Kanë përfunduar dy ndeshjet e para të javës së 16 të Ipko-Superligës së Kosovës, ku në fushë kanë zbritur Ferizaj-Prishtina dhe Drenica-Trepça 89’. Bardhekaltrit e Prishtinës nuk kanë arritur të shkojnë më shumë se një barazim pa gola në transfertë ndaj Ferizajt.
Ferizaj renditet në vendin e parafundit në klasifikim, ndërsa të besuarit e Josës nuk kanë mundur të shkëputen në krye, duke rrezikuar tashmë edhe kreun, pasi janë vetëm 2 pikë para Ferronikelit, që ka edhe një ndeshje më pak.
Sakaq, Trepça 89’ është rikthyer te humbjet, duke u mundur në transfertë nga Drenica, me rezultatin e pastër 3-0. As largimi i Gugash Maganit, duket se nuk po ndikon aspak në rezultatet e Trepçës, që në 6 ndeshjet e fundit, ka marrë vetëm një fitore.
Me këtë rezultat, Drenica ngjitet në vendin e shtatë, ndërsa Trepça në vendin e tetë. Titulli kampion duket se do të diskutohet mes dy skuadrave, Prishtinës dhe Ferronikelit, me këtë të fundit që do të ndeshet në fushën e Dritës, kampiones në fuqi.