MENU
klinika

Nga Roland Qafoku

Hapja e “Open Balkan” dhe “Procesi i Berlinit” në proces

13.06.2022 - 15:54

Vetëm gjashtë muaj pasi ka marrë detyrën, kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, jo vetëm po viziton rajonin e Ballkanit duke i dhënë përparësi në agjendën e tij, por edhe ka bërë deklarata të forta, të prera dhe të qarta për rajonin që për Evropën vazhdon prej shekujsh të trajtohet si problematik. Nga Prishtina ku pati vizitën ditën e premte ai tha se vende që nuk e njohin njëri-tjetrin nuk mund të bëhen anëtëre të Bashkimit Evropian. Kjo ishte një shuplakë e fortë në fytyrën e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç që ashtu si paraardhësit e vet vijon të ketë statusin e të përkëdhelurit të BE-së, por edhe i gjithë Evropës. Pas tre dekada nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe nga kryerja e katër luftrave, politikisht Serbia vijon të mbetet me një këmbë në Rusi dhe një këmbë në Evropë. Serbia vijon të mbetet armike e një vendi të pavarur si Kosova dhe mike me Brukselin ku ia ka ënda të anëtarësohet. Serbia vijon të bëjë viktimën edhe pse ka shkaktuar qindra e mijra viktima në rajon dhe bëhet po viktimë ndaj Kosovës edhe pse ndaj saj shkaktoi genocidin më të madh pas atij gjerman ndaj hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore. E pavarësisht kësaj, Serbia është afruar nga BE të kryejë etapat për anëtarësim, ndërkohë që në politikën e jashtme Rusia mbetet për Serbinë një aleat stradegjik.

Por ajo që e bëri edhe më interesante vizitën e Olaf Sholtz nw Kosovw është përmendja e Procesit të Berlinit dhe njoftimi se në vjeshtë do mbahet një samit posaçërisht për këtë proces. Ndërkohë po në fillim të vjeshtës është lajmëruar që në Serbi do mbahet samiti i radhës i “Open Balkan” dhe këtë e njoftoi Aleksandër Vuçiç në samitin e të mërkurës që u zhvillua në Ohër tw Maqedonisë së Veriut. Dhe ndërsa të dy proceset po ecin në rrugën e tyre me probleme nga më të ndryshme, pyetja është a kemi mbivendosje të procesit të Berlinit me “Open Balkan”? Ata që e kundërshtojnë me forcë “Open Balkan” mendojnë se jo vetëm ka mbivendosje, por Gjermania zyrtare mbështet “Procesin e Berlinit” dhe janë kundër “Open Balkan”. Por nëse e lexon me kujdes deklaratën e kancelarit gjerman shikon se impenjimi i tij është bashkëpunimi rajonal dhe në asnjë rast ai nuk foli kundër nismës “Open Balkan”. Edhe skeptikët më të mëdhenj ndaj “Open Balkan” u qarësuan edhe më shumë kur në samitin e Ohrit. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha dy ditë më parë për këtë samit për radion “Evropa e lirë” se “Open Balkan” do të tërheqë investime në energji, banka, prodhim, shërbime dhe sektorë të tjerë në një treg prej 20 milionë punëtorësh dhe klientësh të arsimuar në zemër të Evropës. Por fjalia më e qartë e zëdhënësit në mbështetje të kësaj nisme ishte:

“Shtetet e Bashkuara i mbështesin këto dhe nisma të tjera plotësuese, të cilat kolektivisht thellojnë bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe avancojnë rrugën evropiane”.

Kjo deklaratë ishte atje ku e kishte lënë i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, i cili në një lidhje me video nga Washingtoni e mbështeti po aq fortë iniciativën e “Open Balkan” vetëm se ai këmbënguli se shtetet që i janë bashkuar kësaj iniciative duhet të angazhohen për trajtim të barabartë për gjithsecilin shtet të Ballkanit Perëndimor. Tha Escobar:

“Unë sinqerisht ju inkurajoj që kjo iniciativë të mbetet ekonomike. Nuk është një projekt politik. Është një projekt i rëndësishëm ekonomik. Nëse e mbani si iniciativë ekonomike ju do të keni më shumë mbështetje.”

Shumë më i vendosur dhe mbështetës ishte Komisioneri Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi i cili mori pjesë fizikisht në samitin e Ohrit. Varhelyi foli vetëm me nota vlerësuese për këtë nismë:

“Open Balkan’ duhet të vazhdojë, Më vjen mirë që shoh sot sesi do të nënshkruhen marrëveshjet dhe sesi kanë ndikuar për mirë marrëveshjet e mëparshme. Vlerësoj se derisa nisma e ‘Open Balkan’ bazohet në përshpejtim dhe adaptim të normave të Bashkimit Europian, ne do të jemi këtu që t’iu mbështesim që të arrijmë rezultate më të larta. Mendoj që kjo është shumë nismë pozitive, kjo është e ardhmja që mund të krijojmë që sot”.

