MENU
klinika

Çfarë e detyroi qeverinë të shtynte vendimin?

Orët e tensionit në veri të Kosovës, si u zhbllokuan rrugët

02.08.2022 - 11:45

GENC ÇAUSHI/ Rrugët në Veri të Kosovës që të çojnë në dy vendkalimet kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak – u zhbllokuan të hënën nga grupe serbësh, të cilët të dielën u hodhën në protesta kundër vendimeve të qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit me Serbinë lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe.

Qeveria e Kosovës vendosi pak para mesnatës së të dielës që të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimeve, pas këshillimit me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, i cili kërkoi një shtyrje 30- ditore. Kjo kërkesë u bë edhe nga zyrtarët e Bashkimit Europian. Qeveria e Kosovës tha se shtyrja e zbatimit të vendimeve hyn në fuqi nga çasti “kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në Veri të Kosovës”. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën në një konferencë me gazetarë se e kupton brengën e diplomatëve europianë dhe amerikanë për efektin negativ të fushatës së dezinformimit mbi vendimet për reciprocitetin dhe, për këtë arsye, është vendosur shtyrja e zbatimit të tij.

“Nuk do të lejojmë destabilizimin e rendit kushtetues demokratik të Republikës sonë, do të përkujdesemi që të mbizotërojë ligji dhe paqja, për siguri e mirëqenie për të gjithë qytetarët pa dallim. U bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë, kryeqendrave perëndimore e demokratike, BE-së dhe NATO-s, që të dënojnë dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në Veri të Kosovës, të cilat janë qartazi të nxitura, të përgatitura e financuara nga Beogradi”, tha ai. Sipas vendimeve që qeveria është zotuar t’i shtyjë, të gjithë shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë do të pajisen me një dokument të përkohshëm që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal. Sipas vendimit të qeverisë së datës 29 qershor, nga e hëna, më 1 gusht, duhej të rridhte afati dy muajsh për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, t’i regjistrojnë ato me targat e Kosovës RKS.

Në vendkalimet tjera kufitare me Serbinë, që nga mesnata ka filluar lëshimi i dokumenteve të përkohshme. Policia tha se gjendja në Veri të Kosovës është e qetë, pas një nate të trazuar që ngriti shqetësimet për gjendjen e sigurisë në rajon. Forcat paqeruajtëse të drejtuara nga NATO thanë të dielën se po e ndjekin nga afër situatën dhe janë të gatshme të ndërhyjnë nëse rrezikohet qëndrueshmëria. KFOR-i tha se do të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt në Kosovë”. Rreth 3,800 pjesëtarë të KFOR-it kujdesen për sigurinë në Kosovë edhe 23 vjet pas përfundimit të luftës. Bashkimi Europian tha se çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të trajtohen nëpërmjet bisedimeve të lehtësuara prej tij dhe duke u përqendruar në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet tyre, që janë thelbësore për rrugën drejt integrimeve europiane.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Europian. Por ajo kundërshtohet nga Serbia e mbështetur nga Moska, e cila të dielën akuzoi autoritetet e Kosovës për “veprime diskriminuese”. Serbia është vendi i vetëm në Europë që nuk iu është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kurti: Ballkani i Hapur nëse ndryshon Serbia

“Nuk mund të ketë asociacion mbi baza etnike”


Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë