Jurgen Klopp siguroi finalen e katërt mbrëmë në Champions League. Por së fundmi është zbuluar një prapaskenë e vitit 2008 me klubin e Hamburg. Një situatë kjo që mund të jetë krijuar edhe nga një zgjedhje shumë e gabuar e bërë nga klubi më shumë se dhjetë vite më parë, kur drejtuesit e skuadrës kanë refuzuar Jurgen Klopp.
Drejtuesit e Hamburg-ut kishin disa alternativa për stolin e skuadrës. Mes këtyre kanë qenë Martin Jol, ai që u zgjodh më pas, dhe një Jurgen Klopp të ri, i cili vinte nga eksperienca e tij e parë si trajner, atë te Mainz.
Në momentin e zgjedhjes, dy trajnerët janë klasifikuar sipas një sërë parametrash, mes të cilëve ka qenë aftësia për t’u përballur me shtypin dhe paraqitja e jashtme. Dhe Klopp mes cigareve, pamjes ekstravagante dhe një model flokësh si metalar ka humbur shumë pozicione. Te zgjedhja ka ndikuar edhe pseudonimi i tij. Këtë e ka shpjeguar vetë trajneri.
“Çështja e cigareve ishte e vërtetë, fatkeqësisht. Më pas është historia e pseudonimit, me të vërtetë absurde. Sigurisht, te Mainz më quanin Kloppo, por në atë klub jam bërë trajner pasi një ditë më parë isha një shok skuadre”, – ka zbuluar trajneri i Liverpool-it.
“Nuk mund të pretendoja që të më thërrisnin papritur ‘Zoti Klopp’. Megjithatë, te Hamburg-u kanë menduar se nuk do të respektohesha nga lojtarët duke parë se lojtarët e mi te Mainz më thërrisnin Kloppo”.
Në fund, gjermani ka vendosur të tërhiqet pasi ka pritur për një përgjigje për disa javë: “Zotërinj, edhe nëse jeni akoma të interesuar, ta dini se unë nuk jam më. Dhe mos më telefononi më”. Pjesa tjetër është histori, me kalimin e tij te Borussia Dortmund. Për Hamburg-un mund të thuhet se ka qenë një zgjedhje shumë e gabuar.