Në Zvicër luajnë një kontigjent i madh shqiptarësh, një pjesë përfaqësojnë Shqipërinë, një pjesë Kosovën, pastaj pjesa tjetër Zvicrën, me përjashtimin e vetëm që njëri ka luajtur me Serbinë.
Java që lamë ka qenë mjaft pozitive për ta, pasi kanë arritur të bëjnë paraqitje të mira dhe madje të jenë vendimtarë me golat e shënuar. Kështu, në formacionin e javës bëjnë pjesë katër futbollistë shqiptarë, të cilët kanë arritur të fitojnë një vend në 11-shen më të mirë.
Qendërmbrojtësi i Kombëtares, Arlind Ajeti, ka qenë një ndër më të dalluarit me Grasshopers dhe është zgjedhur në formacion. Kujtojmë që Ajeti ka kohë që nuk grumbullohet në Kombëtare, megjithëse në ndeshjet e fundit po luan rregullisht në Zvicër.
Mesfushori i Kosovës, Hekuran Kryeziu, është lideri në këtë formacion falë dy golave të shënuar me fanellën e Zurich. Ndërkohë, edhe Bastien Toma që ka vendosur të luajë për Zvicrën, ka bërë një paraqitje të mire.
Ndërsa Shkëlqim Demhasaj, që refuzoi Shqipërinë për Zvicrën, dhe tani luan me Kosovën, udhëheq sulmin në formacionin e javës së bashku me Miralem Sulejmanin e Young Boys, që ka luajtur me kombëtares e Serbisë.