Pasuritë e paluajtshme po bëhen dukshëm sektori dominues i investimeve të huaja në Shqipëri. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e dytë të këtij viti investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën rekord të 83 milionë eurove, më e larta e regjistruar ndonjëherë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, investimet e huaja në prona janë rritur me 66%.
Në të njëjtën linjë janë edhe shifrat progresive të 6-mujorit 2022. Investimet e huaja direkte në pasuri të paluajtshme arritën vlerën e 142 milionë eurove, në rritje me 77.5% krahasuar me 6-mujorin 2021. Edhe 6-mujori përfaqëson vlerën më të lartë historike të investimeve të huaja direkte në këtë sektor.
Blerjet e shtetasve të huaj po bëhen një faktor me peshë në tregun e pronave në Shqipëri.
Vitin e kaluar transaksionet e blerësve të huaj përbënin rreth 21% të volumit zyrtar të tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, të matur nga Instat. Për shkak të pozicionit të Shqipërisë, klimës, sistemit të favorshëm të taksimit në krahasim me vendet ku jetojnë, gjithnjë e më shumë shtetas të huaj po vendosin të investojnë në një pronë në Shqipëri, sidomos në zonat bregdetare.
Ndërkohë, këtë vit edhe sektorët e industrisë nxjerrëse dhe të energjetikës po shfaqin rritje, duke ruajtur një pozicion të rëndësishëm në strukturën e investimeve të huaja direkte në vend. Për 6-mujorin, investimet në sektorin e industrisë nxjerrëse arritën në 114 milionë euro, në rritje me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Flukset në këtë sektor konsistojnë kryesisht në fitime të riinvestuara të kompanive ekzistuese në aktivitetin e nxjerrjes së naftës bruto. Rritja e çmimeve të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare këtë vit duket se ka nxitur edhe shtimin e investimeve të huaja në nxjerrjen e naftës në Shqipëri.
Rritje edhe më të lartë shënuan investimet në sektorin energjetik, që për 6-mujorin arritën në 103 milionë euro, në rritje me 145% krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar. Energjetika udhëhoqi rritjen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri për vite me radhë, kryesisht falë investimit madhor në gazsjellësin TAP, por edhe projekteve të tjera të rëndësishme të investimeve të huaja, sidomos në energjinë hidrike. Pas përfundimit të këtyre projekteve, ritmi i investimeve këtyre investimeve shënoi një rënie, por ky vit po shfaq sinjale të një rritjeje të re. Rritja e çmimeve të energjisë kanë rritur interesin rreth energjive të rinovueshme dhe sidomos, në vitet e fundit, rreth energjisë nga burimet diellore.
Një tjetër sektor ku këtë vit po shënohet rritje e dnjeshme e investimeve të huaja direkte është industria përpunuese. Për 6-mujorin, investimet e huaja në këtë sektor arritën në 84 milionë euro, në rritje me 95% krahasuar me një vit më parë. Deri tani, investimet e huaja në industirnë përpunuese kanë qenë kryesisht të përqendruara në sektorët e fasonerisë.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet e huaja direkte në gjysmën e parë të vitit arritën një shifër rekord prej 634 milionë eurosh, niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit. Vlera e investimeve të huaja direkte deri tani këtë vit paraqitet në rritje me 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./MONITOR