Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar sot seancën e fundit stërvitore në Durrës para nisjes për në Islandë në kuadër të ndeshjes së parë të Ligës së Kombeve.
Nën drejtimin e trajnerit Edy Reja, kuqezinjtë kanë kryer stërvitjen e radhës, ndërkohë që të gjithë lojtarët kanë qenë në dispozicion. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se sulmuesi Armando Broja do të mungojë për ndeshjen e parë në Islandë, pasi ende nuk është rikuperuar.
Futbollisti ka rezultuar negativ në testin e fundit Covid-19 të bërë një ditë më parë dhe ka nisur stërvitjen në mënyrë individuale te Çelsi. Stafi i Kombëtares është në kontakte të vazhdueshme me klubin anglez për t’u përditësuar mbi gjendjen fizike të sulmuesit.
Ai nuk mund të rikuperohet në kohë për ndeshjen e parë. Broja do t’i bashkohet përfaqësueses shqiptare në Durrës pas kthimit nga Islanda dhe stafi teknik shpreson që ai të jetë në gjendje optimale për të luajtur në dy sfidat ndaj Izraelit dhe Estonisë.
Ndërkaq, edhe sulmuesi Myrto Uzuni ka zhvilluar stërvitje të diferencuar për shkak se vuan nga një dëmtim në kavilje dhe stafi mjekësor, pas konsultimeve ka vendosur që lojtari të qëndrojë në Shqipëri dhe të vijojë me rikuperimin.
Kësisoj, sulmuesi nuk do të jetë për ndeshjen e parë, ndërsa stafi shpreson ta ketë të gatshëm për sfidën me Izraelin. Kombëtarja do të udhëtojë paraditen e së shtunës drejt Islandës, teksa pasdite do të zhvillojë një seancë stërvitore, ndërsa të dielën ekipi do të kryejë edhe stërvitjen zyrtare para sfidës, që luhet mbrëmjen e datës 6 qershor.