MENU
klinika

Nga Frrok Çupi

Të vdekurit ngatërrohen

11.05.2022 - 10:53

Sali Berisha iu gërmush gazetares, thellë në sy, si t’i hynte në kafkën e kokës. Vetëm pse ajo i zgjoi të vdekurit e palosur në mendjen e vrasësit.

E pyeti për katër të vrarët e qeverisë në 21 janar. Berisha u përgjigj për të tjerët, për të vdekurit e Gërdecit. ‘Jo, jo, fola për Gërdecin”, tha Berisha, si në lojën e një çmendine ku luhet me kukulla të vdekur.

Të gjithë vrasësit janë njësoj: Ditën e fundit u bien në qafë të vdekurve.

… Diktatori i parë, sapo kishte vrarë kryeministrin, Mehmet Shehu… Ndodhi njësoj, ja kështu si në numërimin e viktimave post- diktaturë.

Ishte ditë qershori, e nxehtë, vetëm një vit pas vrasjes. Enver Hoxha vjen në Kongresin e Veteranëve të Luftës, në sallën e koncerteve në Akademinë e Arteve. Udhëheqësi vendosi që në pushim mes seancave të takonte një grusht veteranësh të zgjedhur me dorë; jo të gjithë dhe jo shume prej tyre. Lulishtja e Akademinë, bënte hije për njëqind burra.

Të parin, sapo doli nga salla, takoi Gani Tuçepin; një burrë i gjatë, i drejtë ‘si pushka’, thuhej. Ganiu ishte mjeshtër i pashoq i kanaleve ujitëse, dibran i mësuar në Bullgari.

-Është Gani Tuçepi…, sot mbushi 100 vjeç- i tha Enverit, Ramiz Alia.

– O, jetë të gjatë, Mehmet Shehu!- lëshoi frymën Enver Hoxha dhe e pa thellë në sy, si t’i hynte brenda kafkës. “Të rroni ju, shoku Enver”, tha Heroi i Punës Socialiste dhe bëri sikur nuk kuptoi çfarë emri të vdekur tha tjetri.

I dyti qe Riza Veipi, ‘Hero i Popullit’, ish komandant i Brigadës së Pestë. Ishte caktuar të takonte Enverin.

-Është Riza Veipi, shoku Enver- tha prapë Ramiz Alia.

-O Mehmet Shehu!, kam në shtëpi biçakun që më ke dhuruar gjatë luftës- iu drejtua Enveri.

Rizai, një burrë i shkurtër, në mërmëritje tha se ‘është nder’ që e mban atë biçak; por u tkurr e u bë sa një grusht kur diktatori e thërriti me emrin ‘Mehmet Shehu’.

I fundit ishte Shefqet Peçi. Edhe këtij i tha ‘o Mehmet Shehu!’.

“Mos thuaj se Fushë- Bardhën e bëra unë, o Mehmet Shehu…, e bëri Partia, Mehmet”.

Shefqeti, i shquar për trimëri, në atë çast nuk po i gjente vendi vend ku të futej.

Mehmet Shehu ishte vrarë dhe ishte i vdekur; autori i vrasjes e ngatërronte me të tjerë. Puna ime si gazetar më çoi të isha i pranishëm në këtë lojë si në tragjedi makbethiane. Edhe gazetarja Rovena Cerka, njësoj si unë, u gjend në një skenë të ngjashme mbrëmjen kur në vendin ku ra gjaku i 4 të vrarëve në kryeministri. Veçse kjo mundi të pyesë autorin.

Si janë kështu, të gjithë vrasësit, njësoj!? Vjen një moment kur fajësojnë të vdekurit. ‘Ata të katër kanë qëlluar mbi xhamat e zyrës…, prandaj i vramë!’, tha kryeministri.

I fajësojnë edhe pse ‘i zuri gjaku i të vrarëve’. Gazetari Mero Baze shkruan se ish- kryeministrit, në turbullirën e gjakut të zënë ‘i ngatërrohen të vdekurit’.

Vrasësve u krijohen neurozat, obsesionet dhe histeritë; dhe, për këtë ndëshkojnë prapë të vdekurit prej tyre. Po të ishte e mundur 28 të vdekurit e Gërdecit dhe 4 të vrarët në oborrin e kryeministrisë, do të zhyteshin qindra metra në tokë, veç të mos flisnin e të mos flitej kurrë rreth tyre.

Në fakt po zhyten.

Në vendin tonë ka ‘luftë civile’, por nuk ka të vrarë; ka më shumë se 3 mijë të vrarë pas ‘demokracisë’, por nuk ka vrasës. Vrasësi i fundit sfidon të gjallët: ‘Jo se nuk kam vrarë, por ju nuk keni dëshmi!’. Këtu janë urdhëruar militantët e njërës krahinë për të vrarë njerëzit e krahinës tjetër; por nuk ekziston faji. Këtu ka grabitje të pasurisë publike nga familja e kryeministrit, por nuk ka krim; vjedhja dënohet nga kanuni, por jo nga ligji. Këtu përditë ata që kanë vrarë po na hyjnë thellë në kafkën e kokës e na thonë ‘do të kthehemi prapë, e prapë do t’u vdesim’, por as kjo nuk quhet për gjë. Ne nuk kemi Drejtësinë me vete, domethënë edhe ne quhemi të vdekur. Këtu u dashka që edhe presidenti tjetër i Republikës të vijë nga kompania e vrasëse, ose të jetë vrasës, sepse ‘kemi demokraci’. Ne nuk kemi asgjë; të gjitha i kanë ata.

Drejtësia nuk ka asnjë mundësi të flasë me të vdekurit; e prandaj deri atëherë nuk ka drejtësi për të gjallët. Drejtësia mund të hapë çështje gjyqësore për të dënuar të vdekurit me akuzën: ‘Pse gjaku juaj na zuri udhëheqësit!?’.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Nuk i ka sjellë asnjë të mirë vendit dhe është rrezik për paqen“

Frrok Çupi: Berisha ‘tirani’ i fundit në Ballkan pas Millosheviçit

“Kur të hapet pakoja, do shohim monstruozitete”

Frrok Çupi: Berisha ka zgjidhur qeset e parave! Meta po na fyen