Koleksioni më i madh në botë i artit nga Lindja e largët, gjendet në muzeun e Pallatit të Pekinit, në zemër të Qytetit të Ndaluar, me rreth 5 000 vjet histori.
Tani, më shumë se 900 prej tyre, janë ekspozuar në muzeun e ri të Pallatit të Hong-Kongut – një “dhuratë” e qeverisë kineze, që përkon me 25-vjetorin e dorëzimit të qytetit, nga sundimi britanik tek ai kinez.
Ndërsa, nuk ka asgjë politike brenda koleksionit të tij – të paktën, sipas standardeve moderne – muzeu ndezi polemika, kur u njoftua për herë të parë nga udhëheqësja në ikje, e Hong-Kongut, Carrie Lam, në fund të vitit 2016, ndoshta për shkak të mungesës së konsultimit publik përpara projektit.
Muzeu, që përfshin piktura të rralla, vepra kaligrafike, qeramikë, është “i paparë në çdo nivel”, thotë drejtori i kësaj qendre kukturore në Hong-Kong, Bernard Chan.
“Kjo është hera e parë, që po merren një numër kaq i konsiderueshëm i thesareve kombëtare… në një institucion tjetër kulturor. Mund ta imagjinoni, kompleksitetin e çështjes,” – shton ai, duke përmendur sfidat rreth transportit, sigurisë.
Muzeu ka artefakte mahnitëse, 166 prej të cilave konsiderohen “thesare kombëtare të kategorisë së parë”, e shfaqin tematika të aspekteve të jetës perandorake në Qytetin e Ndaluar dhe mbi teknikat inovative të projektimit dhe prodhimit.
Diku tjetër, një ekspozitë arti e frymëzuar nga kuajt, vë përballë vepra nga Qyteti i Ndaluar me pjesë të huazuara nga “Luvri” në Paris.
Disa nga objektet, nuk janë parë kurrë më parë, duke përfshirë dy skicat e perandoreshave, këto restauruar së fundmi.
Muzeu i Pallatit të Hong-Kongut, i projektuar nga “Rocco Design Architects Associates”, ndodhet në distriktin kulturor “West Kowloon”, me pamje nga porti “Victoria”.
Ndërkohë, për banorët e Hong-Kongut, muzeu është një destinacion veror, me 100,000 bileta të shitura tashmë, për korrikun. Përveç mundësisë për të soditur nga afër artefaktet me famë, puna e muzeut është t’i bëjë historitë e tyre, të rëndësishme për audiencën vendase, thonë ekspertët.