Një punim i panjohur më herët, nga Vincent Van Gogh, u gjet mbrapa një pikture tjetër. Ekspertët në Galerinë Kombëtare skoceze, dolën në këtë përfundim kur telajoja u ndriçua me rreze X, përpara sesa të ekspozohej.
Autoportreti i fshehur, ishte i mbuluar nga shtresa ngjitëse dhe kartoni, në anën e pasme të një vepre të mëparshme, titullusr “Koka e një gruaje fshatare”.
Konservatorja e vjetër e galerisë, Lesley Stevenson, u shpreh se u trondit kur gjeti artistin “që i ngulte sytë”. Ajo tha: “Kur e dalluam me rrezet X për herë të parë, sigurisht që ishim jashtëzakonisht të emocionuar.
“Ky është një zbulim shumë domethënës, sepse pasuron atë që ne dimë tanimë, mbi jetën dhe veprën e gjeniut.”
Artisti hollandez, shpesh ripërdorte kanavacat për të kursyer para, duke punuar në to, të dyja anët.