Një tjetër element ishte se në Samitin e Ohrit, nga tre pjesmarrës në samitet e mëparshme nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor u bënë pjesë pesë prej tyre. Mali i Zi me kryeministrin Dritan Abazoviç, Bosnje Hercegovina me kryetarin e Këshillit të Ministrave Zoran Tegeltija, iu bashkuan si vëzhgues kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski duke bërë hapjen e “Open Balkan”. E megjithatw, i munguari i madh në këtë samit dhe në këtë nismë mbetet Kosova. Po atëherë përse Kosva nuk merr pjesë në “Open Balkan? Përse gjithnjë e më shumë kryeministri Albin Kurti mban qendrim stoik për këtë pjesmarrje dhe se përgjigjja e tij e përhershme është se nga ky proces përfiton vetëm Serbia dhe Kosova nuk trajtohet e barabartë? Përse Albin Kurti e cilëson si produkt të Rusisë edhe këtë samit? Dhe si Albin Kurti janë jo pak politikanë të Kosovës që mendojnë dhe kanë të njëjtin qendrim si ai. Presidentja Vjosa Osmani më shumë se një herë ka konkluduar se kjo nismë vonon integrimin evropian. Ndërkaq, Edita Tahiri, negociatorja e njohur mes Kosovës dhe Serbisë dhe një prej politikanëve më koherente e zhvillimeve mes dy vendeve, bëri një përcaktim negativ për linjën që po ndjek Shqipëria. Shkroi Edita Tahiri:

“Në marrëdhënie ndërkombëtare, afrimi i tepërt me drejtimin e gabuar të kushton me të qenit i anashkaluar! Drejtim i gabuar është ‘ballkani i hapur’, si pasojë sot u anashkalua Tirana nga vizita e kancelarit gjerman në Ballkanin Perendimor!”.

Duket se mes politikën e Jashtme Kurti dhe kosova zyrtare dhe disa politikanë atje po bëjnë politikë të brendshme. Kryeministri Kurti nuk po del dot nga premtimet e mëdha patriotike që ka bërë në start të karrierës së vet politke. Ende i kemi te freksët deklaratat e tij se flamuri me ngjyrat blu dhe të e verdhë të Kosovës nuk e frymëzojnë. Se ai është për simbolet patriotike dhe bashkimim i kombit në projektin e tij është jo vetëm mes Kosovës dhe Shqipërisë por edhe me Çamërinë, Luginën e Preshevës si dhe trojet shqiptare në Maqedoni dhe në Malin e Zi. Nisur nga kjo panoramë e bukur dhe idealiste por pothuajse e pamundur nw realitet, çfarëdo që të ndodhë, Kurti nuk mund ti harrojë premtimet e tij patriotike. Ndonëse nuk e përmend më premtimin se do bashkojë të gjitha trojet ai vijon të vizatojë veten si kryeministër patriotik sepse ndryshe kështu do ti binte kauza që ngriti. Dhe kjo pasqyrohete dhe në raportet e tij me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama a thua se këto raporte i ka me një shok që janë zënë ashtu për një muhabet dhe jo se Rama përfaqëson Shqipërinë.

Që Edi Rama ka dhjetra probleme me qeverisjen e tij dhe vetë si politikan kjo është mëse e dukshme. Ne këtu në Tiranë, mund ti bëjmë lehtë atij 1,10 apo100 kritika dhe akuza bashkë. Por që ta cilësosh Ramën se të gjithë këtë e bën që tia japë në pjatë Kosovën Aleksandër Vuçit kjo është së paku një diletantizëm politik. Por edhe sikur largqoftë Edi Rama të ishte i tillë, a do ta lejonte këtë krim SHBA që Kosovën si shtet të pavarur e ka projektin e saj ekskluziv? Zor se besohet kjo. Megjithatë duket se më shumë se gjithçka politikanëve amerikanë dhe atyre evropianë u intereson më shumë bashkëpunimi në rajonin e trazuar se sa armiqësimi. Serbia është Serbi dhe ne si komb shqiptar nuk mund t’ia falim krimet e saj të kryera në Kosovë. Serbia është Serbi dhe e dimë që nuk ka kërkuar falje. E dimë që edhe Vuçiç ka qenë zëdhënës i kasapit Sollobodan Milosheviç. Por a janë këto argmente për të mos bashkëpunuar ekonomikisht me një shtet kur në fakt prej andej vijnë jo pak mallra ushqimorë dhe furnizojnë dollapet dhe frigoriferët e shqiptarëve si në Kosovë, madje edhe në Shqipëri. Atëherë përse të mos krijohen bashkëpunime ekonomike ndërshtetërore për të krijuar lehtësira?

Kurrë nuk ishte imagjinuar qoftë edhe 20 vjet më parë se në rajonin ballkanik do kishte tre kryeministra shqiptarë, ai i Shqipërisë, i Kosovës dhe i Malit të Zi dhe një kryetar kuvendi të Maqedonisë se Veriut. Por ama kurrë nuk ishte parashkuar se pavarësisht kësaj shqiptarët në krye të këtyre shteteve nuk do bashkëpunonin. Bërja e politikës të keqe brenda shtetit do sjellë politikë po të keqe jashtë shtetit. Dhe kjo është arsyeja përse nuk bashkëpunojnë shqiptarët, veçanërusht Albin Kurti dhe Edi Rama. Fotoja e presidentes Vjosa Osmani dhe e Edi Ramës në Selanik ku qendronin të ndarë si armiq në një tavolinë të përbashkët me disa liderë evropianë është simbolika më e saktë se çfarë po ndodh mes Shqipërisë dhe Kosovës. Të gjithë fajin e ka politika e brendshme dhe sigurisht politikanët që e drejtojnë këtë politikë. Duhet të jemi të kënaqur që të paktën “Open Balkan” është hapur dhe “Procesi i Berlinit” është në proces.