Pas 3 barazimeve radhazi në kampionat, Arsenal është rikthyer te fitorja, teksa ka mposhtur 2-1 Bournemouth në “Vitality Stadium”, në ndeshjen e javës së 13-të. Me këtë fitore Arsenal i afrohet Chelsea-t në renditje dhe mbetet në vend të pestë.
Ashtu siç pritej, ndeshja ishte e hapur që nga minuta e parë. Brooks shënoi për vendasit që pas 8’ minutave, por anësori e anuloi për pozicion jashtë loje. Një minutë më pas ishte Torreira i Arsenal që pati një mundësi të mirë por shtylla i mohoi feston mesfushori uruguaian.
Pas fiks gjysmë ore lojë erdhi goli i avantazhit për miqtë. Pas një krosi në zonë nga Kolasinac, Jefferson Lerma ka dërguar topin në portën e tij. Shumë i pafat mbrojtësi vendas.
Gjithsesi, Bournemouth gjen golin e barazimit në minutën e parë shtesë. Brooks pason te Joshua King në të djathtë, sulmuesi norvegjez godet me shumë klas topin që shkon në trekëndëshin e majtë.
Në minutën e 67’ erdhi goli i merituar i Arsenal. Ishte përsëri Kolasinac nga e majta që këtë herë gjen Pierre-Emerick Aubameyang, që godet topin nga brenda zonës drejt e në rrjetë. Vendasit mundohen të reagojnë dhe ushtrojnë presion, por nuk ia dalin të barazojnë.