Ngjarja duket thuajse e denjë me skenën hapëse të një filmi të sagës “James Bond”. Gazsjellësit jetikë të gazit rus që kalojnë nën Detin Baltik pranë Danimarkës dhe Suedisë, janë viktima të një akti sabotazhi. Të dyja vendet kanë paralajmëruar për rrjedhje gazi nga “Nord Stream 1” dhe Nord Stream” 2, ndërsa sizmologët raportuan për shpërthime të forta nënujore.
Askush nuk dëshiron të marrë përgjegjësinë për aktin. Po kush qëndron pas kësaj skenari të tmerrshme? Ish-ministri i Jashtëm polak Radek Sikorski, që nuk është ndonjë simpatuzues i Rusisë, shkroi me ironi në Twitter “Faleminderit SHBA!”. Kjo i mobilizoi shumë shpejt teoricienët e konspiracionit.
Ata rishfaqën në rrjet një video të një deklarate të muajit shkurt, ku presidenti amerikan Joe Biden premtoi se Amerika do t’i jepte fund “Nord Stream 2”. Një vlerësim më konvencional erdhi nga Melinda Haring, zëvendësdrejtoresha e Qendrës Eurazia të Këshillit Atlantik, dhe një mbështetëse e vjetër e një linje të ashpër ndaj Rusisë, paralajmërimet e së cilës gjatë viteve të fundit mbi qëllimet keqdashëse të Kremlinit janë vërtetuar në shumë raste.
“Natyrisht, që këtë e bëri ai”- më tha ajo, duke nënkuptuar presidentin rus Vladimir Putin. Supozimi i saj është logjik. Dhe këtij qëndrimi është duke i bërë jehonë edhe Ukraina. Këshilltari i presidentit Zelensky, Mykhaylo Podolyak, e quajti atë një “sulm terrorist” dhe një “akt agresioni” ndaj Bashkimit Evropian nga e Moskës.
E kush tjetër përveç Rusisë kishte burimet dhe motivin, për të dërguar komando dhe zhytës në thellësi në Detin Baltik për të shkatërruar gazsjellësit? Dihet tashmë se Putini ka kërkuar vazhdimisht që ta përshkallëzojë kundërvënien e tij ndaj Perëndimit.
Sa më shumë që trupat e tij po humbin pozicionet në jug të Ukrainës, aq më shumë ai kërkon të shtojë presionin mbi Evropën me shpresën e përçarjes së aleancën atlantike. Por nëse Moska është përfshirë vërtet në këtë akt luftarak, atëherë ajo ka kryer një gabim të ri.
Në këtë rast më vjen ndërmend komenti i famshëm i Talleyrand për vrasjen e Duc d’Enghien nga Napoleoni:Ishte më keq se një krim; ishte një gabim! Sa në mënyrë të pamëshirshme të sillet Putin, aq më e bashkuar do të bëhet Evropa në kundërshtimin e sundimit të tij të çmendur.
Dhe kjo shihet për shembull tek nxitja e Finlandës dhe Suedisë për t’iu bashkuar NATO-s. Mesa duket tani Putin ka përmbushur atë që presidenti amerikan Joe Biden e premtoi në shkurt:”Nëse Rusia pushton një vend tjetër, pra nëse tanket apo trupat e saj e kalojnë kufirin e Ukrainës, atëherë nuk do të ketë më një “Nord Stream 2”.
Sa te drejte që kishte! “Kjo është një situatë tërësisht e paprecedentë që kërkon një hetim urgjent. Ne jemi tepër të shqetësuar për këtë lajm”- deklaroi zëdhënësi për media i Putinit, Dmitry Peskov. Pra ndoshta aq të shqetësuar sa për nevojën për një hetim lidhur me rrëzimin e avionit të linjës MH17 në vitin 2014 që udhëtonte mbi Ukrainë, apo helmimin e ish-agjentit të KGB Alexander Litvinenko në Londër në nëntorin e vitit 2006.
Tek e fundit, ndoshta Moska nuk do të shqetësohet edhe nëse del në shesh e vërteta, pasi ajo po tregon gatishmërinë e saj për të bërë gjithçka kudo që mundet, për të promovuar aneksimin e provincave të ndryshme në Ukrainë. Hapi tjetër i Putinit, mund të jetë fillimi i sulmeve kibernetike kundër Perëndimit.
Ndërkohë, në sfond janë kërcënimet e tij jo dhe aq elegante për të përdorur armët bërthamore kundër Ukrainës, pas referendumeve të tij të rreme në Donbas dhe gjetkë. Ndoshta Peskov e ka shprehur më së miri këtë gjatë komenteve të tij mbi dëmtimin e rëndë të gazsjellësve. “Asgjë nuk mund të përjashtohet!”- tha ai. Dhe kur bëhet fjalë për Rusinë e Putinit, komenti i tij duket mëse i përshtatshëm.
Burimi: Spectator