Milan e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar 4-2 në shtëpi me Udinesen. Start kampionësh, teksa treguan grintë, karakter, duke përmbysur rezultatin dhe duke kaluar sërish në avantazh kur u barazuan.
Është Udinese ajo që bën surprizën e parë në këtë takim, ndërsa gjen menjëherë rrugën e rrjetës falë golit të Becao pas vetëm dy minutash lojë. Milani nuk e humbet toruan dhe fillon sulmin për të përmbysur takimin. Brahim Diaz krijon rrezik në portën kundërshtare ndërsa Soppy shkakton një 11- metërsh në dëm të Calabrias.
Nga pika e bardhë e penalltisë vendoset Theo Hernandez që çon portierin në anën e kundërt dhe ndal topin në rrjetë. Vetëm dy minuta më vonë Rebic justifikon besimin e trajnerit dhe kalon Milanin në avantazh për herë të parë në këtë takim.
Kur pritet që ekipet të shkojnë në dhomat e zhveshjes në avantazhin e Milanit, Udinese surprizon sërish dhe i çon shifrat në 2-2 falë golit të Masina. Pjesa e dytë nis menjëherë me gol. Këtë herë është Brahim Diaz që kalon Milanin në avantazh pasi shfrytëzon një gabim të mbrojtjes së Udineses.
Rezultati final i takimit vuloset nga Ante Rebic që shënon edhe një dygolësh personal në këtë takim. Kështu, Serie A rinis me emocion dhe spektakël, Milani fiton me goleadë, kampionët në fuqi të Milanit e nisin me hapin e duhur dhe grumbullojnë menjëherë tre pikët e para.
Edhe Atalanta e nisi me fitore, duke mposhtur 2-0 Sampdorian, në fushën e kësaj të fundit. Berat Gjimshiti e nisi titullar dhe luajti për 90 minuta të plota, duke bërë një paraqitje të mirë në start.