Duket pak e habitshme, që 3 skuadrat e kreut në Premier League vijojnë të mos njohin humbje. Manchester City, Liverpool dhe Chelsea nuk janë mposhtur, por dy të parat vijojnë marshimin në krye, teksa kanë fituar përktësisht në transfertë, 4-0 City në fushën e West Ham, ndërsa Liverpool 3-0 ndaj Watfotd.
Nuk ndryshon kreu i renditjes, me City-n që kryeson me 35 pikë, ndjekur nga Liverpool me 2 pikë më pak. Por nëse këta dy pretendentë vijojnë të bëjnë mirë, Manchester United nuk arrin të fitojë në fushën e vet, duke ngecur 0-0 ndaj Crystal Palace.
Një start rrufe i City-t, që gjeti avantazhin në minutën e 11’ falë golit të David Silva. Tetë minuta më pas ishte Raheem Sterling ai që dyfishoi rezultatin pas pasimit të Leroy Sane. Mesfushori gjerman shënoi golin e nokautit në minutën e 34’ të lojës.
Pas pushimit City arriti ta menaxhonte mirë rezultatin, megjithëse vendasit u munduan të paktën të shënonin golin e nderit. Një fitore bindëse e të besuarve të Pep Guardiola-s, që shënojnë edhe golin e katërt të takimit në sekondat e fundit falë gjermanit Sane.
Liverpool kishte një pasdite më të vështirë, por që gjithsesi doli triumfues me rezultatin 3-0 ndaj Watford në Vicarage Road. Pas një pjese të parë jo edhe aq të mirë të djemve të Jurgen Klopp, ishte Mohamed Salah ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 67’ pas pasimit të Sadio Mane.
Në minutën e 76’ Trent Alexander-Arnold dyfishoi rezultatin pas një goditjeje standarde të përsosur nga 25 metra distancë. Të Kuqtë rrezikuan disi pas kartonit të kuq të kapitenit Henderson, por pas një kundërsulmi shënuan edhe golin e tretë me Roberto Firmino, duke marrë tri pikë të rëndësishme dhe nuk i shkëputet City-t.