MENU
klinika

Fat tragjik!

Kushëriri i bukur dhe i mallkuar… i mbretëreshës Elisabetë

10.10.2022 - 18:52

         Historia e harruar e princit rebel të Gloucesterit, që të sëmbon në zemër

Askush nuk e zë në gojë, askush nuk e përmend në publik, mbase ngaqë ai që sot do të ishte ndoshta një ikonë e popit, asokohe ishte një dele e zezë dhe mbartësi i fundit i një prej defekteve gjenetike familjare që mbaheshin fshehur. Princi Uilljam i Gloucesterit ishte anëtari më simpatik i familjes mbretërore britanike, një personazh i romanit E.M.Forster me një zemër të fortë dhe tipare të hijshme. “Princi tjetër Uilljam, – siç emërtohet sot nga komentuesit mbretërorë, që po fshijnë pluhurin e historisë së tij, si emër të dytë kishte Henri, që është emri i vërtetë i princit Herri. Përse Diana zgjodhi t’i emëronte fëmijët e saj njëlloj si ky anëtar fatkeq i Windsors, mbreti Çarls donte t’i quante Artur dhe Albert, është një nga misteret e shumta që ushqejnë legjendën e Princit Uilljam Henri Andre Frederik i Glouscesterit (William Henry Andrew Frederick i Gloucester), djali i bukuroshes Alice Douglas Scott dhe princit Henri, djali i tretë i mbretit Xhorxhi V dhe mbretëreshës Meri e Teckut, vëllai i mbretit Xhorxh VI./Konica.al

Pra, kushëri i parë i mbretëreshës Elisabeta dhe princeshës Margareta. Princi Uilljam i Gloucesterit lindi më 14 dhjetor 1941, në zemër të luftës, dhe, kur lindi, ishte i katërti në radhën e pasardhësve, por u spostua në renditje pasi lindën fëmijët e kushërirës Elisabeta. I pagëzuar në kishën private të Uindsorit, nga Kryepeshkopi i Kanterbërit, pati mbretin Xhorxhi VI dhe gjyshen Mari si kumbarë. Uilljami kishte qenë gjithashtu një nga shoqëruesit e Elisabetës në dasmën e saj me princin Filip. Në përgjithësi, Kurora Britanike anëtarët e saj i kujton gjithmonë me terma shumë miklues, gjë e cila vlen edhe për Uilljamin e Gloucesterit. Megjithatë, sipas korrespondencës së kohës së aristokratëve të tjerë që flisnin për të, djali ishte vërtet një tip brilant dhe shumë atletik. Arkivat historike janë përplot me fotot e tij, ku ai udhëton, merret me sport, riparon motorët e makinave, apo drejton avionë të vegjël, një pasion i tij. Miqtë e përshkruanin atë si “shumë besnik dhe gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur më të dobëtit”, madje vlerësonin kthjelltësinë, me të cilën ai e konsideronte veten vetëm si dikush me fatin që kishte lindur në një familje të privilegjuar, pa pasur asnjë meritë për këtë gjë. Gjë që e bënte shumë mirëkuptues dhe tolerant ndaj gabimeve të të tjerëve. Kishte studiuar në Eton, ashtu siç do të bënin më pas fëmijët
e Dianës, në kundërshtim me traditën, që të paktën trashëgimtari i fronit duhej të ishte student i Gordonstounit, u diplomua në Kembrixh, ku mori edhe masterin për Administrim Biznesi.

Më pas, me lirinë e lëvizjes, që e lehtësoi jetën e anëtarëve të rinj të familjes mbretërore, shkoi me studime për Shkenca Politike në Universitetin Stanford në Kaliforni, titulli i të cilit kishte influencë, por sapo shokët ia njohën natyrën, shijuan jetën klasike amerikane të kolegjit për të cilën kemi mësuar nga filmat. Vajzat e pëlqenin shumë, shumë. Aq sa krijoi një reputacion plejboji. Kur u kthye në atdhe, parapëlqeu më mirë të punonte, sesa të bëhej anëtar i lartë i familjes mbretërore dhe filloi punonjës i një banke investimesh në Londër. Për kohën një zgjedhje e tillë ishte shkelje, i vetmi që kishte guxuar qe xhaxhai i tij, princi Xhorxho, duka i Kentit, një tjetër rebel i familjes. Në vitin 1965, Uilljam pranoi postin e Sekretarit të Komisionit të Lartë Britanik në Lagos në emër të Zyrës së Komonuelthit në Nigeri dhe, në vitin 1968, u transferua në Tokio si sekretar i dytë i Ambasadës Britanike. Në Tokio, rrugëtimi i jetës filloi të merrte përvijimet e romantizmit. Zsuzsi Starkloff ishte martuar shumë e re dhe, kur u takua me princin, tashmë kishte një vajzë dhe dy divorce pas krahëve. Kishte lindur në Budapest, prej nga u arratis me shpërthimin e revolucionit hungarez në vitin 1956 dhe, pas divorcit të dytë, e la punën si stjuardesë për t’u bërë modele, sepse kuptoi që natyra e bukurisë së saj pëlqehej shumë nga japonezët. Në të vërtetë, ajo u zgjodh imazhi i “Revlon” në Japoni. Mirëpo, nuk u pëlqente vetëm japonezëve. Thuhet se pati një flirt me Shon Konerin, kur ndodhej në Tokio në 1967 për të xhiruar skenat e “Agjenti 007 – Jetohet vetëm dy herë”./Konica.al

