MENU
klinika

Nga Project Syndicate

Pse Afrika ndihet “e mënjanuar” në G20?

02.12.2018 - 15:28

Megjithëse G20 ka bërë disa përpjekje vitet e fundit, ende nuk i ka përfshirë afrikanët në diskutimet e çështjeve globale. Megjithatë, duke mos e trajtuar rajonin si një partner të barabartë, bashkësia ndërkombëtare po dëmton interesat e saj.

Ky nuk ka qenë një vit i lehtë për G20. Samiti i 2018 i liderëve të ekonomive më të mëdha në botë po mbahet në Buenos Aires, një qytet që po vuan ende nga një kolaps i monedhës. Samiti po ndodh në një kohë kur rendi multilateral sulmohet gjithnjë e më shumë.

Megjithatë, G20 ka kohë që e konsideron veten si një zgjidhje globale e problemeve, sidomos pas krizës financiare aziatike të vitit 1997 dhe situates në vitin 2008. Një dekadë më vonë, po përballet me një krizë globale përsëri, vetëm se këtë herë ajo ka marrë formën e një lufte tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Ndryshe nga viti 2008, tendenca për vendimmarrje shumëpalëshe po përkeqësohet. Bashkimi Evropian mbetet i shqetësuar nga mosmarrëveshjet e veta të brendshme dhe nga Shtetet e Bashkuara, që nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump, kanë braktisur multilateralizmin dhe kanë dobësuar institucionet e nevojshme për të zgjidhur sfida komplekse.

Por, ndërkohë që gjigandët ekonomik në botë po heqin dorë nga multilateralizmi, Afrika ka lëvizur në heshtje në drejtimin e kundërt. Më parë këtë vit, vendet e kontinentit ranë dakord mbi një Marrëveshje të re kontinentale të tregtisë së lirë afrikane dhe u angazhuan për të ndjekur një integrim më të thellë ndërkufitar ekonomik dhe infrastrukturor brenda kuadrit të Bashkimit Afrikan.

Por, pavarësisht kësaj, Afrika ka luftuar për të patur vëmendjen e G20. Afrika e Jugut është vendi i vetëm afrikan në G20 dhe duhet vazhdimisht të shfaqë edhe interesat e gjithë kontinentit.

Për më tepër, në vend që të përfshijë Afrikën në diskutime më të gjera për tregtinë globale, ndryshimet klimatike, etj, G20 e ka kufizuar angazhimin e saj.

Për të qenë të sinqertë, infrastruktura në Afrikë, integrimi i ngadalshëm rajonal dhe nivelet e larta të papunësisë, të gjitha që rrjedhin nga moszhvillimi i kontinentit. Askush nuk thotë se zhvillimi duhet të injorohet; por as nuk duhet të jetë fokus.

Kjo tendencë e pengon Afrikën të marrë pjesë si një anëtar legjitim dhe i barabartë i bashkësisë globale.

Kjo do të thotë që Afrika nuk ka aspak të drejtë fjale në një mori çështjesh të tjera që lidhen me zhvillimin, duke përfshirë infrastrukturën, dhe sistemin bankar global.

Kjo nuk është vetëm e padrejtë ndaj Afrikës, ajo gjithashtu paraqet rreziqe për G20.

Afrika përfaqëson të ardhmen demografike në botë dhe trajektorja e saj e zhvillimit do të ndikojë gjithnjë e më shumë në ekonominë globale. Deri në vitin 2050, Nigeria do të ketë popullatën e tretë më të madhe në botë dhe deri në 2100, një e treta e të gjithë njerëzve do të jenë afrikanë.

G20 ka filluar t’i kushtojë më shumë vëmendje Afrikës në vitet e fundit, por Afrika duhet të ketë një rol më të madh në përcaktimin e agjendës së G20. Kontinenti ndikohet në mënyrë disproporcionale nga ndryshimet klimatike dhe migracioni. Megjithatë, ajo nuk do të jetë në gjendje t’i përballojë këto sfida nëse zhvillimi pengohet nga një sistem tregtar i pabarabartë global.

Është koha që G20 të bëhet më përfaqësuese dhe më efektive. E ardhmja jonë kolektive varet nga ajo.

Cobus van Staden është një studiues i politikës së jashtme në Institutin e Çështjeve Ndërkombëtare të Afrikës së Jugut.