MENU
klinika

Bojkoti i Kuvendit

Mediu kritikon Bashën: Ndrysho strategji! Opozita në parlament

02.12.2018 - 15:22

Prej disa kohësh opozita shqiptare ka bojkotuar seancat plenare duke mos marrë pjesë, por mesa duket zëra  të ndryshëm kanë filluar të reagojnë kundrej këtij bojkoti.

Ndër ta është dhe Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane, i cili thotë se ka ardhur koha që opozita të bëjë llogaritë se çfarë ka fituar duke qëndruar jashtë parlamentit.

Mediu, mendon se parlamenti është i vetmi institucion ku përfaqësohet zyrtarisht.

“Parlamenti nuk është parlamenti i Edi Ramës. Parlamenti për opozitën duhet të jetë zëri i të vërtetës, zëri i qytetarëve. Ai është i vetmi institucion ku edhe nga pikëpamja formale, opozita është pjesë.”

fatmir mediu-konica.al
fatmir mediu-konica.al

Për Mediun, jo vetëm që opozita e ka vendin në Parlament, por duhet të ndryshojë dhe strategjinë e saj në raport me debatin që zhvillohet atje.

“Nuk mendoj që problemin në parlament ne duhet ta shfaqim vetëm si një debat me batuta me Edi Ramën, por si një debat të drejtëpërdrejtë duke përfaqësuar interesat dhe zërin e qytetarëve.”

Mediu mori përsipër të shpjegonte atë që donte të thoshte Sali Berisha kur u shpreh se me Edi Ramën kryeministër nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Thelbi sipas tij është organizimi më i mirë i opozitës, duke mos shmangur kritikat për sjelljen e deritanishme.

“Organizimin e opozitës si forcë në ide por edhe në protestë përballë qeverisë, por duke filluar në radhë të parë në Tiranë. Një opozitë e cila në mënyrë parazitare pretendon që duhet të vendosë për çdo gjë, duke shpërfillur zërin e qytetarëve. Është shumë e rëndësishme që opozita të lidhet me masën e vet të anëtarësisë, por edhe me masën e gjerë të qytetarëve shqiptarë.”

Mediu në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Republikane theksoi se duhet punuar më mirë edhe më ndërkombëtarët për ti bindur ata për gjendjen e keqe në të cilën ndodhet vendi.