Kushdo që përjeton një cikël menstural e di se si ndryshimi i hormoneve ndikon në lëkurë. Gjatë ovulimit, lëkura është në kulmin e saj: E pastër dhe rrezatuese.
Ditët para fillimit të menstruacioneve janë zakonisht ditët ku lëkura acarohet, është më e yndyrshme se më parë dhe mund t’ju shtohen më shumë njolla.
Ky ndryshim ndodh për shkak të rënies së estrogjenit në fund të ciklit, por një ndryshim i ngjashëm në hormone (së bashku me progesteronin) ndodh edhe kur hyni në pre-menopauzë dhe menopauzë.
Trupi në mënyrë natyrale fillon të prodhojë më pak estrogjen, gjë që mund ta bëjë lëkurën të duket më e thatë dhe jo shumë e shndritshme. Gjatë kësaj kohe, ju gjithashtu mund të përjetoni acarime të lëkurës.
Është e pamundur të parandalohen ndryshimet hormonale që vijnë me këtë fazë të jetës, por ka disa gjëra që mund të bëjmë gjithsesi, për një lëkurë të shëndetshme.
Fillimisht, le të kuptojmë: Çfarë roli ka estrogjeni në shëndetin e lëkurës?
Estrogjeni është një hormon i rëndësishëm për shumë funksione trupore – duke përfshirë ruajtjen e asaj që konsiderohet lëkurë rinore. Ai ndihmon në parandalimin e plakjes së lëkurës kur është në nivelet e duhura dhe parandalon uljen e kolagjenit dhe elasticitetit së lëkurës.
Ndihmon gjithashtu në mbajtjen e lëkurës të hidratuar, kjo është arsyeja pse lëkura pas menopauzës është zakonisht më e thatë se më parë.
Është treguar gjithashtu se luan një rol në ruajtjen e integritetit dhe funksionit të pengesës së jashtme mbrojtëse të lëkurës, të quajtur stratum corneum.
Ndërsa ulja më e madhe e estrogjenit ndodh gjatë menopauzës, trupi gradualisht prodhon më pak kolagjen ndërsa plakemi. Estrogjeni luan një rol të madh në prodhimin e kolagjenit, së bashku me funksionet e tjera.
Prodhimi i kolagjenit bie në mënyrë të vazhdueshme – duke filluar nga të 30-at. Por në kohën kur jemi në të 40-at, shenjat e humbjes së kolagjenit janë më të dukshme. Nëse ndodh menopauza, gratë mund të humbasin rreth 30% të kolagjenit në pesë vitet e para të menopauzës.
Si të “imitoni” efektet e estrogjenit në rutinën tuaj të kujdesit për lëkurën
Estrogjeni nuk gjendet në produktet e kujdesit të lëkurës pa recetë, por markat kanë zhvilluar përbërës sintetikë që mund të imitojnë përfitimet që hormoni ka në lëkurë.
Ka një sërë përbërësish aktualë që përsërisin aftësinë e estrogjenit për të sintetizuar kolagjenin dhe elastinën. Përbërësi kryesor që e bën këtë me efikasitetin më të madh është retinoli, i cili ka qenë prej kohësh i famshëm për aftësinë e tij për të stimuluar kolagjenin. Vitamina C dhe peptidet janë dy përbërës të tjerë që ndërtojnë kolagjenin.
Përfshirja e AHA-ve dhe BHA-ve gjithashtu mund të ndihmojë në minimizimin e ndikimit që një rënie në estrogjen ka në lëkurë. Përdorimi i rregullt i këtyre acideve gradualisht ndihmon lëkurën të bëhet më e mirë në prodhimin e kolagjenit, pasi ato bëjnë që qelizat e lëkurës të mendojnë se lëkura është e dëmtuar, duke aktivizuar një mekanizëm qelizor të brendshëm për të shkaktuar sintezën e kolagjenit si një përgjigje për shërimin e “plagëve”.
Cilat trajtime mund të bëhen për të kompensuar mungesën e estrogjenit?
Dermatologët mund të sugjerojnë trajtime për rritjen e kolagjenit në lidhje me një regjim të kujdesit të lëkurës në shtëpi. Këto procedura përfshijnë, por nuk kufizohen domosdoshmërisht në, lazer, microneedling me dhe pa radiofrekuencë dhe peeling kimik të thellësive të ndryshme.
Burimi: In Style