MENU
klinika

Ndër ngjarjet më të mëdha

Në mbi 100 kinema, përcjellja e mbretëreshës

18.09.2022 - 20:16

         Funerali shtetëror i mbretëreshës Elizabetë, do të shfaqet nga rreth 125 kinema në të gjithë Britaninë. Po ashtu, në parqe, sheshe dhe katedrale do të ketë ekrane për të pasqyruar ngjarjen e madhe ceremoniale.

E gjithë ceremonia do të përcillet gjithashtu, drejtpërdrejt, në televizion nga BBC, ITV dhe Sky. Presidentë, kryeministra dhe anëtarë të familjes mbretërore nga e gjithë bota, do të kryejnë nderimet për monarken më jetëgjatë të Britanisë, e cila u nda nga jeta më 8 shtator, në moshën 96-vjeçare.

Hyrja në shfaqjet e kinemasë është falas, ka bërë të ditur Shoqata e Kinemasë në Mbretërinë e Bashkuar. Prej ditësh me radhë, qindra mijëra njerëz janë mbledhur në radhë kilometrike në “Westminster Hall”,    për të bërë nderimet për mbretëreshën.

Kjo është ngjarja më e madhe, pas funeralit të princeshës Diana në vitin 1997, Olimpiadën e Londrës më 2012 dhe dasmat mbretërore. Strukturat hoteliere dhe bizneset e shitjes me pakicë, që zakonisht qëndrojnë të hapura për të përfituar nga rritja e kërkesës, do t’i mbyllin dyert, në shenjë respekti për monarken.

Ndërkaq, Aeroporti “Heathrow” i Londrës, do të punojë me kapacitet shumë të vogël, për të reduktuar zhurmën në qendër të Londrës, ndërsa janë anuluar një pjesë e madhe e fluturimeve. Duke filluar nga “Southwark Park”, pamjet me dron tregojnë mijëra njerëz që qëndrojnë në radhë pranë monumenteve kryesore të Londrës, si: teatri “Globe”, “Tower Bridge” dhe Shtëpitë e Parlamentit përgjatë bregut të lumit “Thames”.

Lulet dhe flamujt kanë veshur kryeqytetin anglez që prej 8 shtatorit, ndërsa përreth pallatit mbretëror janë ngritur kopshte dhe parqe.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mbretërim në dy shekuj

Kush ishte Elizabeta II

Nuk dorëzohen, mbretëreshat!

Elizabeta refuzon çmimin ”diskriminues”

“Balmoral Lipstick”

Elizabeta ishte edhe tifoze…