Vjen një moment dhe duhet të thuash “stop”. Futbolli është një sport që nuk mund të luhet pafundësisht, për më tepër të jesh në nivele të larta. Didier Drogba mbahet mend për golat e shënuar, titujt e fituar me Chelsea, sidomos për golin në limit ndaj Bayern Munchen në finalen e Champions League 2012.
Dhe sot pikërisht ka qenë radha e sulmuesit nga Bregu i Fildishtë për t’i dhënë fund futbollit të luajtur, duke varur zyrtarisht “këpucët në gozhdë”. Lajmi është bërë i ditur nga vetë sulmuesi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, duke e konsideruar karrierën e tij si një aventurë të suksesshme.
Kohët e fundit Drogba ka luajtur në Amerikë për Fonix Rising, ekip i divizionit të dytë, ku Drogba është bashkëpronar. “Kur mendoj për 20 vitet e fundit të karrierës sime profesionale, duke parë këtë fotografi ndihem më shumë krenar se kurrë për ato që kam arritur si futbollist, por mbi të gjitha si më ka formuar si njeri kjo aventurë.
Nëse dikush thotë se ëndrrat e tua janë tepër të mëdha, thjesht falënderoje dhe puno edhe më shumë, duke u treguar i zgjuar, për t’i kthyer ato në realitet. Falënderoj lojtarët, trajnerët, klubet dhe tifozët që ma kanë bërë këtë udhëtim kaq të këndshëm.
Një falënderim shumë të madh dhe shumë dashuri për familjen, skuadrën time personale që më ka mbështetur pa kushte gjatë gjithë karrierës. Uroj që Zoti të më bekojë po aq shumë për të ardhmen, sa ka bërë për karrierën time futbollistike”, – shkruan Drogba në “Instagram”.