MENU
klinika

Shqipëria shkon në Kanë

“Njëra është Zonjë dhe tjetra është zonjushë…”

26.05.2022 - 11:30

        « S’na urdhëroka ndonjë gjerman, po një korçarkë ! Dhe vjen të këndojë, me piano, midis Myzeqesë…Ka të marrë kjo botë, po kur marrosen korçarkat ! Sidoqoftë, e marrë, po i lumshin këmbët. Plasëm me kërnetën e Rremës e me zërin e Leme çingisë. Po kush do ta dëgjojë në Lushnjë korçarkën ? »

Një këngëtare e re, Donika dhe një pianiste, Eleni, nisin një turne koncertesh në qytete të vegjël provincial, duke kaluar me pianon e tyre edhe nëpër fshatra. Dy artistet e reja, takojnë shumë mikpritës midis të cilëve, popullin e thjeshtë dhe autoritetet lokale që kërkojnë të duken oksidentalë, por që në thelb janë të konfrontuar me njëri-tjetrin.

« Në pak minuta, duke parë filmin kuptohen lehtësisht tre linjat e ndërtimit të tij në realitetin rural të Lushnjës dhe Myzeqesë. Shteti monarkist në periferi. Qytetaria shqiptare, patriotike e me frymëzim perëndimor. Situata feudale mbizotëruese dhe varfëria e jetës së popullit. Në fakt ekziston dhe një linjë apo perspektivë e katërt e cila është ende në çastin e saj embrional : lëvizja komuniste, anti-monarkiste, anti-feudale dhe progresiste. Të katërta këto perspektiva analitike kanë një dallim të qartë. Në njërën anë ndodhet shteti monarkist me pushtetin feudal. Në tjetrën janë intelektualë, profesionistë, artistë e komunistë. Shoqëria e vjetër kundër risisë dhe emancipimit modernizues … Një nga kritikat më therrëse të Kumbaros në film, i kombinuar me ngjyresa komike, është pikërisht paaftësia e shtetit monarkist për tu interesuar për popullin. Prandaj çdo analizë e trajtim i monarkisë si një regjim totalizues modern është jo fort i saktë. Dy llojet e qeverisjeve përafrohen për nga përdorimi i dhunës autoritare të shtetit në ruajtjen e qetësisë. Veçse ruajtja e rendit publik nuk nënkupton patjetër kujdesin ndaj popullit në disa standarte bazë të jetës dhe ekzistencës. Reformat radikale të cituara shpesh në film, si vendimmarrje progresiste e monarkisë me frymëzim të hallakatur mes turqve të sotshëm dhe oksidentit, nuk shfaqen as si reforma dhe as si radikale, meqë një reformë radikale nuk mund të përkujdeset për kuajt, për të parandaluar e sanksionuar rrahjen e njeriut kundrejt kalit, pa ngritur paraprakisht formën e qytetërimit e ku shoqëria në rrjedhën e saj, ndryshon ndjeshmërinë në raport me mbrojtjen e kafshës apo natyrës. Koncerti si dhe filma të tjerë të epokës, na rrëfejnë për një monarki të çinteresuar për hallet e popullit, që lë jashtë vëmendjes, neglizhon, që përfshihet me pushtuesin fashist e më pas lan duart me popullin dhe kombin. »

“Koncert në vitin 1936” është filmi përfaqëues Shqipërisë, në Festivalin e Filmit e Kanës. 

Edicioni i tretë i programit “Sezoni i filmave klasikë” u prezantua në pavijonin e BE-së në Kanë, ku ACE (Association des Cinémathèques Européennes), zbuloi detaje të programit të ri, që zgjat nga qershori deri në dhjetor 2022, me shfaqje në kinematë europiane dhe në internet.

Secili arkiv ka përzgjedhur një film ose përmbledhje filmash, nga koleksioni i tyre për të restauruar dhe shfaqur, ku filmi i përzgjedhur nga AQSHF është “Koncert në vitin 1936” (regjisor Saimir Kumbaro, 1978).

Në njoftimin e arkivit, thuhet se është një film, elementet origjinale të të cilit kanë probleme me dekolorimin e ngjyrave dhe ka nevojë imediate për proceset digjitale që të mund të risjellin figurën në jetë e kështu të jetë i përshtatshëm për projeksione në kinema digjitale.

“Risia e realizimit të këtij projekti është përfshirja e studentëve në proceset digjitale të përpunimit të figurës dhe zërit, nën udhëheqjen e një eksperti restaurimi; një mënyrë kjo për nxitjen e interesit dhe dëshirës drejt preservimit dhe restaurimit të trashëgimisë filmike dhe formimit të profesionistëve të rinj”, – thuhet ndër të tjera, nga ana e arkivit.

Premiera e restauruar në nëntor

Filmi “Koncert në vitin 1936” në variantin e restauruar në mënyrë digjitale do të shfaqet në Tiranë, në muajin nëntor. AQSHF bën me dije se gjithashtu, filmi ka mundësinë të përzgjidhet në programin “ArteKino 2023” dhe të shfaqet për audiencat europiane në platformën televizive online arte.tv.

Në role janë aktorë, si: Manushaqe Qinami, Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, Bep Shiroka, Roland Trebicka, Gjon Karma, Albert Verria, Mirush Kabashi, Gëzim Kame, Birçe Hasko, Ilia Shyti, etj. “Sezoni i filmave klasikë” është një seri shfaqjesh kinematografike falas, të krijuara për të tërhequr audiencën më të re drejt trashëgimisë sonë të përbashkët europiane kinematografike.

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale