Qyteti lundrues, qyteti i kanaleve, i urave, i dashurisë, qyteti më romantik, qyteti i maskave e herë-herë, qyteti më i bukur në botë! Venecia, apo Venediku, qyteti verior italian, i vendosur në lagunën moçalore veneciane, është krejtësisht unike, ndaj tërheq vizitorët nga bota mbarë. Por, numri i madh i turistëve, kaosi në transportin publik, atë rrugor e ujor, lëvizjet dhe zhurmat e mëdha, jo rrallë e zbehin pamjen dhe shpirtin venecian.
Qyteti daton diku në shekullin V të erës sonë, me rënien e Perandorisë Romake, atëherë kur barbarë nga veriu i Evropës mësynë ish-territoreve romake. Kësisoj, për t’u ikur sulmeve, popullsia e kontinentit do të kërkonte strehim në ishujt afër, si në Venecia, Torcello, Lesolo dhe Malamocco. Burrat refugjatë, thotë ciceronja italiane, nisën më pas t’i vendosin familjet përhershëm në hapësirën e lagunës veneciane, larg armiqve të shumtë dhe larg ndikimeve të tjera, duke e nisur kështu historinë e qytetit të kanaleve.
Me gjithë këto karakteristika dhe histori, Venecia misterioze sa edhe ndjellëse bëhet i pari qytet në botë, që do të krijojë një regjistër për turistët e huaj që do të vizitojnë vendin, duke paguar një tarifë hyrjeje. Teksa qeveria lokale thotë se e sheh këtë si zgjidhjen e vetme, për të frenuar turizmin e tepërt, vizitorët dhe pronarët e bizneseve thonë se ky sistem i ri është i padrejtë, madje i mbushur me sfida logjistike.
Venecia është një nga qytetet më të vizituara në botë, që tërheq çdo vit mbi 20 milionë turistë të huaj, falë kanaleve dhe sheshit të saj të famshëm. Por tashmë, kushdo që mendon ta vizitojë, duhet të parashikojë edhe një kosto ekstra, teksa qyteti po bëhet gati për të vendosur një taksë hyrjeje. Këshilli lokal i qytetit synon që përmes kësaj takse, të mund të menaxhojë më mirë fluksin e turistëve, sidomos në muaj që konsiderohen piku i turizmit.
Aktualisht, diskutimet janë për një taksë që varion nga 3 deri në 10 euro dhe debatet, këtu janë përqendruar.
Po mendohet që taksa të paguhet vetëm nga turistët ditorë, të cilët taksën do ta paguajnë në faturën e akomodimit. Ndërsa nga taksa do të përjashtohen ata që drejt Venecies, udhëtojnë për punë, apo për studime, ata që vizitojnë familjarët apo turistët që udhëtojnë drejt qytetit si pjesëmarrës në evente kulturore, apo sportive. Nëse deklarata që ata firmosin për motivin, përse do të vizitojnë Venecien dhe provohet që arsyeja është false, mund të përballen edhe me akuza kriminale.
Taksa e re, pritet të hyjë në fuqi prej 1 janarit të vitit të ardhshëm