krimit.

TRAJNERI I PARË – Frederik Rigole, trajneri i parë i Benzemasë në 1995 dhe sot mësues i nipërve të tij, tregon: “Ai ishte trupvogël dhe i dobët, vëllezërit e tij kishin më shumë muskuj dhe ishin më të gjatë. Ka qenë gjithnjë kështu. Nuk fliste dhe ishte shumë i ndrojtur, madje ende nuk flet shumë.

Kur ishte i vogël thjesht luante futboll dhe mbante një top në duar. Luante me murin. Edhe kur ishte pak më i madh, te Lioni, rreth moshës 14-15 vjeç, kthehej dhe stërvitej vetëm përballë murit kur nuk kishte stërvitje. Ishte shumë besnik, kishte gjithnjë të njëjtët shokë nga Bron dhe vazhdon edhe sot”.

Familja e madhe e Benzemasë i ka shumë prej pjesëtarëve të saj ende aty. Motrat e tij të veshura thjesht qëndrojnë në anë të fushës për të parë fëmijët e tyre teksa stërviten. Por është e lehtë të dallosh nipërit dhe mbesat e tij, pasi mbajnë fanellat me numrat 9 të dajës së tyre me Realin.

“Ata janë thjesht njerëz normalë. Familja e tij vjen këtu sepse e dinë që njerëzit nuk do t’i shqetësojnë. Ne i njihnim përpara se Karim të bëhej një yll dhe nuk ka intereson fama e tyre. Ai është një djalë nga zona jonë. Sinqerisht nuk mund ta kishim imagjinuar që do të bëhej lojtari që është sot. E kam stërvitur me qejf, por nuk e dija që do të bëhej ylli që është sot”, vijon Rigole.

FAMILJE EMIGRANTËSH – Mamaja e Benzemasë, Vahida, lindi dhe u rrit në Lion, por babai i tij, Hafid, emigroi në Francë nga e njëjta zonë verilindore e Algjerisë, nga ku emigruan edhe prindërit e Zinedin Zidanit. Ata u vendosën pas linjave të metrosë së Lionit në zonat e lëna pas dore ekonomikisht, por prindërit u kujdesën ta mbanin Benzemanë larg problemeve.

Kur ai iu bashkua Lionit në 1997, ata i kërkuan klubit që të kujdesej që ta mbanin atë larg rrugëve. “Është një zonë e rrezikshme, por ne kemi jetuar gjithnjë këtu dhe nuk ka qenë kurrë problem.

Prindërit u kujdesën për të. Mamaja i kërkoi Lionit që të qëndronte atje, kështu që ai jetonte në qendrën stërvitore dhe nuk kthehej. Nuk donin të jetonte në Bron dhe e bënë për ta mbrojtur. Normalisht Lioni nuk e pranonte një gjë të tillë, sepse ata preferonin që dhomat t’ua jepnin fëmijëve që vinin nga larg, por për Karimin e bënë këtë tolerim”.

Rio Ferdinand mendon se “Topi i Artë” duket të ketë së shpejti emrin e tij të gdhendur. Sulmuesi 34-vjeçar po kalon formën e jetës dhe ndaj Sitit sot regjistron ndeshjen e 600-të me fanellën e Realit.

TIFO PËR REALIN – Tifozët e Realit shpresojnë që ai të përsërisë ndeshjen fantastike kundër Çelsit në Londër. “Të gjithë njerëzit e Bronit bëjnë tifo për Realin dhe nëse nesër ai largohet nga klubi, atëherë automatikisht do të bëhen me skuadrën e re. Kunati i Benzemasë ka një lokal, kështu që mund të shkojmë ta shohim atje ndeshjen ose do ta shohim të gjithë së bashku në televizorin e klubit”, thotë Rigole.

Benzema ka shënuar 15 gola në 11 ndeshjet e fundit dhe 44 në total këtë sezon, shifrat e tij më të mira të karrierës.

KOMBËTARJA – Ai nuk ka qenë kurrë në listën e 3 finalistëve të “Topit të Artë”, por të paktën këtë vit do të jetë në Botëror. Vitet e humbura me Francën pas skandalit me kasetën shantazhuese ndaj Valbuenës goditën karrierën e tij me kombëtaren.

Duket se më në fund fantazmat e së shkuarës janë larguar dhe ai ka shënuar 9 gola që kur riveshi fanellën e “Gjelave” përpara “Euro 2020”, edhe pse qytetarët besnikë të BronTerrajos nuk do ta harrojnë kurrë përjashtimin e tij.

“Kur Karim nuk ishte në kombëtare, njerëzit në Bron nuk e shihnin Francën kur luante. Nuk u interesonte fare. Kur u kthye, ne nuk i folëm për këtë temë, as ai nuk donte të fliste për këtë. Ne vetëm i telefonuam dhe e uruam.

Ai ishte i lumtur dhe tha: ‘Nuk kam probleme me Deshampin apo skuadrën’. Askush nuk e kuptoi përse ai nuk mund të luante me Francën. Ishte një çështje që nuk kishte të bënte me futbollin. Për këtë arsye familja e tij nuk flet më me gazetarët”.

Në fund të sezonit Benzema pritet të ngrejë trofeun e katërt të La Ligës, përpara se të kthehet në Bron me avionin e tij privat. Por ai është ende ai djali i qetë i rrugëve që lanë këmbët e tij të flasin.

“Ai kthehet pa bërë zhurmë dhe bën atë që ka për të bërë. Ndonjëherë na sjell këpucë dhe na kërkon t’ua shpërndajmë njerëzve që kanë nevojë ose sjell disa fanella të autografuara. Kur ka kohë të lirë, është e sigurt që do të kthehet në Bron për të takuar nënën e familjen dhe për të na takuar edhe ne. Të gjithë fëmijët duan të bëhen si ai, ai është heroi i tyre”, përfundon mësuesi i tij i parë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


E ardhmja e sulmuesit shqiptar

Chelsea i vë kusht Napolit për Brojën