Presidenti i SHBA Donald Trump ka thënë se CIA nuk arriti në përfundimin se Princi saudit Mohammed bin Salman urdhëroi vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.
“Ata nuk kanë dalë në këtë përfundim”, tha Trump, kur u pyet mbi vlerësimin e raportuar të CIA-s nga reporterët e pranishëm në Florida.
“Ata kanë shprehur thjesht bindjet e tyre. Unë e kam raportin, por nuk ka një konkluzion të qartë. Nuk e di nëse dikush do të mund t’i shkojë deri në fund e të dalë në përfundimin se princi i kurorës e ka bërë këtë gjë. Megjithatë, e ka bërë apo jo, kjo s’ka rëndësi. E rëndësishme është që ai e mohon me vendosmëri, sikurse edhe i ati, mbreti i Arabisë”, tha Trump.
Komentet e tij të së enjtes vijnë në kohën kur princi saudit i kurorës nisi një tur rajonal në Lindjen e Mesme, duke nisur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i pari udhëtim i tij jashtë vendit që prej vrasjes së Khashoggit.
Princi pritet gjithashtu të marrë pjesë në një takim të G20 të liderëve botërorë në Buenos Aires në fund të muajit, ku do të marrin pjesë udhëheqës nga SHBA, Turqia dhe një numër i vendeve evropiane.
Britania më parë i ka bërë thirrje autoriteteve saudite që të shpjegojnë plotësisht vdekjen e Khashoggi.
Ndërkohë, Franca ka njoftuar se po vendos sanksione ndaj 18 shtetasve sauditë, njësoj si SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania, që thuhet se lidhen me vrasjen Khashoggi.
Presidenti amerikan ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e Arabisë Saudite në SHBA pas vrasjes, duke e quajtur mbretërinë një “partner të palëkundur” që ka rënë dakord të investojë “një sasi rekord parash” në SHBA.
Më 17 nëntor, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders u tha gazetarëve se Trump kishte besim tek CIA pas bisedave me drejtorin Gina Haspel dhe sekretarin e shtetit Mike Pompeo lidhur me vrasjen Khashoggi.
Burimet e cituara në mediat amerikane në atë kohë theksuan se nuk kishte asnjë provë të vetme që lidh princin e kurorës drejtpërdrejt me vrasjen, por zyrtarët besojnë se vrasja është urdhëruar prej tij.