Nisin problemet për trajnerin Jose Mourinho. Manchester United ka pësuar humbjen e parë të sezonit që në javën e dytë dhe ishte një humbje befasuese ndaj Brighton me rezultatin 3-2.
Ishte një United i përgjumur, pa gjak dhe me shumë gabime në prapavijë që zbriti në fushë pasditen e së dielës ndaj një Brighton të disiplinuar dhe me dëshirë të madhe për t’u paraqitur mirë.
United e nisi mirë ndeshjen, duke pasur epërsi në mbajtjen e topit, por goli i Murray në minutën e 25’ ishte fillimi i fundit për të besuarit e Jose Mourinho-s.
Dy minuta më pas Duffy dyfishon rezultatin pas një rrëmuje në zonë. Lukaku ngushton diferencën, duke i dhënë shpresë ekipit të tij, e cila u shuajt në fund të pjesës së parë pas golit me penallti të Pascal Gross.
Pas pushimit situata nuk ndryshoi. United dominoi ndeshjen por Brighton u mbrojt shumë mire, duke mos i lejuar hapësira.
Djajtë nuk krijuan thuajse asnjë rast për gol dhe me siguri do të kritikohet pa fund nga shtypi dhe tifozët. Në sekondat e fundit ishte Pogba që shënoi një gol pa shumë vlera me penallti.
Jose Mourinho me këtë humbje, dhe për mënyrën se si ka ardhur, rrezikon shkarkimin, me Zidane që është në pritje.