MENU
klinika

Pesë lekë për litër

30.11.2018 - 11:49

Tregu shqiptar ka nisur të reflektojë ndaj uljes së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare. Në pikat e karburantit në kryeqytet, çmimi i gazoilit dhe benzinës është ulur me rreth pesë lekë për litër. Aktualisht, çmimi i naftës diesel fillon nga rreth 175 lekë për litër, ndërsa ai i benzinës, 1-2 lekë më shumë.

Në dy muajt e fundit, çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka rënë me pothuajse 50%. Nafta bruto kuotohet aktualisht pranë kufirit të 50 dollarëve amerikanë për fuçi. Reflektimi i uljes në tregun shqiptar të karburanteve ka ardhur me vonesë dhe pothuajse në mënyrë të njëkohshme në të gjitha pikat e furnizimit me pakicë.

Tregu i karburanteve në Shqipëri ka karakteristikat e një oligopol, ku importi dhe shitja e shumicë është e përqendruar në tre-katër kompani të mëdha.

Një hetim nga Autoriteti i Konkurrencës, tre vjet më parë, evidentoi probleme në funksionimin e tregut të importit dhe shumicës. Nga hetimi dolën disa rekomandime për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, por këto rekomandime nuk u morën asnjëherë parasysh.

Nga ana tjetër, prodhimi i karburanteve në vend është i paralizuar, për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme të sipërmarrësve në Rafinerinë e Ballshit. Mungesa e prodhimit në vend nuk mundëson një efekt sadopak amortizues në çmimet e nënprodukteve të naftës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN