I menjëhershëm ka qenë edhe kundërpërgjigja e klubit të Skënderbeut pas deklaratës së bërë nga Partizani për ngjarjet e Korçës, ku dy tifozëritë e ekipeve të sipërpërmendura u konfliktuan mes tyre, ku nuk munguan gurët dhe sendet e forta.
Skënderbeu shigjeton tifozët e Partizanit, që sipas klubit korçar, janë përgjegjësit kryesorë, madje kanë prapavijë politike, duke pasur mbrojtje. Gjithsesi, klubi i Skënderbeut deklaron se ngjarja është duke u hetuar.
DEKLARATË E KLUBIT TË SKËNDERBEUT
E Ripërsëritur!
Duke marrë shkas nga ngjarjet e ndodhura ditën e premte gjatë zhvillimit të ndeshjes Skënderbeu – Partizani, në Stadiumin ‘Skënderbeu’ dëshirojmë të reagojmë dhe kërkojmë nga autoritetet përkatëse zbardhjen e çështjes dhe nxjerrjen para ligjit të autorëve.
Bilanc lufte në 4 vitet e fundit! Ata që viktimizohen dhe përgjegjësinë e tyre prej vitesh e adresojnë tek të tjerët, duke trilluar dhe skenarë të formave të ndryshme në 4 vite e fundit gjatë transfertave në Korçë, kanë shkaktuar minimalisht 3 milionë lekë dëme materiale dhe me dhjetëra të plagusur.
Kur do të vijë momenti që përgjegjësia t’iu kalojë atyre që shkaktojnë trazira? Atyre që dhunojnë, shkatërrojnë stadiume dhe rrezikojnë jetën e qindra fëmijëve dhe sportdashësve të tjerë, të cilët 90’ minutat e takimit i shohin vetëm si mënyrë argëtimi dhe jo lufte.
KF Skënderbeu bën thirrje për implementimin e plotë të ligjit për sportit dhe individualizimin e përgjegjësisë. Nuk mund të vijohet më me dënime kolektive që dëmtojnë produktin tonë dhe investimet e klubeve.
Nuk mund të jenë ende të paprekshëm grupime me prapavijë dhe mbështetje politike, i njëjti grupim që shkaktoi trazirat ditën e premte në Korçë, duke përfituar nga paprekshmëria kanë shkaktuar të njëjtin incident thuajsë në të gjitha stadiumet e Kategorisë Superiore.
Është fakt! E njëjta tifozëri, ka shkaktuar incidente të ngjashme edhe me prezencën e forcave të policisë në pjesën e brendshme në stadiumit, duke përfituar nga paprekshmëria dhe duke qenë vazhdimisht të privilegjuar nga mbështetja politike.
Në dijeninë tonë, incidenti i ndodhur në stadiumin ‘Skënderbeu’ ditën e premte po hetohet nga Prokuroria e Rethit Korçë.
Nisur nga ky fakt, KF Skënderbeu i kërkon Komisionit të Disiplinës pranë FSHF të presë zbardhjen e çështjes nga ana e Prokurorisë në lidhje me incidentin në fjalë dhe, po ashtu, kërkojmë nga Prokuroria e Rethit hetimin me një standart të dy tifozërive dhe jo vetëm të grupimit bardhekuq, në mënyrë që të dalin përgjegjësit e vërtetë të incidentit.
Në stadiumet shqiptare nuk mund të ketë më të paprekshëm me prapavijë politike. Ata që prej vitesh dëmtojnë investimet tona, dhunojnë pronën privatë, prishin qetësinë publike dhe mbi të gjitha largojnë tifozët nga stadiumet.
Me respekt, KF Skënderbeu!