Ish-kryeministri Pandeli Majko ka ngritur alarmin për tensionet në Veri të Kosovës, ku paralajmëron edhe për gjakderdhje.
Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Majko thotë se serbët po përdorin një strategji që mund të përfshijë gjithë rajonin në luftë, të nxitur edhe nga Moska.
Ai shton se nëse konflikti do të ndizet, shqiptarët do të numërojnë jetët e humbura, ndërsa serbët do të vijojnë të sillen si viktima.
Postimi i Makjos:
TROKITJA E “KONFLIKTIT TE FRANC FERDINANDIT”…
Aksioni i braktisjes së institucioneve nga serbët në Kosovë është një aksion i organizuar nga Beogradi zyrtar.
Konflikti shqiptaro – serb ka cilësinë e pandryshueshme në të cilën serbët sillen si viktima dhe shqiptarët, në fund, numërojnë jetët e humbura nga rradhët e tyre.
Sjellja e politikës serbe në Ballkan nga krijimi i shtetit të saj, ka qenë dhe është e mbështetur tek dhuna, si arsyetim që vendos për rezultatin përfundimtar.
Kjo që po ndodh aktualisht në Kosovë është rezultat i kthimit të statusit të “të fortit” në kulturën politike. Sjellja e papërgjegjshme e politikanëve serb në Kosovë e cila justifikohet me “krizën e targave” të makinës është ironi për tu marrë seriozisht.
Në këtë moment, vlen të verifikohet fakti në se kombi që nisi një Luftë e Parë Botërore në Sarajevë, po tenton ta përsërisë sërish atë.
Mungesa e guximit për të pranuar realitetin e pas Luftës në ish-Jugosllavi, dhe ndërtimi i një bote virtuale për veten, janë shkaktarët realë pse politika serbe rrezikon rajonin me një konflikt të përsëritur ndërkombëtar.
Ajo që mund të fillojë në Mitrovicë duket, në pamje të parë, si një skandal “të fortish” të cilët duan ti vënë flakën një realiteti të cilin refuzojnë që ta pranojnë.
Me “të fortët” sjellja diplomatike nuk funksionon. Ajo thjesht ju jep justifikim se në ndeshjen e dëshiruar prej tyre, ata janë fituesit e saj. Dhe cfarë është më e keqja, ajo që vjen më pas do të jetë kërkesa për më shumë se sa ajo që u ofrohet.
Serbia po tenton shkatërrimin e statuskuosë në rajon. Kjo do të ketë, në kushte ekstreme, pasoja me një gjakderdhje pa rregulla e cila do të shpërndahet si sëmundje në rajon.
Shqiptarët nuk kërkojnë më shumë se cfarë kanë aktualisht. Tregimi i tyre si “kokëforte” vec bën një barazim të padobishëm midis qëllimit shqiptar për paqen dhe atij serb për mospranimin e statusit që paqja u ka krijuar në rajonin e Ballkanit.
Moska është në pritje të konflikteve të cilat do ta ndihmojnë në situatën që e krijoji vetë me Luftën pushtuse në Ukrainë. Strategjia e saj nuk funksionon vetëm në kontratat shtetërore me Serbinë. Mobilizimi i kriminelëve nga burgjet i cili turpëron historinë e ushtrisë ruse tregon se gangsterët po kthehen në një kulturë veprimi praktik.
Eshtë mbivlerësues fakti që Beogradi ka mundësi ta kontrollojë një konflikt shqiptaro-serb. E kundërta është e vërtetë. Ky konflikt do ti ketë vetëm jetët e humbura si statistikë.
Diplomacia lineare europiane është ende e papërgatitur për një konflikt të tillë i cili mund ngjajë ajzbergut ku u përplas Titaniku.
Nëse një konflikt hipotetik midis Arabisë Saudite dhe Iranit do të shkatërronte tregun ndërkombëtar të energjisë, ai shqiptaro – serb do të ftonte kaosin në rregullat ndërkombëtare të trajtimit të krizave.
Të papërgjegjshëm dhe me jetë të dyfishtë midis Lindjes dhe Perëndimit politikanët drejtues të Serbisë nuk janë të qartë për fundin e kësaj që ka nisur në Kosovë. Zgërdhitja “lindore” në prapaskenë dhe fytyra e pezmatuar “perëndimore” në publik, po e kthen politikën serbe në një mallkim për vetveten.
Serbët nuk kuptohen cfarë duan. Ata dinë vetëm të kundërtën. Ky është fati i një kombi që ka humbur rrugën dhe cdo sukses e mat me përfitimin financiar.
Kjo që po ndodh në Kosovë kërkon mjaft gjakftohtësi. Dhe sa më pak “deklarime trimash”. Jemi në prag të një kaosi pa fitimtarë. Ai mund të fillojë për shkak të rrethanave dhe perceptimit që palët kanë mbi mundësitë e veta. Sikur kjo që po ndodh në Kosovë të ishte një histori “gjelash” midis shqiptarëve dhe serbëve, ajo do të ishte e thjeshtë. Por, ja që nuk është kështu.
Strategjia e palës së padukshme në këtë situatë mund të zhysi rajonin në një Luftë, e cila pas një muaji do ta ketë të vështirë kujtesën se për cfarë arsye ajo filloi.
Gangsterët, si rregull, duan luftëra të pjeshme me fitime të garantuara. “Mungesa e fitimit” prej saj nesër, është mundësia e diplomacisë sot. Cdo tentativë për trajtim të njëjtë të palëve sipas parimeve teorike të trajtimit të barabartë nxit kulturën e gangsterit në Ballkan.
Kosova ka mbrojtjen legale të NATO-s. Problemi i Aleancës, aktualisht nuk është Kosova por Ukraina. Një shpërthim i pakontrolluar në Kosovë e kthen cështjen në ushtarake. Bëjnë mirë që të mos presin kush do të jetë Duka Franc Ferdinand…i kohës sonë.
Në se fillon konflikti, Prishtina dhe Begradi duhet të bëhen gati për ushtarë të huaj që vriten me njëri-tjetrin për qëllime që nuk kanë të bëjnë vetëm me ta. Ky skenar është mirë që të mendohet dhe të mendohet mirë.
Ushtarët e huaj nuk do marrin urdhëra nga politikanët serb apo shqiptarë. Nëse fillon kaosi ata do të jenë “jashtë kohe”. Paqen do e vendosin ushtarakët. Ashtu si në vitin 1999.