Të premten me 11 nëntor Franca dhe Gjermania do të përkujtojnë armëpushimin e vitit 1918 i cili edhe kishte shënuar fundin e Luftës së Parë Botërore.
Organizim për këtë do të ketë edhe në Prishtinë. Këtë e ka bërë të ditur përmes një komunikate për media Ambasada Franceze në Prishtinë të cilët kanë treguar se kjo ngjarje do të organizohet në bashkëpunim me Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë.
“Një ceremoni ushtarake në vendin e ushtarëve të rënë në Prishtinë gjatë luftimeve në Frontin Lindor, do të mbahet më 11 nëntor në orën 11:00. Ky vend ndodhet brenda varrezave të krishtere në Arbëri”, thuhet në njoftim.
Në komunikatën për media të Ambasadës gjithashtu është dhënë edhe një mesazh për Kosovën dhe Serbinë duke thënë se modeli i pajtimit të Francës dhe Gjermanisë si dy ish-armiq historik mund të shërbejë si model për pajtim edhe në Ballkan, raporton Express.
“Miqësia franko-gjermane tregon se pajtimi është i mundur edhe mes ish-armiqve historikë dhe mund të shërbejë edhe si model për pajtimin në Ballkan. Ajo gjithashtu dëshmon për vuajtjet e të gjithë popujve të përballur me mizoritë e luftës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
I njëjti mesazh është dhënë edhe në komunikatën për media të lëshuar nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.