Kamza ndodhet në një situatë të vështirë në renditje, por që nga sot nis një projekt i ri për ringritjen e klubit. Kamza ka shkarkuar dy trajnerë në 13 javë kampionat, në Kategorinë Superiore, duke qenë “rekordmene” në këtë drejtim.
Pas Bledar Devollit dhe Klodian Duros, radha për ta provuar “karrigen elektrike” të kësaj skuadre i ka ardhur Ernest Gjokës. Ky i fundit vjen në këtë pozicion me “dy anët e medaljes”, si kampion i Shqipërisë me Kukësin, por edhe si njeriu që zbriti një kategori më poshtë Vllazninë, sezonin e kaluar.
Pra, i duhet të riformatojë imazhin e vet si trajner në këtë “stacion” të karrierës. Klubi ka bërë dy prezantime sot, në fakt. Veç trajnerit Gjoka, para gazetarëve është prezantuar edhe drejtori ekzekutiv, Fabio Cordella, një emër i njohur përtej Adriatikut, i ardhur nga Italia.
Gjate konferencës për shtyp, drejtori sportiv, Andi Matraxhiu, mori fjalën i pari, duke i uruar mirëseardhjen trajnerit Gjoka dhe drejtorit Cordella. Të dy këta të fundit kanë premtuar shumë punë, për ta implementuar me sukses projektin e ri te skuadra e Kamzës.
Për momentin, Kamza është në vendin e parafundit të Superiores, me 8 pikë, duke lënë pas vetëm Kastriotin, me një pikë më pak. Në 13 javët e deritanishme të kampionatit, kjo skuadër ka shënuar 7 gola dhe ka pësuar 17 të tillë, duke regjistruar një golaverazh negativ -10.