Nga ana tjetër, me princin Uilljam, Zsuzsi u takua së pari në një festë emigrantësh elitarë në Tokio, ku ishte pjesë e saj, sepse tashmë ishte e famshme. Princi kishte një dobësi për gratë më të mëdha, kurse ajo ishte pesë vjet më e madhe. Magjepsja ishte e dyanshme, aq sa i dha një ftesë për një tjetër festë, këtë herë me maska, firmosur “Hirushja”. Uilljami u bë kureshtarë dhe kur e pa të veshur si princeshë indiane, u marros. Princi e la veten të pushtohej nga ndjenjat dhe, duke përfituar nga ndjenja e lirisë që kishte kërkuar, shkoi të jetonte larg Pallatit Bakingam. Kështu, ai dhe Zsuzsi shkuan të jetonin së bashku në një vilë buzë Oqeanit Paqësor, ku praktikuan pasionet e përbashkëta, përfshi peshkimin nënujor. Edhe pse kishin zgjedhur një vend shumë të izoluar, thashethemet i erdhën mbretëreshës në vesh. Elisabeta dërgoi të motrën, Margaretën, në Tokio të bisedonte me kushëririn rebel për ta bindur të mos i jepte jetë skandalit me një të huaj të divorcuar të fesë hebraike, pasi dëmtimi i imazhit të xhaxhait të saj Eduard VIII me Wallis Simpson ende nuk ishte riparuar plotësisht. Kërkesa ishte paqësore, por princesha Margaret i vuri në dukje kushëririt, se një ligj i vitit 1772 shfuqizonte martesat që anëtarët mbretërorë në linjën e pasardhësve të fronit lidhnin me dikë që nuk ishte miratuar nga sovrani. Uilljamit iu desh të hiqte dorë dhe të kthehej në Angli në 1972, ku u transferua në pronën e familjes në Northamptonshire. Por ai kishte hartuar një plan sekret me Zsuzsin e tij të dashur. Sapo gjërat të qetësoheshin dhe të gjithë mendonin se ai e kishte harruar, ata do të fillonin të takoheshin në Nju Jork. Ndërkohë, janë shkruar shumë letra dhe telegrame, të cilat i kishte dërguar me adresë të fshehtë, kurse ajo ia kthente me pseudonim. Shëndetin nuk e kishte të shkëlqyer, trashëgonte sëmundjen nga koha e Marisë, Mbretëreshës së Skocisë, e cila rrezikoi mendjen e mbretit Xhorxhi III, duke i dhënë jetë periudhës së Regjencës, kishte filluar t’i krijonte probleme.

Mirëpo, ai vazhdonte ta sfidonte trupin me sporte dhe gara për të vrarë kohën, ndërsa priste të shihte sërish të dashurën, veçanërisht ato ku mund të fluturonte me një nga aeroplanët e tij. Më 28 gusht 1972, ishte duke konkurruar në një nga këto gara: “Goodyear International Air Trophy” në Halfpenny Green me bashkëpilot, mikun e tij Vyrell Mitchell në bord. Nuk dihet se çfarë ndodhi, por në një çast u rrit shpejtësia në lartësi të ulët dhe goditi një pemë, Uilljam humbi kontrollin e avionit, i cili u rrëzua menjëherë, duke marrë flakë para 30 mijë shikuesve. Kur flakët u shuan dy orë më vonë, kishte mbetur aq pak nga djemtë, saqë lypej nevoja e identifikimit përmes dhëmbëve. Asokohe, babanë e kishte të sëmurë, sa familja mbretërore nuk e njoftoi për lajmin. Mirëpo, ai e mësoi gabimisht nga një buletin lajmesh televizive dhe kjo nuk e ndihmoi. Më pak se dy vjet më vonë vdiq edhe ai. Princi Uilljam i Gloucester është varrosur në Varrezat Mbretërore, Frogmore. Kështu përfundoi jeta e tij aventureske, në moshën 30-vjeçare. Pa e parë kurrë më, Zsuzsi Starkloff./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nuk dorëzohen, mbretëreshat!

Elizabeta refuzon çmimin ”diskriminues”

Mbretërim në dy shekuj

Kush ishte Elizabeta II

“Balmoral Lipstick”

Elizabeta ishte edhe tifoze…


Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale