Pas rinovimit të Kylian Mbappé, i cili mbërriti kur lojtari dukej i destinuar të transferohej te Real Madrid i Carlo Ancelottit, Paris Saint-Germain po përshpejton hapat për të bindur edhe Leo Messin të qëndrojë në hijen e Kullës Eiffel.
Ky është raportimi ekskluziv i gazetës spanjolle “Marca”, e cila shpjegon se si palët në Paris synojnë t’ia zgjasin kontratën yllit argjentinas edhe për një vit, pra deri në qershor 2024.
Gjithashtu sipas “Marca”, klubi parizien, i cili ditët e fundit zëvendësoi trajnerin Mauricio Pochettino me Christophe Galtier, nuk ka formuluar ende një ofertë zyrtare për shtatë herë fituesin e “Topit të Artë”.
Pavarësisht kësaj, besimi që rrjedh nga disa burime shumë të afërta me klubin kampion francez është se pas një sezoni të parë përshtatjeje, Messi është gati dhe i motivuar për të përballuar të gjitha sfidat që do të dalin, nga Liga e Kampionëve deri te Kupa e Botës së Katarit me Argjentinën e tij.
Ndërkohë, pasi kaloi pushimet në Ibiza me familjen e tij, duke festuar gjithashtu ditëlindjen e 35-të në shoqërinë e miqve të mëdhenj, Luis Suarez dhe Cesc Fàbregas, si dhe shokët e tjerë të kombëtares, Leo rifilloi stërvitjen në qendrën sportive të skuadrës më 5 korrik, gati një javë më herët.